Mentor Ahmeti, MD, FACS, Nënkryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për SHBA, është kirurg i Traumës, Kujdesit Akut dhe Kritik në Qendrën Mjekësore Sanford në Fargo, Dakotën e Veriut. Ai është Shef i Shërbimit të Traumës në Sanford Level One Trauma Center, ku është edhe mjeku kryesor në Përgatitjen për Incidente me Numër të Madh të të Lënduarve, në Departamentin e Simulimit të Emergjencave dhe drejton Ekipin e Kërkimeve Kirurgjikale. Dr. Ahmeti është Drejtor i Kursit Advanced Trauma Life Support të Traumës dhe instruktor i Kursit për Zhvillimin e Ekipit të Traumës në Spitalet Rurale.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, në bashkëpunim me Dr. Ahmeti, Sanford Medical Center dhe Sanford World Clinic, ka organizuar për herë të parë Kursin ATLS në Kosovë.
Kursi ATLS është mbajtur më 10-11 Tetor në Prishtinë, me një organizim superlativ nga një ekip i përbërë prej Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Sanford Medical Centre dhe Sanford World Clinic, Kolegji Amerikan i Kirurgëve, dhe me ndihmën e madhe të Qendrës së Mjekësisë Emergjente në Prishtinë.
Por në veçanti, iniciatori dhe përkrahësi kryesor i këtij kursi shumë të nevojshëm për profesionistët tanë shëndetësor ishte Dr. Mentor Ahmeti dhe institucioni ku ai punon, Sanford Medical Center, nga North Dakota, SHBA.