Prof. Dr. Syheda Latifi – Hoxha: Aftësia e një pedagogu është të krijojë kuadro me të mirë se vet
Për Prof. Dr. Syheda Latifi – Hoxha, aftësia e një profesori dhe mjeku me eksperiencë është që të motivojë dhe trasojë rrugë për gjeneratat të reja, duke dhënë shembull nga vetja. Në një intervistë për Buletinin e Kolegjit të kirurgëve të Kosovës, ajo shpjegon jetën e saj qoftë në sferën profesionale, ashtu edhe në atë akademike.
“Sugjeroj që mjekët mos të largohen nga Kosova, për të cilët u dhanë jetë, gjak e mundë me laps, për mbijetesën e institucioneve tona arsimore dhe shëndetësore nga dhuna serbe. Sugjeroj, që studentët të mësojnë, profesorët të angazhohen në vazhdimësi për ti mësuar studentët, udhëheqësit të krijojnë kushte për punë, jo të selektojnë kuadro partiake”, tha mes tjerash në intervistë, dr. Latifi Hoxha!
Kurse, sa i përket punës së Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, ajo thotë se KCS-së, ka bërë një revolucion në avancimin e kirurgjisë kosovare.
“Respekt të veçantë për këtë iniciativë meriton Prof. Dr. Rifat Latifi, i cili themeloj dhe e udhëheqë Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës. Besoj fuqishëm se prof. Rifati dhe kolegët, bashkë me angazhimin e të gjithë mjekëve të të gjitha lëmive kirurgjike, do ta avancojnë dhe do ta indeksojnë edhe revistën e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës”, shtoi dr. Latifi-Hoxha.
Duke folur për themeluesit e Klinikës së Gjinekologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe cilët kanë qenë gjinekologët e parë të kësaj klinike, ajo veçantë më shumë dashuri për punën dhe përkushtimin e saj, Prof. Dr. Sehadete Doko-Mekuli, që ishte gjinekologia e parë shqiptare, në të gjitha trojet tona.
Profesoresha dr. Mekuli, sipas saj, përveç që shquhej për shkathtësi profesionale, shquhej edhe për aftësi organizative dhe edukative të brezave të rinj, sepse ajo duke u angazhuar maksimalisht me të gjitha instancat relevante të asaj kohe, vuri themelet dhe e ndërtoj ndërtesën e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, klinike kjo, në të cilën u mjekuan dhe mjekohet dhjetëra mija paciente, nëna dhe të porsalindur. Në këtë klinikë, thotë ajo, deri tani janë kryer më tepër se 10 mijë lindje në vit, dhe janë trajtuar në njësinë e kujdesit intensiv neonatal me tepër se 10 mijë fëmijë, e mbi 1200 ishin foshnje, që kanë patur nevojë për kujdes intensiv neonatal. Pra, krahas zhvillimit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Prof. Dr. Mekuli edukoj shumë breza të mjekëve të rinj.
Por, ajo shpjegon edhe momentet e vështira dhe të dhimbshme të Dr. Mekulit, kur forcat barbare serbe dhe vasalët shqiptarë, e përjashtuan nga puna për shkak se organizoj shërbimet shëndetësore në kohën e demonstratave të vitit 1981, si dhe i strehoj demonstruesit e plagosur, dhe ata që përndiqeshin nga policia serbe.
“Për këtë shkak, profesoresha e nderuar dr. Sehadete, nuk e përjetoi inaugurimin e Klinikës aktuale të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, të cilën e ndërtoi me shumë mundë, ngase sipas tyre ishte “nacionaliste dhe irredentiste”, dhe pas pak e përjashtuan edhe nga fakulteti dhe klinika. Mendoj, se për kontributin që dha, do të duhej që Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Prishtinë, të mbajë emrin e Prof .Dr. Sehadet Doko – Mekuli për angazhimin që dha në çdo sferë dhe në çdo rrethanë të vështirë politike, deri ne vet mohim. Shpresoj se kjo do të bie në sy politik bërësve në Kosovë”, tha dr Latifi Hoxha në intervistë.
Në këtë intervistë Dr. Syheda Latifi Hoxha, tregon edhe profesionistët, të cilët i kujton dhe i veçon për profesionalizëm dhe për mbështetjen që ja kanë dhënë. Përpos që ajo Fakultetin e Mjekësisë e ka kryer për dëshirë të prindërve, babit të saj Muharrem Latifit, dhe nënës Nazlije Sedullahu-Latifi, profesionin e gjinekologes e ka dashuruar nga profesoresha e saj dr. Sehadete, gjatë kohës së studimeve në vitin e V-të, sepse dr. Mekuli bënte mrekulli profesionale dhe për këtë arsye kam thënë: “ose do të bëhem gjinekologe ose hiq mjeke”.
“Më përkrahu dhe më mësoj jo vetëm profesionin, por edhe sjelljen njerëzore ndaj grave dhe njerëzve në nevojë. Ajo ishte një njëri që nuk lodhej kurrë. Formoj shoqatën e Obsteter Gjinekologëve të Kosovës, ishte aktive dhe kontribuuese në mësimdhënieje në Universitet, shpjegonte dhe kërkonte dije nga studentet. Jam munduar që ta vazhdojë rrugën që më trasoi. Profesoresha është person që e kam dashur dhe respektuar sa edhe prindërit e mi, është person i veçantë dhe i pa harrueshëm për mua. Do ta kujtoj dhe falënderoj sa të jem gjallë! Por, punën dhe kontributin e saj, duhet ta çmojnë e gjithë popullata. Përndryshe, në këtë klinikë kanë punuar edhe profesorë tjerë që participuan në edukimin tim, si Prof. Emine Gashi, Prof. Selim Krasniqi, Prof. Binak Kastrat, Prof. Zylfi Azizi, Ass. Sami Mejzinolli, të cilët gjithashtu i falënderojë shumë”, tha mes tjerash Prof. Dr. Syheda Latifi-Hoxha.
Sa i përket funksionimit të Klinikës së Gjinekologjisë, dr. Latifi-Hoxha kujton se në kohën e viteve të 70-ta, ishte ajo femra e parë, nga Universiteti i Prishtinës që është punësuar në këtë klinike, pasi që rrethanat dhe kushtet e punës ishin të vështira, ngaqë hapësira e ndërtesës ishte e vogël, e ngushtë, numri i mjekëve i vogël, karshi nevojës së popullatës, por, ajo veçon se pasioni dhe përkushtimi në punë ishin maksimal, si në aspektin profesionale, ashtu edhe në atë pedagogjike, përderisa, nuk duhet të përmenden rrethanat politike, që ishin të tmerrshme.
Përderisa, ku është Gjinekologjia sot në Kosovë, dr. Latifi-Hoxha, thotë se kuadri mjekësor dhe infermieror, ne këtë klinikë, në vazhdimësi është rritur në hap me kohën për nga numri, si dhe për nga avancimet profesionale dhe shkencore, Kjo, sipas saj, është bërë varësisht edhe nga kushtet dhe rrethanat, ndërkaq, gjeneratat e reja në vazhdimësi avancohen dhe perfeksionohen në aspektin profesional dhe pedagogjik. Ajo, sugjeron se si në çdo sferë, ashtu edhe në këtë fushë, çdo person të vlerësohet për dituri dhe jo për letra pa dije të mjaftuar.
Sa i përket mbështetjes së institucioneve për përmirësimin e situatës në sistemin shëndetësor në Kosovë, Prof. Dr. Latifi-Hoxha mendon se profesionistët shëndetësor kanë dituri të përkryer, duke folur për një shumicë, por udhëhiqen nga pakicat partiake, dhe andaj situatën e kemi çfarë është.
Por, ku është kirurgjia e Kosovës sot, Prof. Dr. Syheda Latifi-Hoxha, deklaron se të gjitha ato që i ka thënë më lartë, vlejnë edhe për lëminë e kirurgjisë, dhe për Fakultetin e Mjekësisë.
“Nëse do ta kishim vlerësuar dhe shfrytëzuar potencialet profesionale dhe akademike reale, si në sferën profesionale, ashtu edhe në atë pedagogjike, jam e bindur se situata do të ndryshonte për të mirë, por kjo në rrethanat aktuale mbetet vetëm për tu dëshiruar. Profesionistët e merituar do ta avanconin çdo aspekt të shëndetësisë”, tha ajo.
Dr. Latifi-Hoxha, përpos që për 44 vite ka shërbyer si një gjinekologe, tashmë në pension, dhe që shumë gjenerata do duhej ta marrin shembull për punën dhe profesionalizmin e saj, aktualisht ajo vazhdon punën në UNITED HOSPITAL, specialiste e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, ku punon prej vizitës më të thjeshtë deri në operimet kulminante që kryhen për pacientët në nevojë.
Profili i Prof. Dr. Syheda Latifi – Hoxha
Syheda Latifi – Hoxha, u lind në Gjilan më 24 Korrik 1953. Shkollimin fillor dhe gjimnazin klasik i kreu ne Gjilan. Fakultetin e mjekësisë e kreu ne Prishtinë me 1979, ku menjëherë filloi punën në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të fakultetit te Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Në periudhën 1 nëntor 1979, deri në vitin 1983, punoi si mjeke në klinikë, ku edhe filloi specializimin për lëmin e gjinekologjisë dhe obstetrikës. Ne intervalin kohor 1984-1986 përfundoi studimet pas-Universitare në lëmine e fiziologjisë klinike në Universitetin e Prishtinës. Fazën e fundit të specializimit e kreu në Universitetin e Zagrebit ku me 2 shkurt 1987 u gradua për Specialiste Gjinekologe Obstetre ne Kliniken Universitare për Sëmundje të Gruas dhe Lindje – Petrova 13, Universiteti i Zagrebit. Në vitin akademik 1987 – 88, zgjedhet asistente në katedrën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Universitetin e Prishtinës. Deri në vitin 1990 punoi në klinikë si mjeke specialiste dhe mbajti mësim në katedrën përkatëse përderisa masat e dhunshme të regjimit serb e dëbuan nga puna. Me 1997 mbron tezën e magjistraturës: “Gjendja e Frytit në Korrelacion me Ndryshimet Morfologjike dhe Histologjike në Placentë”. Gjatë intervalit kohorë 1987-2013 në Universitetin e Prishtinës i arriti të gjithë titujt akademi si: asistent, profesor asistent, profesor i asociuar dhe profesor i rregullt. Me 20 qershor të vitit 1999, e para së bashku me kolegë, hyri në klinikën gjinekologjike – obstetrike në Prishtinë, për të punuar me pasionin më të madh në sallat e lindjes, duke vazhduar punën direkte në rastet më të rënda të grave buzë vdekjes që gravitonin në klinikë, meqë shëndetësia ende nuk ishte e organizuar si duhet. Krahas punës me pacientë, punoi me shumë asociacione ndërkombëtare si OBSh-ja, UNFPA-ja, UNICEF-i, më Shoqatën e Obstetërve- Gjinekologëve Kanadezë, me Dartmouth Hitchkok Medical Centre and University, ku kreu një mori trajnimesh ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit, lidhur me rritjen e cilësisë së punës pikërisht për gruan dhe të posalindurin, duke ofruar trajtim më të mirë shëndetësor shtatzënave, fryteve dhe të porsalindurve. Nga Universiteti Hasan Prishtina, Prishtinë, si profesoreshë e rregullt, pensionohet më 24.07.2018, por vazhdon punën deri në përfundim te vitit akademik, 30.09.2018. Për dy vite akademike, 2018 -2020, punoi si profesoreshë e rregullt e lëndës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, në Fakultetin e Infermierisë, në Kolegjin UBT, Prishtinë ku dhe i zhvilloi kurrirkulat e lëndës. Gjatë viteve 2019-2022, punoi në Spitalin ALOKA, Prishtinë. Aktualisht punon si specialiste, gjinekologe-obstetre, në UNITED HOSPITAL, Prishtinë. Është delegate e Odës së Mjekëve të Kosovës, për tre mandate rresht, që nga legjislatura e parë e tutje. Që nga viti 2006 e tutje është nënkryetare e Shoqatës së Obstetër- Gjinekologëve të Kosovës, si dhe anëtare e FIGOS. Ajo ka një numër të madh prezantimesh e publikimesh shkencore në kongrese dhe revista vendore e ndërkombëtare.