Punëtoria: “Rrugët e Vështirësuara të Frymëmarrjes për Anesteziologët dhe Kirurgët”

Rreth Punëtorisë

“Rrugët e Vështirësuara të Frymëmarrjes për Anesteziologët dhe Kirurgët”, organizuar nga Shoqata Kosovare për Menaxhimin e Rrugëve të Frymëmarrjes (SKMERF) shënoi hapjen e Kongresit të Parë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Takimi u mbajt në një mjedis hibrid, ku 8 anëtarë të fakultetit dhe 738 pjesëmarrës morën pjesë në takim, shumica prej të cilëve virtualisht. Zhvillimi më i rëndësishëm i kësaj punëtorie ishte fakti që kirurgët kosovarë për herë të parë në Kosovë janë angazhuar në menaxhimin e rrugëve ajrore.

Agjenda e takimit përbëhej nga 8 tema kryesore, të prezantuara nga ekspertët nga SHBA: Prof. Rifat Latifi, Prof. Bellal Joseph dhe Prof. Mentor Ahmeti; nga Turqia: Prof. Ayten dhe Prof. Tolga Saracoglu, Prof. Gamze Cabakli dhe Ruslan Abdullayev; nga Franca: Prof. Vedat Eljezi; dhe Prof. Antigona Hasani nga Kosova.

Temat mbuluan të gjitha zhvillimet e fundit dhe pjesët më të rëndësishme të menaxhimit të rrugëve ajrore duke përfshirë pacientët me Covid-19 (R. Latifi, V. Eljezi), pajisjet e reja (G. Cabakli, R. Abdullayev), menaxhimin e rrugëve të frymëmarrjes në rrethana të veçanta si kujdesi intensiv, departamenti i urgjencës ose te popullata pediatrike (A.Saracoglu, T.Saracoglu), rrugët e frymëmarrjes kirurgjikale (M. Ahmeti), menaxhimi i traumës (B. Joseph) dhe aftësitë joteknike dhe “checklistat” kognitive gjatë menaxhimit të rrugëve të frymëmarrjes (A. Hasani).

Vlerësimet e pjesëmarrësve për takimin ishin shumë pozitive, gjë që dëshmoi përmbushjen e qëllimit të takimit, që ishte prezantimi dhe përmirësimi i aftësive teknike lidhur me pajisjet e reja të menaxhimit të rrugëve ajrore në përputhje me udhëzimet e menaxhimit të rrugëve ajrore, rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të spitaleve për rëndësinë dhe furnizimin e këtyre pajisjeve, dhe së fundi avancimi dhe rritja e sigurisë dhe cilësisë së pacientit.

Si përfundim, ka qenë një arritje e rëndësishme dhe duhet të theksohet se ne, së bashku me kirurgët, po bëhemi më me përvojë dhe të trajnuar në menaxhimin e rrugëve të frymëmarrjes çdo ditë.

Libri i Abstrakteve

Më poshtë gjeni Librin e Abstrakteve, me 8 temat e prezantuara gjatë Workshop-it.

Libri i abstrakteve

Registration

Forgotten Password?