TRYEZA SHKENCORE PËR KANCERIN E REKTUMIT: BASHKËPUNIM SHUMËDISIPLINAR PËR TRAJTIM EFEKTIV

Prishtinë, 19 qershor 2025

Komiteti për Kancerin i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës (KKK) organizoi me sukses Tryezën Shkencore për Kancerin e Rektumit, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi së bashku profesionistë të fushave të ndryshme mjekësore për të diskutuar qasjet bashkëkohore në trajtimin e kësaj sëmundjeje të përhapur.

Në hapje të tryezës, Dr. Sadik Llullaku, Drejtor Ekzekutiv i KKK, prezantoi aktivitetet e zhvilluara deri më tani të Kolegjit, si dhe planet për vitin në vazhdim. Ai theksoi kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Dr. Rifat Latifit, Kryetarit Themelues të KKK, në zhvillimin e institucionit. Po ashtu, u theksua rëndësia e Kongresit të 5-të Klinik të KKK, i cili sivjet do të përfshijë për herë të parë Kongresin Klinik të Përbashkët të Kirurgëve Shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe mërgata.

Tryeza shkencore përfshiu 10 ligjërata profesionale, që trajtuan aspekte të ndryshme të menaxhimit të kancerit të rektumit, i cili përbën kancerin e tretë më të shpeshtë në Kosovë për nga incidenca dhe vdekshmëria.

Pikat kryesore të ligjëratave ishin:

  • Dr. Ali Devaja: Epidemiologjia, simptomatologjia dhe rëndësia e skriningut për zbulimin e hershëm të sëmundjes.
  • Dr. Valon Zejnullahu: Roli qendror i kolonoskopisë si metodë diagnostike dhe terapeutike.
  • Dr. Edmond Islamaj: Vlera e ultratingullit endoskopik në përcaktimin e stadit të sëmundjes, me shembuj praktikë.
  • Dr. Shkëndije Nuza: Përdorimi i imazherisë moderne në Klinikën e Radiologjisë dhe institucionet private.
  • Dr. Merita Hashani: Diagnoza histopatologjike si bazë për përcaktimin e trajtimit të personalizuar.
  • Prof. Dr. Astrit Hamza: Përvoja në kirurgjinë tradicionale të hapur për kancerin e rektumit.
  • Prof. Dr. Ymer Durmishi: Avantazhet dhe sfidat e kirurgjisë minimale invazive – laparoskopisë dhe robotikës.
  • Dr. Rilind Zenelaj (Gjermani): Qasja kirurgjike ndaj pacientëve me metastaza hepatike.
  • Ass. Dr. Ilir Kurtishi: Protokollet bashkëkohore të trajtimit onkologjik në Klinikën e Onkologjisë.
  • Dr. Dorina Berberi Paloji: Radioterapia si pjesë e trajtimit multidisiplinar dhe përvojat praktike në Kosovë.

Diskutimet pas ligjëratave nxorën në pah nevojën urgjente për institucionalizimin e Tumor Bordeve shumëdisiplinare, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet profesionistëve nga të gjitha fushat për të përmirësuar rezultatet në trajtimin e pacientëve me kancer të rektumit.

Kjo tryezë me 54 pjesëmarrës ishte edhe një dëshmi e përkushtimit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për avancimin e trajtimit të kancerit në Kosovë dhe forcimin e rrjetit profesional ndërshqiptar në fushën e kirurgjisë dhe onkologjisë.

Registration

Forgotten Password?