Prof. Dr. Nusret Pllana

Prof. Dr. Nusret Pllana shkollën filloren e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin dhe Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Një kohë të gjatë është marrë me veprimtari kulturore-artistike. Në vitin 1984 themeloi Ansamblin Artistik ,”Hasan Prishtina”, të Prishtinës, të cilin e udhëhoqi deri më 1996. Derisa ndiqte studimet pasuniversitare të ekonomisë në Zagreb, me të kthyer në Kosovë, më 1986 burgoset për veprimtari patriotike ilegale dhe dënohet me gjashtë vjet burgim të rëndë, nga të cilat i vuan pesë. Pas daljes nga burgu themelon Ndërmarrjen private për prodhimin e qilimave Teuta në Prishtinë. Ndërkaq, më 1994 burgoset për të dytën herë, por kësaj radhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës. Ishte pjesmarrës i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe folësi i parë i Radios ”Kosova e lirë”.

Pas kthimit nga lufta, ishte redaktor përgjegjës i Radios ”Kosova e lirë”. Prof. Dr. Nusret Pllana Ishte zëvendës ministër dhe ministër i kulturës i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës 1999-2000, ai po ashtu,  ka udhëhequr sektorin e Arkivit të UÇK-së nga viti 2002-2006.

Aktualisht është ligjërues i Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës në Shkup dhe Tetovë. Ka magjistruar në Tiranë, në vitin 2005, me temën Masakrat serbe në Kosovë 1989-1997. Ka doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, më 1 Shtator 2009, me temën: Intervenimi i NATO-s në Kosovë, në departamentin e shkencave politike dhe administrimit publik. Në vitin 2011 i botohet në gjuhën angleze, libri, NATO Intervention in Kosova, me recensentët: Ambasadorin amerikan William G.Walker, Prof.dr.Christopfer G.L.Hall dhe Prof.Julia Norrgard.

Libri i tij The Terror of Invading Serbia over Albanians 1844-1999,  i përkthyer në tetë gjuhë dhe Libri i tij Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999, ka arritë të futet në Bibliotekat më të njohura evropiane e botërore, si: në Bibliotekën Botërore të Kongresit Amerikan, në Bibliotekën Botërore Victoria të Australisë, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Bibliotekën Botërore të Bajernit të Gjermanisë, në Akademinë Ushtarake të Bundesverit gjerman, në Tribunalin e Hagës, në Bibliotekën Botërore të Britanisë së Madhe në Londër.

Registration

Forgotten Password?