Ligjëratat e Emërtuara – Kongresi i Tretë Klinik

Për të nderuar të kaluarën dhe kontributin e personaliteteve që kanë dhënë shumë për ndërtimin dhe avansimin e kirurgjisë në vendin tonë, në kohëra e mënyra të ndryshme, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka vendosur të themelojë ligjëratat “state-of-the-art”. Këto ligjërata janë të emërtuara pas personaliteve më kontribut-dhënëse dhe ligjërata apo prezantimi që futet në këtë kategori quhet ligjëratë e emërtuar. Çdo vit për Kongresin Klinik të KKK-së përcaktohen ligjëratat e emërtuara të atij Kongresi.
Deri më tash, kemi 32 ligjërata “state-of-the-art” në pothuajse po aq disiplina të ndryshme kirurgjike. Këtij numri mund t’i shtohen edhe ligjërata të tjera në të ardhmen.

“Kryetari Themelues i KKK Prof. Dr. Rifat Latifi për Shëndetin Global”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Rifat Latifi, MD, FACS, FICS, FCKS, Kryetar dhe Profesor i përhershëm i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të Nju Jorkut, Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore Westchester, Anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS) dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (ICS), Themelues dhe Kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe Kryeredaktor i “Kosova Journal of Surgery”, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës (16 nëntor 2021 – 6 tetor 2022).

Kjo ligjëratë i dedikohet zhvillimeve dhe avansimeve të kirurgjisë e shëndetit në nivel global. Rrjedhimisht, ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Dr. Girma Tefera: “Shëndeti Global në Kirurgji: Të punosh përtej “të ndjerit mirë””.

“Dr. Adem Ademi për Kirurgjinë Emergjente”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Dr. Adem Ademi, Kirurg, i cili specializimin e tij e ka kryer në Zagreb. Në vitin 1981 emërohet Kryeshef i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Mitrovicës ku punon deri në vitin 1992. Në periudhën e luftës në Kosovë, Dr. Ademi ishte ndër ideatorët e parë të përgatitjes së Spitalit Ushtarak. Ishte caktuar me detyrë në zonën e Shalës. Mirëpo, me pamundësi të qarkullimit, specialistët nuk qëndronin gjithnjë në zonën e Shalës dhe pas fillimit të bombardimeve, Dr. Adem Ademi, mbetet në Malet e Komunës së Zubin Potokut ku dhe kidnapohet bashkë me grupin e Intelektualëve – 23 intelektualë te profileve te ndryshme. Prej datës 19 Prill, 1999 evidentohet si i zhdukur.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Dr. Petrit Mulaku, MD, MSc: “Menaxhimi aktual i fatkeqësive: Çfarë duhet të dinë të gjithë?”.

“Prof. Dr. Qamil Haxhija për Lidershipin në Oftalmologji”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Qamil Haxhija, Oftalmolog. Më 1971, Dr. Haxhija zgjedhet në krye të Repartit të Syve të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë zgjedhet Drejtor i parë i Klinikës së Syve. Një kohë e ushtroi edhe detyrën e Shefit të Katedrës së Oftalmologjisë në Prishtinë. Dr. Qamil Haxhija ishte bashkautor i librit kryesor mësimor për Oftalmologji,  për studentët e Mjekësisë në nivelin e Jugosllavisë, të redaktuar nga ana e Milan Blagojevic dhe Olga Litricin. Ai ka pasur prezantime dhe botime të shumta shkencore dhe profesionale në lëminë e Oftalmologjisë.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Huban Atilla, MD, FEBO, “Kataraktet Kongjenitale; Çfarë ka ndryshuar?”.

“Prof. Dr. Muharrem Gashi për Kirurgjine Torakale”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Muharrem Gashi, Kirurg i Përgjithshëm dhe Torakal. Në vitin 1969 emërohet Kryeshef i Repartit të Kirurgjisë, pastaj edhe i Qendrës Mjekësore në Gjilan. Gjatë vitit 1970 zgjidhet Asistent i Kirurgjisë së Përgjithshme në Katedrën e Kirurgjisë së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Në fillim të vitit 1974, në Kosovë për herë të parë themelohet Reparti i Kirurgjisë Torakale dhe Kryeshef emërohet Prof. Dr. Muharrem Gashi. Ai arriti të hartojë 4 tekste për studentët e studimeve pasuniversitare dhe për mjekët që veçse ishin në specializim. Gjithashtu, ka publikuar më shumë se 130 punime shkencore e specialistike. Prof. Dr. Gashi ka publikuar librin “Tumoret e Mediastaniumit” në vitin 2012.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Mentor Ahmeti, MD, FACS, “Stabilizimi i Murit të Kraharorit”.

“Prof. Dr. Jashar Dula për Kirurgjinë Maksillofaciale”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Jashar Dula. Ishte Kirurgu i parë Maksillofacial, kuadër-asistent, në lëndët Kirurgji Maksillofaciale dhe Kirurgji Orale dhe Profesor Ordinar në Fakultetin e Mjekësisë. Prof. Dula themeloi shërbimin hospitalor maksilofacial në Kosovë. Gjatë veprimtarisë dhe karrierës së tij akademike përkundër punës së palodhshme në klinikë dhe ligjërimit në Fakultet, ka marrë pjesë nëpër kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare me mbi 50 punime shkencore. Në vitin 2005 dhe 2012 u dekorua me Mirënjohje nga Shoqata e Stomatologëve të Kosovës për kontributin e dhënë në zhvillimin e Stomatologjisë Kosovare.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Dr. Mërgime Prekazi Loxha, “Trajtimi i buzës dhe qiellzës së çarë: përvoja jonë”.

“Ass. Dr. Shpetim Robaj për Anesteziologjinë”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Ass. Dr. Shpetim Robaj, Anesteziolog. Pas përfundimit të specializimit filloi punën në Klinikën e Kirurgjisë, ku zgjidhet Asistent në lëndën e Kirgurgjisë së Përgjithshme në fushën e Asnesteziologjisë dhe Reanimit në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Atëherë kur Kosova më së shumti kishte nevojë për mbështetje, gjatë vitit 1998, Dr. Robaj së bashku me kolegët e tij, filluan t’iu ofrojnë ndihmë shëndetësore luftëtarëve të UÇK-së dhe popullatës civile, fillimisht në Drenicë e pastaj edhe në zona të tjera të luftës.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Vedat Eljezi, MD, Ph.D,  “Përditësimi i Diagnozës dhe Trajtimit të Embolisë Pulmonare”.

“Dr. Bajram Rexhepi për Kirurgjinë Luftarake”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Dr. Bajram Rexhepi, Kirurg dhe politikan shqiptar nga Kosova. Punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990. Më pas, ai u bë Udhëheqës i qeverisë hije në qytet dhe u zgjodh i dërguar i Mitrovicës në Kuvendin e Kosovës. Gjatë luftës më 1999 me Serbinë, Rexhepi i u bashkua UÇK-së dhe kaloi tre muaj në male duke shërbyer si mjek në zonën operative të Shalës. Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës. Rexhepi e la politikën më 2014 për të vazhduar karrierën e tij si kirurg.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e  Joseph Sakran, MD, MPA, MPH, “Dhuna me armë në Amerikë – Një problem i shëndetit publik”.

“Dr. Hajrullah Saraçi për Mjekësinë Intenzive”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Dr. Hajrullah Saraçi, i cili studimet i kreu në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës. Pas përfundimit të fakultetit punoi si mjek i përgjithshëm deri në largimin e tij në Gjermani për t’u kthyer prapë. Pas kthimit nga Gjermania fitoi specializimin në Anestezion dhe Reanimacion. Dr. Hajrullah Saraçi ishte specialist i Anestezionit dhe Reanimacionit dhe Drejtor Ekzekutiv i Spitalit “Sheikh Zayed” (në Vushtrri) prej vitit 2015 deri në vitin 2019 si dhe prej vitit 2020 deri në vitin 2021. Me 21 prill të vitit 2021 ndërroi jetë në Prishtinë, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të shkurtër.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Bellal Joseph, MD, FACS,  “Whole blood”.

“Prof. Dr. Rifat Latifi për Telemjekësinë dhe Teknologjinë e Avancuar”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Rifat Latifi, MD, FACS, FICS, FCKS, Kryetar dhe Profesor i përhershëm i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të Nju Jorkut, Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore Westchester, Anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS) dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (ICS), Themelues dhe Kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe Kryeredaktor i Kryeredaktor i “Kosova Journal of Surgery”, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës (16 nëntor 2021 – 6 tetor 2022).

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Hayato Kurihara, MD, FACS, FEBS, “Sistemi i traumës në Evropë: Një sfidë e vazhdueshme”.

“Prof. Dr. Hajredin Ukelli & Ass. Prof. Faik Kafexholli për Kirurgjinë Pediatrike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Hajredin Ukelli, Kirurg i Fëmijëve. Si themelues i Kirurgjisë së Fëmijëve në Prishtinë udhëhoqi Repartin ku janë realizuar ndërhyrje kirurgjike të ndërlikuara nga kjo lëmi. Gjatë periudhës 1986-1996 kreu detyrën e Shefit të Katedrës së Kirurgjisë. Ka publikuar mbi 70 punime shkencore. Ka botuar tre libra: “Zbulimi dhe shërimi i hershëm i anomalive kongjenitale të shpeshta të sistemit lokomotor”, “Indikacionet për ndërhyrje kirurgjike te thyerjet e diafizave të eshtrave të gjatë të ekstremiteteve të poshtme të fëmijëve”, “Sëmundjet më të shpeshta kirurgjike te fëmijët”.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Emir Q. Haxhija, MD, PhD, FEBPS, “Laparoscopic Pyloromyotomy for Hypertrophic Pyloric Stenosis in Children: does it Improve the Quality of Surgical Services?”.

“Prof. Dr. Hajredin Ukelli & Ass. Prof. Faik Kafexholli për Kirurgjinë Pediatrike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Ass. Prof. Faik Kafexholli, Kirurg i Fëmijëve. Dr. Kafexholli, fillimisht punoi në Prizren, në Has e në vise të tjera. Më 1974 kalon në Klinikën e Kirurgjisë në Prishtinë, në Repartin e Kirurgjisë së Fëmijëve. Specializimin nga Kirurgjia e fëmijëve e mbaroi më 1978 në Beograd. Pastaj kthehet të vazhdojë punën në Repartin e Kirurgjisë së Fëmijëve në Prishtinë, deri kur doli në pension në vitin 2004. Vlen të theksohet që në rrethanat e luftës në Kosovë, në vitin 1998-1999, Ass. Prof. Faik Kafexholli, shkoi pa ngurrim në zonën operative të Llapit, duke ndihmuar banorët e asaj ane.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Emir Q. Haxhija, MD, PhD, FEBPS, “Laparoscopic Pyloromyotomy for Hypertrophic Pyloric Stenosis in Children: does it Improve the Quality of Surgical Services?”.

“Ass. Dr. Bedri Bakalli për Kirurgjinë Ortopedike Traumatike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Ass. Dr.  Bedri Bakalli, mjeku i parë shqiptar për lëminë e Ortopedisë dhe Traumatologjisë në Kosvë.  Në vitin 1976 emërohet Kryeshef i Repartit të Traumatologjisë të sistemit lokomotor, detyrë  të cilën e ka ushtruar rregullisht dhe me sukses deri në pensionim, në fund të vitit 2007. Nga viti 1976 ka qenë Asistent/ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë, për lëndën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë, deri në vitin 2007. Duke qenë ndër ortopedët e parë në Kosovë, pati edhe detyrën e përcjelljes së njohurive dhe shkathtësive te brezat e ardhshëm të ortopedëve që u formuan gjatë viteve në Kosovë.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Prof. Dr. Ilir Hasani, “The power of “NOW” in Pelvic Fractures Surgery”.

“Prof. Dr. Agron Pustina për Ortopedinë Pediatrike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Agron Pustina, Ortoped. Pas përfundimit te specializimit kalon në Klinikën Ortopedike në Prishtinë, ku njëkohësisht inkuadrohet edhe në proces mësimor, duke filluar karrierën akademike si Asistent, pastaj Docent, Profesor Inordinar dhe Profesor Ordinar. Prof. Dr. Agron Pustina ishte njëri nga themeluesit e Katedrës së Ortopedisë dhe njëkohësisht edhe Udhëheqës i Klinikës së Ortopedisë në QKUK. Ishte Drejtor i Klinikës Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe një ndër themeluesit e Shoqatës së Ortopedëve të Kosovë.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Prof. Dr. Gershon Volpin, “Komplikimet e Rralla të Zëvendësimit Total të Ijeve”.

“Prof. Dr. Gazmend Shaqiri për Kirurgjinë Vaskulare”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Gazmend Shaqiri, themelues i Kirurgjisë Vaskulare në Kosovë. Ka botuar mbi 210 punime shkencore, si dhe librat: “Sëmundjet e arterieve”, “Kirurgjia e zemrës dhe aortës”, “Doracakët medicinalë në praktikën ditore” ,“Kirurgjia urgjente – Lëndimet“, “Kirurgjia urgjente, Pjesa e përgjithshme”, “Kirurgjia, Sëmundjet akute, Pjesa speciale”, “Ndërhyrjet Kirurgjike” “Ditari i kirurgut”, “Pagjakësia e anësive trupore – Sëmundjet e arterieve periferike“, ndërsa në mars të vitit 2018, në kohën kur luftonte kundër sëmundjes së rëndë që i kishte avansuar, nxori librin “Kirurgjia e enëve viscerale të gjakut”.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, “Rivaskularizimi me pompë vs Rivaskularizimi jashtë pompës”.

“Dr. Xheladin Deda në Oftalmologji”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Dr. Xheladin Deda, mjek, oftalmolog, atdhetar, docent. Është i njohur si Oftalmologu i parë kosovar, themelues i Repartit të syve në Kosovë dhe i cili i vuri bazat për formimin e Klinikës së Syve të Fakultetit të Mjekësisë. Me punë vetëmohuese arriti të formojë një ekip mjekësh dhe t’i hedhë themelet e forta të shërbimit të oftalmologjisë në Kosovë, mbi të cilat u ngrit Klinika e Oftalmologjisë e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Punoi si oftalmolog në Prizren dhe në Spitalin e Tiranës. Ai ishte Shef i Repartit të Syve në Spitalin e vjetër të Prishtinës, pastaj edhe në Spitalin e Përgjithshëm, ku punoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Prof. Dr. Gurkan Erdoğan, “Qasja Kirurgjikale Minimalisht Invazive për Sëmundjet e Komplikuara Vitreoretinale”.

“Ass. Prof. Dr. Shefqet Meha për Neurokirurgjinë”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Ass. Prof. Dr. Shefqet Meha. Ai ishte specialisti i parë i Neurokirurgjisë në Kosovë. Pas specializimit punoi në Klinikën e Kirurgjisë në Prishtinë dhe themeloi Repartin e Neurokirurgjisë. Gjatë kësaj kohe ishte edhe Asistent i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Duke ditur rrethanat në të cilën ndodheshim në vitet e 90’, ai largohet nga puna pa dëshirën e tij nga regjimi serb. Pas luftës, ai përsëri u kthye në Klinikën e Kirurgjisë dhe vazhdoi punën e tij deri në pensionim, përkatësisht deri në vitin 2001.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Krishnan Ganapathy, M Ch (Neurokirurgji) FACS FICS FAMS Ph.D, “Cilësia e Vdekjes në Praktikën Kirurgjikale: Një histori 50-vjeçare nga India”.

“Prof. Dr. Samedin Haxhijaha për Kirurgjinë Endoskopike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Samedin Haxhijaha. Ai ka qenë Kryeshef i Shërbimit të Pranimit dhe të Ambulancave Specialistike, dhe Asistent në Katedrën e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Ai ka themeluar Shërbimin për Diagnostikë dhe Terapi Endoskopike të Traktit Digjestiv të Klinikës së Kirurgjisë në Prishtinë. Prof. Dr. Haxhijaha, ka qenë edhe autor e bashkautorë i një numri të madh të punimeve shkencore në vend dhe në botë, si dhe inagurues i dy metodave origjinale në kirurgji për mjekimin e unguis incarnates halluces dhe të atheroma-s.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Kushtrim Shala, Dr. med., “20 vjet përvojë në Trajtimin e Kancerit të Zorrës së Trashë me Laparoskopi dhe në veçanti me SILS-Laparoskopi”.

“Prof. Dr. Musa Haxhiu për Hulumtime Shkencore”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Musa Haxhiu. Ai specializoi në degën Sëmundjet e Mushkërive. Ndërkaq, studimet posdiplomike i kreu në lëminë e Kardiologjisë. Ishte Dekan dhe Profesor Ordinar në Fakultetin e Mjekësisë, Kryetar i ASHA-s së Kosovës. Prof. Dr. Haxhiu formoi Institutin e Fiziologjisë Patologjike, në të cilin filluan punën eksperimentale kirurgët, gastroenterologët dhe specialistët e degëve të tjera të Mjekësisë Interne. Prof. Dr. Musa padyshim është eksperti më i cituar në literaturën shkencore botërore. Ai ka botuar disa tekste universitare dhe mbi 400 punime, kumtesa dhe ligjërime shkencore në të gjitha revistat me renome botërore.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik është ajo e Dr. Bashkim Kadriu, “Discovery of the Mechanisms and Biosignatures Underlying Rapid-Acting Treatment in Neuropsychiatry: Lessons Learned from Ketamine Discovery in Treatment-Resistant Mood Disorders”.

“Ass. Dr. Adnan Shabani për Kirugjinë Plastike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Ass. Dr. Adnan Shabani, Kirurg Plastik, Rekonstruktiv dhe Estetik. Me 1 Maj, 1978, ai ka themeluar repartin e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive në Prishtinë dhe prej asaj kohe deri më 15 Qeshor, 2003, ka qenë Kryeshef në Repartin e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive në Prishtinë. Në vitin 1978 është zgjedhur Asistent i lëndës së Kirurgjisë së Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Prej vitit 2003 deri në vitin 2009, Dr. Adnan Shabani, ka qenë Kryeshef i Shërbimit Ambulator në Klinikën e Kirurgjisë në Prishtinë.  Është autor dhe koautor i mbi 20 punimeve shkencore.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Lars-Peter Kamolz, MD,  “Përmirësimi i rezultateve funksionale, estetike dhe sociale të pacientëve që vuajnë nga djegie të rënda: Përvoja nga Qendra e Djegieve në Graz, Austri”.

“Prof. Dr. Safet Beqiraj për Kirurgjinë e Kancerit të Mushkërive”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Safet Beqiraj. Ai punoi në repartin e Kirurgjisë Torakale në Prishtinë prej vitit 1984 deri në vitin 1988. Në qershor të vitit 1999, kthehet në Klinikën e Kirurgjisë, te Reparti i Kirurgjisë Torakale, dhe ishte Udhëheqësi i parë i Qendrës Emergjente. Pos të tjerash Dr. Beqiraj, zgjidhet edhe Prodekan për Shëndetësi dhe Specializim në Fakultetin e Mjekësisë, Prishtinë. Gjatë viteve 2001-2002 ishte Drejtor Ekzekutiv në QKUK. Nga viti 2003 ka punuar në Klinikën Dr. Horst-Schmidt në Wiesbaden, Gjermani. Nga viti 2009 e tutje ishte udhëheqës i Kirurgjisë Onkologjike Torakale në Kerckhoff Klinik gGmbH, Bad Nauheim, Gjermani.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Tomaz Stupnik, “Kompetenca në rezeksionet kryesore pulmonare VATS”.

“Prof. Dr. Ali Zatriqi për Kirurgjine Onkologjike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Ali Zatriqi. Si Kirurg profesionist në Kosovë, i pari filloi të merret me Onkologji dhe Imunologji. Ai  formoi Repartin, Ambulancën dhe Laboratorin Onkologjik – Imunologjik, të vetmin në rajon, pranë Klinikës së Kirurgjisë dhe Ortopedisë. Në vitin 1977, krijoi kushtet për transplantim të indeve dhe organeve. Ai la librin e Kirurgjisë Luftarake, Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Speciale, me rreth 1500 faqe. Si njohës i gjuhëve të huaja, publikoi 200 punime shkencore në gjuhën angleze, frënge, serbe, dhe ruse.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Mert Erkan, “E vërtetë apo e rreme: Thyerja e miteve për kancerin e pankreasit”.

“Prof. Dr. Muhamed Guguli në Kirurgjinë e Gjirit”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Muhamed Guguli, Kirurg i Përgjithshëm. Në vitin 1969, zgjidhet Kryeshef i repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë zgjedhet Asistent i lëndës së Kirurgjisë dhe fillon punën në repartin e Kirurgjisë Torakale në vitin 1976. Në vitin 1982, zgjedhet docent i lëndës, ndërsa në vitin 1987 merr titullin Profesor Inordinar. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe seminare duke botuar 58 punime shkencore si autor dhe koautor, si dhe një monografi me titullin “Ekzaminimi bronkologjik dhe mjekimi kirurgjik i bronkiektazieve”.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Bedri Osmani,  “Tendencat në Menaxhimin Kirurgjik të Kancerit të Gjirit – rishikim literature”.

“Prof. Dr. Sehadete Mekuli për Kirurgjinë Gjinekologjike dhe Obstetrike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Sehadete Mekuli, Gjinekologe dhe Obstetre. Më 1 Prill 1954, filloi punën në Spitalin e Prishtinës si gjinekologe dhe obstetre. Ndërkaq, nga viti 1960 e deri më 1962 ishte Shefe e Pavijonit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin e Prishtinës, rol në të cilin kthehet sërish më 1968. Prof. Dr. Sadete Mekuli ka marrë pjesë në themelimin e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës dhe drejtoi botimin e “Praxis Medica”, një reviste mjekësore. Ndër të tjera, Prof. Dr. Mekuli, ka publikuar 31 artikuj në revistën mjekësore.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Sahadete Shala,  “Lëndimet Jatrogjene gjatë Lindjes me Prerje Cezariane”.

“Prof. Dr. Emine Gashi për Kirurgjinë Gjinekologjike dhe Obstetrike”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Emine Gashi, Gjinekologe dhe Obstetre. Pas diplomimit kthehet në vendlindje dhe punësohet si mjeke në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren. Më pas punësohet në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit deri në vitin 1971. Po këtë vit u zgjodh Asistente e lëndës Gjinekologji me Obstetrikë në Fakultetin e Mjekësisë, Prishtinë. Në vitin 1974 emërohet Kryeshefe e repartit të Obstetrikës të kësaj Klinike, ku edhe punon deri në gusht të vitit 2000.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Prof. Ass. Dr. Brikenë Dacaj Elshani, “Studim retrospektiv mbi lokalizimin dhe trajtimin e shtatzënive ektopike në Klinikën Gjinekologjike dhe Obstetrike në Kosovë”.

“Prof. Dr. Talat Pallaska dhe Prof. Dr. Besim Sllamniku për Kirurgjinë ORL”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Dr. Tallat Pallaska. Specializoi për sëmundjet e veshit, hundës dhe fytit, më 1964 në Beograd, në Klinikën e Otorinolaringologjisë dhe të Kirurgjisë Cervikale. Në këtë vit u kthye në Prishtinë dhe u zgjodh shef i repartit të ORL-së në Spitalin e Përgjithshëm. Shumë vite me radhë udhëheqi Repartin, duke shkolluar kuadra të rinj shqiptarë për sëmundjet e veshit, hundës dhe fytit. Në vitin 1972 u zgjodh Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë, ku për meritat që kishte mori titullin “Primarius”. Talat Pallaska ishte nxitës dhe aktivist i hapjes së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, i cili filloi punën në vitin 1969. Ai ka botuar më shumë se 85 punime shkencore.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Deniz Tuna Edizer, “Implantimi Koklear”.

“Prof. Dr. Talat Pallaska dhe Prof. Dr. Besim Sllamniku për Kirurgjinë ORL”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Dr. Besim Sllamniku, Kirurg i ORL-së. Në vitin 1974 bëri laringektominë e parë totale në Kosovë. Në vitin 1976 ai kaloi 6 muaj në Institutin Karolinska, në Stokholm të Suedisë ku përfundoi një pjesë të disertacionit të doktoraturës. Në 1987-1988 ai qëndroi një vit si bursist Fullbright në Universitetin e Uashingtonit, St. Luis MO, SHBA. Gjatë asaj periudhe ai botoi më shumë se 130 botime profesionale dhe shkencore. Libri i tij i parë ishte Otorinolaringologija – dhe u botua nga Katedra e ORL-së Zagreb, Rijekë, Prishtinë. Dr. Sllamniku ka qenë Profesor Ordinar në ORL – kirurgji e kokës dhe qafës. Ndërsa nga viti 1999-2015 ka qenë kryetar i Shoqatës së Onkologjisë së Kosovës.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Deniz Tuna Edizer, “Implantimi Koklear”.

“Prof. Dr. Ymer Aliu për Kirurgjinë Minimale Invazive”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Ymer Aliu, Kirurg i Përgjithshëm. Ishte themeluesi kryesor i Qendrës Laparaskopike në QKUK pranë Klinikës së Kirurgjisë. Prof. Aliu ka qenë Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë në kuadër të QKUK-së dhe në atë mandat realizoi projektin e Kardiokirurgjisë Pediatrike, projekt i cili funksionon edhe sot. Me iniciativën e Dr. Aliut, hapet poliklinika ne qytetin e Preshevës për ofrimin e shërbimeve kirurgjike dhe gjinekologjike me mjekë nga Prishtina. Ka të publikuara mbi 27 punime shkencore dhe profesionale nëpër revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si autor dhe bashkautor.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Prof. Dr. Rexhep Selmani, “Kolecistektomia laparoskopike e hershme kundrejt atyre të vonuara për kolecistitin akut; faktorët parashikues për konvertim”.

“Prof. Dr. Osman Sejfija për Kirurgjinë Maksillofaciale”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Osman Sejfija, Kirurg i njohur Maksilofacial dhe Oral me mbi 37 vjet përvojë, i specializuar në trajtimin e kushteve komplekse të fytyrës dhe zgavrës së gojës. Ai ka shërbyer si Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale dhe Orale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe ka kontribuar në kujdesin për mbi 2000 pacientë me tumore në fytyrë dhe mijëra të tjerë me infeksione dhe trauma. Rruga e tij akademike përfshin një doktoraturë në Stomatologji nga Universiteti i Prishtinës, ku tani mentoron kandidatë për doktoraturë në kirurgji maksilofaciale.  Ai ka marrë pjesë në kongrese dhe simpoziume të shumta në mbarë Evropën dhe njihet për përkushtimin e tij në avancimin e kirurgjisë maksilofaciale përmes praktikës klinike dhe edukimit.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Lumnije Kqiku-Biblekaj, MD, DDS, Ph.D., “Traumatologjia Dentare: Zgjidhjet kirurgjike”.

“Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri: Frontierët në Kirurgji”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri, figurë pioniere në mjekësinë dhe kirurgjinë shqiptare, duke qenë kirurgu i parë shqiptar në ish-Jugosllavi. Ai luajti një rol kyç në themelimin e Shkollës së Mesme Mjekësore në Mitrovicë dhe ishte një nga ligjëruesit e parë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Përkushtimi i Dr. Haxhibeqirit shtrihej edhe në fushën e kirurgjisë torakale, ku arriti një sërë suksesesh, përfshirë kryerjen e operacionit të parë të suksesshëm të zemrës së hapur nga një shqiptar. Si drejtor i Spitalit Rajonal të Mitrovicës, ai rriti ndjeshëm përfaqësimin e shqiptarëve në pozitat shëndetësore. Gjatë karrierës së tij, ai publikoi mbi 45 punime profesionale dhe përfaqësoi Kosovën në kongrese ndërkombëtare kirurgjike në mbarë botën.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Prof. Dr. Rifat Latifi, “Diplomacia Mjekësore dhe Qendrat Klinike të Ekselencës si Strategji për Zbutjen e Neokolonializmit Mjekësor dhe Pabarazisë Kirurgjike në Vendet në Zhvillim të Pas konfliktit: Shembulli i Republikës së Kosovës”.

“Prof. Dr. Sadri Bajraktari për Humanizmin dhe Kirurgjinë Vaskulare”

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Sadri Bajraktari, Kirurg i Përgjithshëm dhe Kirurg Vaskular, Profesor i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Luftarake. Profesor Bajraktari i takon gjeneratës së artë të kirurgëve të Kosovës të cilët i kanë vendosur themelet e Klinikës së Kirurgjisë dhe të Fakultetit të Mjekësisë. Pas pensionimit është nderuar me titullin Profesor Emeritus i Universitetit të Prishtinës. Është autor dhe koautor i shumë punimeve shkencore. Në vitin 2003 ka botuar librin universitar “Sëmundjet e venave”. Ka qenë kryeredaktor i parë i revistës “Kosova Journal of Surgery” – botim i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Për kontributin e dhënë në shërbimin shëndetësor, arsim dhe shkencë, Profesor Bajraktari është dekoruar me shumë mirënjohje.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Hassan Al-Thani, “Ruptura aneurizmale e aortës abdominale: Faktori i rrezikut dhe parashikimi”.

“Prof. Dr. Xhemil Bytyqi për Urologjinë

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Xhemil Bytyçi, njëri ndër urologët më të njohur të Kosovës. Është i frytshëm në punën pedagogjike, shkencore e klinike. Ka marrë pjesë në shumë kongrese, seminare e simpoziume shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar. Ka të botuar mbi 110 artikuj, kumtesa, studime e punime në revistat e specializuara profesionale nga fusha e urologjisë dhe e kirurgjisë. Në këtë institucion mjekësor dhe arsimor punoi deri në kohën e pensionimit në vitin 2006. Edhe pas pensionimit vazhdoi ta kryejë me kompetencë të plotë etike-profesionale punën e mjekut specialist-urolog në Klinikën private “Uropriz” të Prizrenit dhe ende vazhdon punën si profesor i urologjisë në Spitalin privat “Aloka” dhe në Spitalin Special Urologjik “Vita – Hospital” në Prishtinë.  Prof. dr. Xhemil Bytyçi ishte për shumë vite pedagog i rregullt i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me gradën më të lartë – profesor ordinar.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Bujar Frangu, “OGG1 rs2304277 Polimorfizmi i gjenit në kancerin e fshikëzës”.

“Prof. Dr. Salih Krasniqi për Pionierët e Laparoskopisë në Kirurgji

Kjo ligjëratë është emërtuar pas Prof. Dr. Salih Krasniqi, Kirurg i Përgjithshëm. Ka qenë Asistent i autorizuar i lëndës së kirurgjisë (1996- 2011) në Klinikën e Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ka qenë mësimdhënës i kirurgjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës në FSHMN nga viti 2008 deri më 2010. Që nga janari i vitit 2014 është Pedagog i lëndës së Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, dega në Kukës. Ka qenë Këshilltar Komunal i Kuvendit Komunal të Prishtinës në periudhën 2009-2013. Ka qenë Drejtor mjekësor në QKUK nga 2010 deri më 2011. Është nënshkrues dhe shpërndarës i Apelit të 215 intelektualëve të Kosovës. Ka qenë pjesëmarrës dhe bashkëkoordinator i 7 (shtatë) Spitaleve Ushtarake në tri luftërat në trojet shqiptare: Kosovë, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në Maqedoni- Likovë (1998-2001). Është autor dhe bashkautor autor i nëntë librave dhe i mbi 30 punime shkencore dhe profesionale brenda dhe jashtë vendit.

Ligjërata e përzgjedhur për ligjëratë të emërtuar në Kongresin e Tretë Klinik ishte ajo e Dr. Demetrius Litwin, “Riparimi laparoskopik i hernies vs riparimi i hernisë së hapur”.

Registration

Forgotten Password?