Prof. Dr. Binak S. Kastrati, MD. PhD, mjek, obstetër gjinekolog, doktor i shkencave, profesor Binak Selim Kastrati, u lind me 01.08. 1938 në Dobërdol të Pejës. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pejë. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Beogradit, në vitin 1964. Me të përfunduar studimet kthehet në Pejë. Dr. Binaku ishte ndër mjekët e parë shqiptarë të regjionit të Pejës. Specializimin për gjinekologji me obstetrikë e kreu në Fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Zagrebit. Pas përfundimit të specializimit kthehet sërish në Pejë dhe ishte gjinekologu i parë shqiptar.
Në vitin 1968-1969 ishte deputet i Kuvendit të KSA të Kosovës, ku së bashku me disa deputetë të tjerë iniciuan hapjen e Fakultetit të mjekësisë në Prishtinë, nga që aso kohe gjendja shëndetësore e popullatës së Kosovës ishte shumë e rëndë. Në tërë Kosovën punonin vetëm 59 mjekë shqiptar. Më pas angazhohet mësimdhënës në Fakultetin e mjekësisë në Prishtinë. Në vitin 1973 punësohet në Klinikën Gjinekologjike–Obstetrike të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasdiplomike i vijoi në Universitetin e Beogradit. Në Fakultetin e mjekësisë të Prishtinës doktoroi në nëntor të vitit 1985, ku njëherit zgjidhet docent i lëndës gjinekologji-obstetrikë. Më pas zgjidhet profesor inordinar. Ishte nënshkrues i Apelit 215 të intelektualëve të Kosovës. Ka qenë prodekan për mësim i Fakultetit të mjekësisë shqiptare (1991-1997). Ka qenë Kryetar i Shoqatës së mjekëve shqiptarë të Kosovës prej vitit 1990 e deri në vitin 1999. Në vitin 1990 pushteti serb e largoi me dhunë nga puna. Gjate gjithë kohës shte aktiv në sensibilizimin e çështjes shqiptare duke e përfaqësuar Kosovën në forume të vendosjes në Evropë e më gjerë. Në vitin 1990 kishte hapur Poliklinikën obstetriko-gjinekologjike dhe anatomo-atologjike “Besa”, e cila u shndërrua në institucion arsimor, ku studentët shqiptarë ushtronin gjinekologjinë dhe anatominë patologjike. Në vitin 1996 ka dhënë kontribut në hapjen e Maternitetit “Nëna Terezë” në Prishtinë, maternitet në të cilën ishin kryer mbi 13000 lindje dhe mbi 1000 ndërhyrje kirurgjike dhe të gjitha shërbimet ishin kryer falas. Gjatë luftës çlirimtare të Kosovës u angazhua në organizimin e ekipeve mjekësore për kujdes ndaj popullatës dhe të plagosurve. Në qershor të vitit 1999 rikthehet në KGJO të Fakultetit të mjekësisë, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm në ringritjen e punës profesionale dhe shkencore. Prof. Binaku me punën e vet profesionale dhe angazhimin në çështjen kombëtare ka motivuar breza të tërë të mjekëve në Kosovë. Prof. Binaku do të ngelet në kujtesë historike të mjekësisë kosovare si mjek, humanist, guximtar, atdhetar i dëshmuar, ekspert i devotshëm dhe profesor i shumë brezave të mjekëve dhe specialistëve. Vdiq në Prishtinë më 1 janar të vitit 2020.