Letra e Kryetarit Prof. Dr. Rifat Latifi, për Buletinin e KKK-së, edicioni Prill 2024

Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës

Rifat Latifi, MD, FACS, FKCS

Angazhimi i Diasporës Kirurgjike Shqiptare në Transformimin e Kirurgjisë së Kosovës dhe përtej:

Takimi Historik në Dyseldorf, Gjermani

 

Abstrakt

Në takimin nismëtar të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës me diasporën kirurgjike shqiptare në Dyseldorf, Gjermani, më 23 mars 2024, morën pjesë një numër i konsiderueshëm kirurgësh entuziastë, ndërsa në takim u manifestua edhe pranimi i strategjisë vizionare për transformimin e sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës, duke bërë kthimin e trurit. Çdo kirurg, disa prej të cilëve kishin udhëtuar mijëra kilometra ose më shumë për të qenë prezent, ishin të etur dhe të gatshëm për të kontribuar në këtë rrugëtim transformues, dhe u mblodhën për të bashkëpunuar përmes platformës së Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Gjatë këtij takimi të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës me diasporën kirurgjike shqiptare në Dyseldorf, ne shpalosëm një strategji transformuese për sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës gjatë 5-10 viteve të ardhshme (shih prezantimin). Pikat kryesore që iu prezantuan audiencës, pas një prezantimi të shkurtër të arritjeve të pesë viteve të fundit, ishin alfa dhe omega bazë e transformimit përmes propozimit të dy projekteve madhore: 1) Qendra e Simulimit, Edukimit dhe Trajnimit dhe Kërkimeve të Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe 2) Themelimi i Qendrës Onkologjike të Kosovës.

Gjatë takimit ishte mbizotëruese energjia kolektive dhe ekspertiza e kirurgëve të mbledhur që nënvizuan vizionin e përbashkët për rritjen e ofrimit të kujdesit shëndetësor, si dhe dëshirën dhe vullnetin e thellë për të promovuar përsosmërinë në kujdesin ndaj pacientit. Për më tepër, gatishmëria e tyre për t’u angazhuar dhe mbështetur drejtimin strategjik të përcaktuar në parimet dhe projektet konkrete të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, nënkupton përpjekjen e unifikuar drejt arritjes së reformave gjithëpërfshirëse dhe transformuese të kujdesit shëndetësor në Republikën e Kosovës. Historia e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës një ditë do ta shënojë me krenari se ky takim historik u zhvillua në Dyseldorf, ku kirurgët shqiptarë të diasporës duke punuar së bashku me KKK-në u pajtuan që të ndihmojnë atdheun në nevojë të madhe, dhe ranë dakord si një jehonë e unifikuar: “Besa-Besë, ne do të bëhemi pjesë e transformimit dhe do ta udhëheqim atë”.

 

Hyrje

Eksodi i kirurgëve dhe mjekëve të tjerë shqiptarë nga Republika e Kosovës jashtë vendit, veçanërisht në vendet evropiane ka qenë mjaft i vërejtshëm. Megjithatë, në të njëjtën kohë ne kemi parë shumë individë që janë caktuar si udhëheqës të shquar në fushat e tyre përkatëse brenda institucioneve dhe pozitave jashtë vendit. Gjermania ka ndoshta numrin më të madh të kirurgëve shqiptarë jashtë Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këta kirurgë, të pajisur me përvojë dhe ekspertizë të pasur, janë përpjekur të kthehen dhe të kontribuojnë në avancimin e praktikave kirurgjikale në Kosovë, megjithatë, përpjekjet e tyre për t’u kthyer dhe për të ofruar ndihmë shpesh janë perceptuar si kërcënim nga udhëheqja e institucioneve vendore, si në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ashtu edhe në Fakultetin e Mjekësisë, e gjithashtu edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, duke rezultuar me mënjanimin e tyre nga rolet udhëheqëse dhe proceset vendimmarrëse, ose thjesht nuk u pranuan dhe u kthyen të zhgënjyer. Megjithatë, shumica donin vetëm të kontribuonin si vullnetarë, siç ishte rasti me autorin e këtij artikulli, por nuk u lejuan duke u vendosur pengesa si licencimi dhe të tjera, përpos nëse bëheshin punonjës për spitalet e tyre private. Ky model fatkeq i rezistencës dhe refuzimit ndaj kirurgëve të diasporës nga institucionet vendore jo vetëm që ka mbytur potencialin për kthimin e trurit, bashkëpunimin dhe ndarjen e njohurive, por gjithashtu ka penguar përparimin e iniciativave të kujdesit shëndetësor brenda Kosovës dhe ka lejuar të vendoset procesi i neo-kolonializmit në Kosovë nga të ashtuquajturat shtete mike të Kosovës, të cilat krijuan kontakte dhe rrjet të madh korrupsioni në çdo shtresë të sistemit shëndetësor të Kosovës, dhe që në vend që të ndihmonin në ndërtimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, ata i merrnin pacientët për t’i trajtuar në spitalet e tyre (kryesisht private) me shpenzime astronomike për Kosovën dhe familjet e pacientëve, çmim ky që ata nuk mund ta përballonin. Pra, edhe çdo naiv e ka të qartë se kur në Kosovë erdhën ekspertë shqiptarë nga shtetet evropiane apo nga SHBA-ja për të ndihmuar, të lartëcekurit e refuzuan plotësisht establishmentin e ri, duke mbrojtur terrenin e tyre privat. Kështu, njohuritë e vlefshme dhe qasjet inovative që këta kirurgë të aftë mund të sillnin në vend, mbetën kryesisht apo madje krejtësisht të pashfrytëzuara, duke reflektuar një mundësi të humbur për të shfrytëzuar ekspertizën e jashtme në dobi të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe popullatës që i shërben. Ata që menduan se ne fituam lirinë, pa lirinë për t’u kujdesur për njerëzit tanë, bënë gabim, duke lejuar neokolonialistët të na pushtojnë. Sot, ne ende po paguajmë çmimin e gabimeve të tyre. Por ata nuk ishin budallenj. Ata ishin thjesht shumë lakmitarë. Ata tregtuan nevojat e vendit për një udhëtim të shkurtër në plazhet dhe sallonet e tyre. Më e keqja, ata humbën një shans historik për ta vendosur përgjithmonë shëndetësinë e Kosovës në shtegun adekuat të zhvillimit. Kjo është e paharrueshme.

Pra, nuk është çudi, që gjatë takimit tonë në Dyseldorf ne ishim dëshmitarë se si çdo kirurg shqiptar i pranishëm, njëri pas tjetrit u ngrit, disa pothuajse të përlotur, dhe me pasion shprehën zhgënjimin e tyre të thellë në lidhje me përpjekjet e tyre të mëparshme për të kontribuar me ekspertizën e tyre në kirurgjinë e Kosovës, për t’u përballur vetëm me zhgënjim, agresivitet pasiv dhe në fund refuzim të plotë. Rrëfimet e tyre të përzemërta theksuan sfidat me të cilat u përballën në përpjekjen për të ofruar njohuritë dhe aftësitë e tyre, duke nënvizuar një shkëputje therëse mes gatishmërisë së këtyre kirurgëve të diasporës për të ndihmuar dhe barrierave që penguan përfshirjen e tyre domethënëse në avancimin e praktikave kirurgjikale brenda atdheut të tyre.

Pavarësisht nga këto dëshmi emocionale që pasqyrojnë zhgënjimet e së kaluarës, vendosmëria kolektive e kirurgëve për t’u përfshirë në mënyrë aktive në axhendën transformuese të paraqitur në takim, shkëlqeu dhe ishte frymëzuese. Kërkesat e tyre të pasionuara për njohje, pranim, bashkëpunim dhe thjesht në formën “Ju lutem, më lërni të ndihmoj atdheun tim falas”- nënvizuan dëshirën e thellë për të kapërcyer barrierat e kaluara dhe për të krijuar një rrugë të re drejt një sistemi të kujdesit shëndetësor që vlerëson dhe përdor ekspertizën e pjesëtarëve të saj nga diaspora. Teksa po dëgjonim historitë e tyre emocionale, mendova me një buzëqeshje në fytyrë: “Djemtë dhe vajzat janë kthyer. Do të jemi mirë”. Këto emocione të zhgënjimit dhe vendosmërisë së përbashkët megjithatë shtuan një shtresë autenticiteti dhe urgjence në dialog, duke përforcuar nevojën urgjente për bashkëpunim, gjithëpërfshirje dhe respekt të ndërsjellë, si shtylla thelbësore për realizimin e potencialit transformues të nismave të propozuara në Republikën e Kosovës.

 

Parimet Themelore të Transformimit: Trajnimi i Avancuar, Modernizimi i Infrastrukturës dhe Nxitja e Profesionalizmit

Gjatë këtij takimi shumë mirë të organizuar, unë dhe të tjerët folëm për sfidat që po përjeton sistemi shëndetësor i Kosovës pas dekadave si shtet i pavarur. Të gjithë jemi dakord që nuk ka pavarësi derisa të kemi një sistem të pavarur të kujdesit shëndetësor. Për të pasur kujdes të pavarur shëndetësor në Kosovë, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KCS) është duke u fokusuar në strategji specifike për tejkalimin e këtyre çështjeve duke përfshirë nevojën për t’u përqëndruar në tërheqjen e studentëve të mjekësisë të trajnuar mirë dhe të përgatitur, specializantëve, kolegëve, stafit akademik, infermierëve dhe menaxherëve të kujdesit shëndetësor. Duke rekrutuar dhe zhvilluar një fuqi punëtore shumë të kualifikuar, ne mund të përmirësojmë cilësinë e kujdesit të ofruar për pacientët dhe të përmirësojmë sistemin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Për më tepër, ne duhet të fillojmë me modernizimin e infrastrukturës spitalore dhe të trajnimit në mënyrë që të mbajmë hapin me përparimet në teknologjinë mjekësore dhe të ofrojmë kujdes optimal për pacientët. Përmirësimi i objekteve dhe pajisjeve, si dhe investimi në zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe programet e trajnimit do të jenë thelbësore në arritjen e këtij qëllimi.

Për më tepër, të gjithë ne theksuam rëndësinë e promovimit të profesionalizmit dhe përkushtimit në të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor. Duke futur kulturën e etikës, llogaridhënies dhe përkushtimit ndaj standardeve të larta të kujdesit, ne në KKK synojmë të rindërtojmë dhe fuqizojmë sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë. Këto prioritete strategjike do t’i udhëheqin përpjekjet e KKK-së në vitet e ardhshme derisa ne punojmë drejt tejkalimit të sfidave me të cilat përballet sektori i shëndetësisë në Kosovë. Duke u fokusuar në tre elementë: 1) trajnimi; 2) modernizimi i infrastrukturës dhe 3) nxitja e profesionalizmit, KKK synon të krijojë një sistem të qëndrueshëm dhe cilësor të kujdesit shëndetësor që plotëson nevojat e popullatës dhe tërheq dhe ruan talentet më të larta në fushën e kirurgjisë dhe menaxhimit të kujdesit shëndetësor.

 

Dy projektet madhore të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës

Dy projekte të mëdha nënvizojnë përkushtimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për të adresuar sfidat me të cilat përballet sektori i shëndetësisë në Kosovë dhe për të punuar drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv të kujdesit shëndetësor. Duke u fokusuar në zhvillimin e fuqisë punëtore dhe modernizimin e infrastrukturës, KKK synon të krijojë një sistem të kujdesit shëndetësor i cili është i pajisur mirë për të përmbushur nevojat e popullatës dhe për të ofruar kujdes të jashtëzakonshëm për pacientët.

 

Projekti # 1: Qendra e Simulimit, Trajnimit, Edukimit dhe Kërkimeve Klinike në Ballkan

Krijimi i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës është menduar gjithmonë si diçka më shumë se një organizatë e vetëm një vendi. Është dhe ishte një ide. Ndërsa ideja nuk vdes kurrë. Ne po krijojmë “Qendrën e Simulimit, Trajnimit, Edukimit dhe Kërkimeve Klinike të Ballkanit”, e cila do të jetë një strukturë moderne me departamente të ndryshme që synon rritjen e edukimit mjekësor dhe punës kërkimore në rajon. Qendra do të përfshijë departamentet e mëposhtme:

  1. Qendra e Simulimit Klinik (CSC) – Ky departament do të ofrojë trajnim real simulues për profesionistët mjekësorë, për të praktikuar dhe përmirësuar aftësitë e tyre klinike në një mjedis të sigurt.
  2. Laboratori i Avancuar i Trajnimit Laparoskopik dhe Arthroskopik (ALATL) – Ky departament do të fokusohet në ofrimin e trajnimeve të avancuara në teknikat kirurgjikale laparoskopike dhe artroskopike, duke ndihmuar kirurgët të përmirësojnë aftësitë e tyre në procedurat minimale invazive.
  3. Programi i shtrirjes së Telemjeksisë dhe Telekirurgjisë (TTSOP) – Ky program do të përdorë teknologjinë e telekomunikacionit për të lehtësuar konsultimet mjekësore në distancë, trajnimin dhe madje edhe procedurat kirurgjikale, duke zgjeruar qasjen në shërbimet e kujdesit shëndetësor në zonat e pashërbyera.
  4. Programet e Trajnimit Edukativ për Traumën (TETP) – Ky departament do të ofrojë programe trajnimi të specializuara të fokusuara në kujdesin ndaj traumës, duke përgatitur profesionistë të kujdesit shëndetësor për të menaxhuar dhe trajtuar në mënyrë efektive dëmtimet traumatike.
  5. Zyra për Udhëzimet dhe Protokollet Kirurgjike (OSGP) – Kjo zyrë do të zhvillojë dhe shpërndajë udhëzime dhe protokolle të bazuara në prova për procedurat kirurgjikale, duke siguruar kujdes të standardizuar dhe me cilësi të lartë në të gjitha praktikat mjekësore.
  6. Njësia Kërkimore Klinike (CRU) – Ky departament do të lehtësojë dhe mbështesë aktivitetet kërkimore në fushën e kirurgjisë, duke u mundësuar kirurgëve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor të kontribuojnë në avancimet në njohuritë dhe praktikën mjekësore.

Gjithashtu, Qendra do të shërbejë si Kulla e Kirurgjisë, dhe do të ketë zyra administrative, salla konferencash dhe auditore moderne për takime, seminare dhe ngjarje edukative.

Departamentet dhe objektet e ndryshme brenda “Qendrës Ballkanike të Simulimit, Trajnimit, Edukimit dhe Kërkimeve Klinike” do të luajnë një rol vendimtar në avancimin e edukimit mjekësor, kërkimit dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor në rajon. Kosova do të bëhet qendër e arsimit dhe kërkimit.

 

Projekti #2: Qendra Klinike Onkologjike e Kosovës

Projekti i dytë madhor që do të udhëhiqet nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është themelimi i Qendrës Klinike Onkologjike të Kosovës. Kjo qendër e re do të shërbejë si një objekt i specializuar i dedikuar për diagnostikimin, trajtimin dhe hulumtimin e kancerit dhe gjendjeve onkologjike në Kosovë. Qendra Klinike Onkologjike e Kosovës synon të ofrojë kujdes gjithëpërfshirës për pacientët me kancer, duke përfshirë modalitetet më moderne të trajtimit, qasjet multidisiplinare dhe plane të personalizuara të kujdesit të përshtatura për nevojat unike të çdo pacienti. Qendra do të bashkojë një ekip ekspertësh onkologësh, kirurgësh, radiologësh, infermierësh dhe profesionistësh të tjerë të kujdesit shëndetësor për të ofruar kujdes të cilësisë së lartë dhe të bazuar në prova për pacientët që luftojnë me kancerin.

Përveç kësaj, qendra do t’i japë prioritet kërkimit dhe edukimit në fushën e onkologjisë, duke nxitur bashkëpunimin me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare për të avancuar njohuritë, për të krijuar qasje inovative të trajtimit dhe për të përmirësuar rezultatet për pacientët me kancer në Kosovë. Themelimi i Qendrës Klinike Onkologjike të Kosovës paraqet një hap të rëndësishëm drejt luftës kundër kancerit në rajon dhe nënvizon përkushtimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për adresimin e nevojave kritike të kujdesit shëndetësor dhe përmirësimin e mirëqenies së popullatës.

Qendra Klinike Onkologjike e Kosovës planifikohet të organizohet me këto departamente:

  1. Transplanti i palcës së eshtrave dhe terapitë qelizore
  2. Gjenetika klinike
  3. Imazhet diagnostike
  4. Hematologjia/Onkologjia
  5. Mjekësia
  6. Patologjia
  7. Pediatria
  8. Onkologjia e rrezatimit
  9. Puna kërkimore
  10. Onkologjia kirurgjike

Ekzistimi i këtyre departamenteve të specializuara brenda Qendrës Klinike Onkologjike do të mundësojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinare për kujdesin ndaj kancerit, duke përfshirë diagnostikimin, trajtimin, gjenetikën, kërkimin dhe pediatrinë, ndër të tjera. Secili departament do të luajë rol vendimtar në adresimin e aspekteve të ndryshme të kujdesit dhe trajtimit të kancerit, duke punuar së bashku drejt qëllimit të përbashkët për përmirësimin e rezultateve për pacientët me kancer në Kosovë. Kjo strukturë e organizuar do t’i mundësojë qendrës të ofrojë kujdes të integruar dhe të personalizuar për individët që luftojnë me kancerin dhe t’i hapë rrugën përparimeve në kërkimin onkologjik dhe modalitetet e trajtimit.

Për të realizuar këto projekte ambicioze, siç është themelimi i Qendrës Klinike Onkologjike të Kosovës dhe zhvillimi i Qendrës Ballkanike të Simulimit, Trajnimit, Edukimit dhe Kërkimeve Klinike, thelbësore do të jetë përpjekja kolektive dhe përkushtimi i fortë. Do të kërkohet një ndjenjë e thellë dashurie dhe përkushtimi ndaj vendit tonë, Kosovës, dhe popullit të saj.

 

Si do të arrijmë sukses?

Ne do të kemi sukses përmes këmbënguljes. Pra, nuk ka dyshim se do t’ia dalim. Nëse jo sot, do të kemi sukses nesër. Sido që të jetë, këto janë parimet themelore:

  1. Bashkëpunimi me partnerë nga e gjithë bota do të jetë vendimtar për qasje në ekspertizë, burime dhe mbështetje për të çuar përpara me sukses këto projekte. Këto dy qendra duhet të bëhen prioritet i qeverisë së ardhshme të Kosovës.
  2. Angazhimi dhe mobilizimi i ndërmarrësve shqiptarë për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në këto iniciativa do të jetë thelbësor në nxitjen e progresit dhe qëndrueshmërisë. Përfshirja e tyre mund të ofrojë zgjidhje novatore, investime dhe frymë sipërmarrëse për t’i çuar këto projekte drejt realizimit.
  3. Për më tepër, mbajtja e qasjes të diplomacisë mjekësore agresive do të jetë kyçe në avokimin e nevojave dhe prioriteteve të sektorit të shëndetësisë së Kosovës në skenën globale. Ndërtimi dhe kultivimi i marrëdhënieve diplomatike me partnerët, organizatat dhe palët e interesuara ndërkombëtare do të lehtësojë shkëmbimin e njohurive, burimeve dhe praktikave më të mira, duke përfituar përfundimisht në avancimin e kujdesit shëndetësor në Kosovë.
  4. Së fundi, përmes kombinimit të dashurisë për vendin, bashkëpunimit me partnerët globalë, angazhimit të ndërmarrësve shqiptarë dhe angazhimit përmes diplomacisë mjekësore, këto projekte kolosale mund të realizohen dhe të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e shërbimeve shëndetësore, kërkimore dhe educative në Kosovë.

 

Konkluzion

Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KKK) është një platformë për kthimin e trurit. Themelimi i degëve të KKK-së në Evropë dhe SHBA është zgjerim i grumbullimit të trurit dhe kthimit të tij në Kosovë. Ky lidership politik i vendit dhe ai tjetri i ardhshëm duhet t’i kushtojë vëmendje kësaj: “Angazhohuni bashkë me KKK-në, sepse do t’ia dalim me apo pa ju”. Takimi i Dyseldorfit dëshmoi: “Besa-Besë, ne do të jemi pjesë e transformimit dhe do ta udhëheqim atë”.

Registration

Forgotten Password?