U SHËNUA 7 VJETORI I THEMELIMIT TË KOLEGJIT TË KIRURGËVE TË KOSOVËS

Të mërkurën, më 17 dhjetor 2025, në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, me krenari shënuam 7 vjetorin e themelimit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.


– Ceremonia u moderua nga Dr. Mentor Gorani, Drejtor i Bordit të KKK-së, ndërsa programi u hap me një video-prezantim të arritjeve të Kolegjit nga themelimi deri më sot, duke reflektuar punën, rritjen dhe ndikimin e tij në edukim, trajnim dhe standarde profesionale.
Nga një grusht themeluesish vizionarë që u takuan më 17 dhjetor 2018, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Rifat Latifi, sot Kolegji është rritur në më shumë se 1000 anëtarë, duke bashkuar kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe mërgata, dhe që nga fillimi nën përkrahjen e fondacionit nga SHBA, International Virtual e-Hospital dhe në bashkëpunim të ngushtë me Kolegjin Amerikan të Kirurgëve. Vetëm përgjatë shtatë viteve, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është bërë gurthemel i edukimit, kërkimit dhe bashkëpunimit kirurgjikal.
Kolegji tashmë ka krijuar një portofol të pasur programesh edukative, duke përfshirë kurse, trajnime dhe punëtori për kirurgë, specializantë dhe studentë mjekësie. Kolegji është njohur nga familja e kolegjeve ndërkombëtare të kirurgëve në të gjithë botën dhe tashmë është ofrues i kursit ATLS të aprovuar nga Komiteti për Traumën i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve.
Në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional, organizimi i kongresit vjetor është aktiviteti jonë kulmor. Kësisoj Kolegji ka organizuar pesë kongrese vjetore, duke mirëpritur më shumë se 4000 pjesëmarrës, 700 ligjërues dhe gati 1000 prezantime. Gjersa sivjet, nga 25-28 Shtator, Kolegji mbajti Kongresin e Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë, moment ky historik që mblodhi në një vend mbi 1200 pjesëmarrës, 219 ligjërues nga elita e kirurgjisë botërore, si dhe nga të gjithë trevat shqiptare dhe mërgata, dhe ku u prezantuan mbi 300 ligjërata të nivelit botëror.
Për të nderuar ata që hodhën themelet e kirurgjisë kosovare dhe shqiptare, gjatë Kongreseve tona për çdo vit jepen 40 Ligjërata të Emërtuara sipas emrave të profesorëve dhe kirurgëve të shquar kosovarë.
Gjatë dy viteve të fundit, Kolegji po zgjeron degët e tij në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, duke bashkuar kështu kirurgët shqiptarë. Këto degë po e forcojnë Kolegjin përmes pjesëmarrjes në komitete, si dhe përmes organizimit dhe pjesëmarrjes në seminare, simpoziumeve të veçanta, kurseve profesionale, dhe kongreseve vjetore, duke u bërë platformë konkrete për kthimin e trurit për kirurgët shqiptarë nga mërgata.
– Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Dr. Osman Zhuri, Kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, i cili prezantoi vizionin dhe objektivat strategjike për të ardhmen e Kolegjit, duke përfshirë ato më kryesoret si: Konsolidimin e rolit të KKK-së si institucion ombrellë dhe autoritet profesional në kirurgji; Avancimin e edukimit kirurgjikal dhe trajnimit të vazhdueshëm profesional; Fuqizimin e kërkimit shkencor dhe botimeve akademike; Forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar; Angazhimin edhe më të madh të mërgatës në aktivitetet e Kolegjit; Mbështetjen për brezin e ri të kirurgëve dhe specializantëve; dhe tashmë projektin më të rëndësishëm të nisur, atë të Zhvillimit të Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës.
– Prof. Dr. Rifat Latifi, Kryetar Themelues/President Emeritus i KKK-së, prezantoi punët që po bëhen për ngritjen e Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK), si një hap kyç drejt zhvillimit modern të edukimit kirurgjikal në Kosovë dhe rajon.
Për këtë qëllim, Kolegji në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Mjekësor të Gracit, dhe me partnerët tjerë me të cilët kanë filluar bisedimet, do të fillojë ndërtimin QKSTK, e cila do të përfshijë Laboratorin e Simulimit Mjekësor dhe Kirurgjikal, Laboratorin e Trajnimit të Avancuar Laparoskopik dhe Artroskopik, Programin e Telemjekësisë dhe Telekirurgjisë, Njësinë e Edukimit për Traumën dhe Emergjencat, Zyrën e Udhëzimeve dhe Protokolleve, një Njësi Kërkimore Klinike dhe hapësirën për Kosova Journal of Surgery dhe botimet e saj.
Prof. Latifi gjithashtu prezantoi edhe punën e Kosova Journal of Surgery, revistës tonë shkencore e cila po qëndron si simbol i progresit akademik në Kosovë. Me 8 numra të botuar dhe 111 punime deri më tani, ajo është bërë urë që e çon shkencën kirurgjikale të Kosovës në skenën botërore.
Duke filluar nga viti 2026, ne do të botojmë 4 numra në vit me më shumë se 60 punime shkencore, ndërsa dy nga këto numra do të jenë recensione të fokusuara në temat aktuale kirurgjikale.
Krahas saj, Kolegji ka publikuar dymbëdhjetë numra të Buletinit, me katër botime të reja të planifikuara çdo vit ku po shpaloset historia e Kolegjit dhe punët e vazhdueshme të kirurgjisë në Kosovë.
– Ceremoninë e përshëndeti edhe Prof. Dr. Arben Beqiri, Nënkryetar i KKK-së për Shqipëri, i cili shprehi nderin dhe kënaqësinë e vecantë që është pjesëmarrës në këto arritje monumentale të KKK-së për kaq pak vite. Prof. Beqiri gjithashtu veçoi planifikimet që po bëhen për Kongresin e Dytë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë, që do të mbahet në Tiranë, nga 22 deri 24 Tetor 2026.
– Për një nga aktivitetet kryesore të Kolegjit gjatë viteve të fundit foli Prof. Ass. Dr. Baton Kelmendi, Kryetar i Komitetit për Traumë, i cili prezantoi raportin mbi kursin ATLS në Kosovë që ofrohet nga ky komitet i KKK-së, duke spjeguar dobinë praktike që kursi ATLS po e dëshmon, dhe që po shpie drejt standardizimit të kujdesit për traumë në vendin tonë. Dr. Kelmendi shtoi se Kolegji do të punojë me të gjitha autoritetet relevante që kursi ATLS të bëhet i obligueshëm.
 Në këtë ceremoni u ndanë edhe dy çmime të KKK-së:
• Çmimi për Arritje Jetësore “Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri” për Dr. Sali Qerimi, kirurg ORL, si mirënjohje për kontributin e tij të madh në zhvillimin e mjekësisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut,
• Çmimi për Partneritet të Shkëlqyer për Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë së Kosovës, i cili iu dorëzua Drejtorit të QKTK, Dr. Ismet Lecaj, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe përkrahjen e madhe në realizimin e shumë aktiviteteve të KKK-së.
Në fund, falënderojmë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit, bashkëpunëtorët dhe partnerët tanë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe sponsorin e këtij takimi, CFO Pharma.

Registration

Forgotten Password?