Prof. Dr. Violeta Zatriqi

Prof. Dr. Violeta Zatriqi  është një nga pionieret e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike në Kosovë. Ajo ka një karrierë të gjatë dhe të spikatur në fushën e mjekësisë, me përvojë të gjerë në kirurgji dhe udhëheqje të klinikave mjekësore.

Pas përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ajo përfundoi specializimin në Kirurgjinë Plastike në të njëjtin universitet. Me synimin për të avancuar më tej në këtë fushë, ajo kreu studimet pasdiplomike (Master) në Universitetin e Prishtinës dhe përfundoi doktoratën në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Ky arsim i thelluar e pajisi me njohuritë dhe aftësitë për të bërë ndryshime të mëdha në kirurgjinë plastike në Kosovë.

Dr. Zatriqi ka shërbyer si Kryetare e Shoqatës së Kirurgëve Plastik, Rekonstruktiv dhe Estetik të Kosovës (SH.K.P.R.E.K.) nga viti 2002 deri në vitin 2022, duke luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin e simpoziumeve dhe kongreseve ndërkombëtare. Si shefe e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike në Prishtinë, dhe më vonë si drejtoreshë e Klinikës së Kirurgjisë Plastike në QKUK, ajo ka kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve mjekësore në vend. Ajo është kirurgia e parë që, pas 25 vitesh, ka nisur realizimin e rekonstruksionit estetik për gratë e pambrojtura pasluftës. Dr. Zatriqi ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën akademike si profesoreshë në Kolegjin Mjekësor “Rezonanca” që nga viti 2018.

Përveç karrierës së saj në institucione publike, ajo ka udhëhequr dhe ka punuar për 25 vite në Poliklinikën “Zatriqi”, e cila ka qenë një qendër kyçe për kirurgjinë plastike dhe estetike në Kosovë. Dr. Zatriqi është gjithashtu themeluese e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe anëtare e bordit. Ajo ka shërbyer si mentore dhe udhëheqëse për specializantët e Kirurgjisë Plastike, duke formuar gjeneratën e ardhshme të kirurgëve në vend.

Në fushën e kërkimeve shkencore, ajo është autore dhe bashkëautore e shumë publikimeve të cilat kanë qenë të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo është gjithashtu iniciatore dhe ideatore e projektit për ndërtimin e qendrës për djegie në Kosovë, një projekt jetik për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve me djegie.

Dr. Zatriqi është një figurë e njohur ndërkombëtarisht dhe anëtare e disa organizatave prestigjioze, si Asociacioni i Mjekëve të Kosovës, Asociacioni i Kirurgëve të Kosovës, Mediterranean Council for Burns and Fire Disasters (MBC), dhe European Burn Association (EBA).

Me një përkushtim të thellë për pacientët dhe zhvillimin e kirurgjisë plastike në Kosovë, Prof. Ass. Dr. Violeta Zatriqi vazhdon të luajë një rol kyç në fushën mjekësore dhe akademike.

Ajo flet disa gjuhë si: Gjuhën Angleze, Gjuhën Turke, Gjuhën Angleze dhe Serbo-Kroate.

Registration

Forgotten Password?