Prof. Dr. Adem Limani

Prof. Dr. Adem Limani lindi më 13 shkurt 1953 në fshatin Nesalcë të Bujanocit. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua si doktor i mjekësisë në vitin 1978. Pas diplomimit, ai vazhdoi magjistraturën në Universitetin e Zagrebit (1979–1982) ndërsa më pas specializoi në fushën e otorinolaringologjisë-Kirurgji e Kokës dhe Qafës, po ashtu në Zagreb. Studimet e Doktoratës i përfundoi në Universitetin e Prishtinës në vitin 1988, me hulumtime të kryera në Zagreb, Ljubljanë dhe Prishtinë.

Karriera e tij akademike u zhvillua brenda Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, ku shërbeu si asistent (1979–1988), docent (1988–1994), profesor i asociuar (1994–2000) dhe profesor i rregullt (2000–2019). Ai ishte një ndër figurat kyçe të Fakultetit të Mjekësisë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mësimdhënie, kërkime shkencore dhe zhvillimin institucional të këtij fakulteti.

Përveç punës akademike, Prof. Dr. Adem Limani ishte njëri nga iniciatorët e sistemit paralel të edukimit shëndetësor në Kosovë (1990). Ai shërbeu si Ministër i Shëndetësisë Punës dhe Politikës Sociale (gjatë viteve 1991–1999). Në këtë rol, u bë një nga figurat kyçe në organizimin e sistemit paralel të edukimit dhe shëndetësisë duke siguruar specializime për mjekët kosovarë dhe vazhdimësi profesionale përmes bashkëpunimit me institucionet shëndetësore në Shqipëri, si dhe u angazhua për të reformuar strukturën dhe shërbimet e Klinikës se ORL në QKUK.

Prof. Limani mbajti edhe pozita të rëndësishme brenda institucioneve shëndetësore dhe akademike në Kosovë: ishte shef i Katedrës së Otorinolaringologjisë në Fakultetin e Mjekësisë (1994–2012), Prodekan i Fakultetit të  Mjekësisë (2004) dhe drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (2007–2012). Po ashtu, ai shërbeu si kryetar i Shoqatës së Otorinolaringologjisë dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës të Kosovës nga viti 2003 deri në vitin 2019.

Puna e tij nuk u ndal vetëm në nivel kombëtar. Ai ishte anëtar aktiv i organizatave prestigjioze ndërkombëtare si Balkan Society of ENT–Head & Neck Surgery (2006–2019), American Academy of Otolaryngology – Head & Neck Surgery (2007–2019) dhe European Head & Neck Society (2009–2019), duke përfaqësuar me dinjitet shkencën kosovare në arenën ndërkombëtare.

Kontributi i tij shkencor përfshin dhjetëra punime të botuara në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare, si dhe dy tekste universitare që mbeten referenca të rëndësishme për studentët e mjekësisë: “Histologjia e njeriut” (1999) dhe “Otorinolaringologjia, Kirurgjia e Kokës dhe Qafës” (2003).

Prof. Dr. Adem Limani ndërroi jetë më 8 prill 2019 në Prishtinë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur profesionale, akademike dhe njerëzore. Ai do të kujtohet si një nga figurat më të shquara të mjekësisë si një mjek i përkushtuar, pedagog i jashtëzakonshëm, drejtues vizionar dhe shërbyes i palodhur i shëndetit publik.

Registration

Forgotten Password?