CEREMONIA E HAPJES
25-09-2025
E nderuar Kryesi e Kongresit dhe e KKK-së,
Të nderuar kolegë dhe anëtarë të respektuar të komunitetit kirurgjikal,
Dear Nancy Lange, the Medical Attache of the US Embassy,
I nderuar Rektor i UP – Prof. Arben Hajrullahu,
I nderuar z. Rrustem Gecaj, biznismen shumë i respektuar shqiptaro-amerikan, dhe një nga përkrahësit e KKK-së,
I nderuar z. Agim Shahini, Kryetar i Aleancës së Bizneseve,
Dhe të gjithë ju mysafirë të nderuar dhe media,
Është nder dhe privilegj t’ju mirëpresim në Kongresin e Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë dhe në festimin e Kongresit të 5-të Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.
Kjo çka po përjetojmë sot, ishte një nga ëndrat e mija më të mira, dhe besoj e secilit prej nesh, teksa jemi këtu në qytetin e bukur të Prishtinës, dhe po shënojmë jo vetëm një moment të rëndësishëm të mbledhjes së kirurgëve shqiptarë nga e gjithë bota, por edhe përvjetorin e shtatë të KKK, të udhëtimit të përbashkët që e kemi bërë që nga fillimi ynë, rast ky që sjell me vete ndjenjën e krenarisë dhe arritjeve të mëdha. Mos gaboni të hamendësoni se në katër kongreset e mëparshme nuk kishim si pjesëmarrës kirurgë shqiptarë nga e gjithë bota, në të vërtetë kemi pasur, por vetëm se Kongresin nuk e quajtëm të tillë. Tani është koha t’i quajmë gjërat ashtu siç janë. Këtë vit filluam në Prishtinë, vitin tjetër do të jemi në Tiranë, dhe vitin pasues në Shkupin e bukur. Këtë kongres do ta mbajmë me rotacion.
Gjatë shtatë viteve të kaluara, ne kemi punuar me zell për të rritur standardet kirurgjikale në Kosovë dhe në rajon. Unë jam krenar të ndaj me ju se me sukses kemi rritur anëtarësinë tonë dhe kemi bashkuar kirurgë të talentuar nga disiplina të ndryshme kirurgjikale klinike.
Sot jemi së bashku me disa nga kirurgët më të mirë në botë që po marrin pjesë në këtë kongres dhe na bashkohen si anëtarë të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Prania e tyre thekson përkushtimin tonë për të nxitur bashkëpunimin dhe për të siguruar që ne të mbetemi në krye të inovacionit kirurgjikal.
Kur e shikoni programin e Kongresit, vërehet qartë se ne po ofrojmë një gamë të jashtëzakonshme të shkencës klinike dhe praktikës kirurgjikale.
Kështu, ne sapo përfunduam Simpoziumin e Dytë ‘Profesor Rao Ivatury’ për Traumën, Kujdesin Kritik dhe Djegiet, dhe Simpoziumi i Kirurgjisë së Gjirit,
ku paraqiten operacionet e transmetuara drejtpërdrejt përmes projektit tonë të telemjekësisë, e të cilin e iniciuam me krenari më 10 tetor 2002, si dhe simpoziumi i kirurgjisë torakale. Përveç kësaj, ky Kongres ëshë pasuruar gjithashut me seminare të ndryshme dhe simpoziume të tjera, duke përfshirë neurokirurgjinë, kirurgjinë vaskulare, kirurgjinë plastike, sesionin e vecantë se si të shkruajnë punime dhe artikuj shkencorë, që do t’i fuqizojnë anëtarët tanë të kontribuojnë në literaturën më të gjerë mjekësore. Për më tepër, ne e kemi rigjallëruar botimin e Kosova Journal of Surgery,
e vetmja revistë klinike shkencore e botuar në Kosovë, e cila tani botohet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës. Kjo revistë po shërben si burim qenësor për përhapjen e gjetjeve të hulumtimeve dhe praktikave më të mira brenda komunitetit tonë.
Siç do ta shihni pas pak, në pesë vitet e ardhshme, Kolegji në bashkëpunim me UP-në do të ndërtojë Qendrën për Kërkime Shkencore, Simulime dhe Trajnime të Avancuara në Nivel Universitar.
Për më tepër, ne kemi hartuar dhe nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Universitetin e Gracit në Austri, një nga universitetet më të mira në Evropë dhe më gjerë, për të zhvilluar dhe avancuar më tej këtë qendër.
Me këtë rast dua të falënderoj profesorët Arben Hajrullahu (rektor i UP-së) dhe Lumnije Kqiku, si dhe profesorin Lars-Peter Kamolz nga Graci,
një nga anëtarët tanë të nderit, për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të pashoq për ta bërë këtë Memorandum Bashkëpunimi një realitet të punës së përbashkët dhe partneritetit të shkëlqyer. Përveç Qendrës, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka inicuar tashmë edhe tre projekte të tjera kyçe për të pasuruar historinë, njohuritë dhe praktikën kirurgjikale, duke zbërthyer në praktikë moton tonë “Nderojmë të Kaluarën, Ndërtojmë të Ardhmen”.
Projekti i parë do të përpilojë një histori gjithëpërfshirëse të kirurgjisë shqiptare gjatë shekujve.
Kjo iniciativë do të gjurmojë zhvillimin e teknikave dhe praktikave kirurgjikale në rajone të ndryshme ku shqiptarët kanë banuar historikisht, duke pranuar traditat historike dhe përparimet mjekësore.
Projekti i dytë do të dokumentojë rolin e kirurgëve dhe profesionistëve të tjerë mjekësorë gjatë Luftës së Kosovës (1998-1999). Përmes intervistave me kirurgë dhe personel mjekësor që shërbyen gjatë luftës, ky projekt synon të dokumentojë përvojat e tyre të drejtpërdrejta, sfidat me të cilat u përballën dhe dilemat etike të hasura në ofrimin e kujdesit në kushte lufte.
Projekti i tretë përfshin kryerjen e intervistave të thelluara me kirurgë të shquar shqiptarë.
Këto intervista do të eksplorojnë rrugët e tyre të karrierës, kontributet e rëndësishme në këtë fushë dhe perspektivat mbi të ardhmen e kirurgjisë, veçanërisht brenda kontekstit shqiptar. Këto intervista do të përmblidhen në një libër të titulluar “Intervista me kirurgë të famshëm shqiptarë”, për të ofruar frymëzim dhe njohuri të vlefshme për kirurgët dhe aspiruesit e profesionit mjekësor. Ky fokus te kirurgët shqiptarë do të ofrojë një perspektivë më të gjerë mbi kontributet e profesionistëve mjekësorë shqiptarë gjatë historisë dhe në rajone të ndryshme.
Unë dua të shpreh mirënjohjen time të përzemërt për ata që kanë punuar pa u lodhur për të organizuar këtë Kongres, si dhe për të gjithë ju që keni udhëtuar nga afër dhe larg për të qenë këtu. Së bashku, le të përqafojmë frymën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive, që përcakton thelbin e profesionit tonë.
Në fund, më lejoni të them se jam posaqërisht i lumtur që po ia kaloj stafetën e lidershipit të KKK-së një brezi të ri udhëheqësish, të prirë nga Dr. Osman Zhuri.
Ju faleminderit nga zemra dhe ju uroj të gjithëve një kongres produktiv dhe frymëzues, miqësi te reja dhe shumë suksese.
Mbi të gjitha, uroj që ne të gjithë ta duam kombin dhe vendin tonë më shumë dhe pa asnjë mëdyshje.