Kryetare: Lumnije Kqiku-Biblekaj, MD, DDS, Ph.D.
Anëtarë:
Bashkim Kadriu, MD, FACP, SHBA
Emir Haxhija, MD, PhD, FEBPS, Austri
Hubert Hauser, Prim. ao. Univ.-Prof. Dr. med., Austri
Prof. Dr. Ilir Hasani, Maqedoni e Veriut
Lars-Peter Kamolz, MD, Austri
Mentor Ahmeti, MD, FACS, SHBA
Perparim Limani, MD, PhD, FACS, FEBS, Austri
Vedat Eljezi, MD, PhD, Francë
MISIONI
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KCS) është formuar në fund të vitit 2018 si organizatë shkencore dhe avokuese, për të udhëhequr avancimin e të gjitha disiplinave kirurgjike në Kosovë me standardet me te larta dhe etikën e praktikës kirurgjike bashkohore. Në kuadër të fushëveprimit dhe të përgjegjësive, Komiteti për Marrëdhënie Ndërkombëtare ndërton bashkëpunimin me të gjitha institucionet, organizatat dhe agjencitë rajonale dhe ndërkombëtare për të promovuar punën, angazhimin dhe aktivitetet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, si dhe shqyrton dhe bashkëpunon ngushtë në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me diasporën, përkatësisht me kirurget shqiptarë në diasporë. Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka për qëllim t’i bashkojë të gjithë kirurgët që punojnë ose kanë punuar në spitalet publike dhe institucionet akademike si dhe ata në sektorin privat në tërë vendin, specializantët e çdo disiplinë kirurgjike dhe studentët e mjekësisë që do të ndjekin kirurgjinë në të ardhmen.
Sot diaspora shqiptare në mbarë botën ka kirurgë shumë të suksesshëm, sidomos në Evropë dhe SHBA. Shumë nga këta kanë pozita të rëndësishme klinike, akademike, shkencore, dhe administrative, e shumë të tjerë janë në specializime të ndryshme kirurgjike. Kolegji i Kirurgëve të Kosovës do të anagazhohet që të identifikojë të gjithë kirurgët shqiptarë në botë, me të cilët do të bashkëpunojë dhe do t’i anëtarësojë në radhet e KKK, për zhvillimin dhe avancimin e kirurgjisë së Kosovës.
BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës do të punojë ngushtë me kolegje ndërkombëtare, asociacione/shoqata kirurgjike dhe organizata tjera në tërë globin për të forcuar bashkëpunimin, në mënyrë që të përmirësohet të udhëhequrit e Kolegjit, të përmirësohet edukimi i gjithë anëtarësisë përmes kongreseve, simpoziumeve, punëtorive, dhe do të punohet në projekte hulumtuese të përbashkëta dhe të rritet cilësia e kujdesit kirurgjik.
FUSHËVEPRIMTARIA
Fushëveprimi i këtij Komiteti përfshin:
- Në koordinim me Bordin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, përgatit politikat e bashkëpunimit me institucionet tjera relevante, dhe promovon punën e KKK në organizatat tjera rajonale e ndërkombëtare.
- Angazhohet për bashkëpunim dhe anëtarësim në KKK të të gjithë kirurgëve shqiptarë dhe miqve të tyre në botë.
- Angazhohet për bashkëpunimin dhe promovimin e diplomacisë mjekësore.
- Përcjellë negociatat e marrëveshjeve eventuale me institucionet dhe shoqatat tjera rajonale dhe ndërkombëtare, për zhvillimin e kirurgjisë në Kosovë.
- Bënë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes palëve.
- Shqyrton çështjet tjera, të përcaktuara me Rregulloren e KCS-së, dhe të çështjeve, të cilat me vendim të Bordit të KCS-së, barten te Komiteti në fjalë.
- Në ushtrimin e funksioneve, Komiteti për Marrëdhënie Ndërkombëtare po ashtu bashkëpunon ngushtë me Kolegjet e Kirurgëve dhe shoqatat nacionale në të gjitha kontinentet.
- Bashkëpunon me rrjetin diplomatik të Kosovës, në koordinim me mjekët shqiptarë në botë, dhe me të gjitha organizatat tjera, nga të cilat mund të kërkojë të dhëna konkrete, duke i përfshirë edhe raportet e drejtpërdrejta ose të personave të tjerë përgjegjës për çështje të caktuara, kur kjo kërkohet nga Komiteti.
- Propozon emrat dhe siguron hapësirë për pjesëmarrje të ekspertëve ndërkombëtarë me të cilët bashkëpunon Komiteti në Kongreset Klinike.
- Propozon emra të kirurgëve eminent në botë për anëtarësim nderi në KKK.
- Organizon të paktën 2 simpoziume ose punëtori shkencore në vit, njëra nga të cilat duhet të jetë gjatë Kongresit Klinik.
- Do ta krijojë Degën e American College of Surgeons (ACS) në Kosovë, si mekanizëm për të shtuar bashkëpunimin mes KKK dhe ACS.
- Do të angazhohet të bashkëpunojë me Komitetin per Marrëdhënie Ndërkombëtare të ACS.
- Do të takohet virtualisht ose /dhe fizikisht katër herë në vit, gjersa një nga takimet duhet të jetë rreth Kongresit Klinik vjetor.
PËRBËRJA E KOMITETIT PËR MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE
- Komiteti për Marrëdhënie Ndërkombëtare përbëhet nga Kryetari, Nënkryetari dhe anëtarët.
- E gjithë përbërja e Komitetit do të jetë nga vendet e ndryshme të botës, nga kirurgë dhe anesteziologë shqiptarë, të cilët kanë arritur suksese në lëmin e kirurgjisë, përkatësisht të hulumtimeve shkencore.
- Mandati i të gjithë anëtarëve të këtij komiteti është për tre vite, dhe të njëjti mund të rizgjidhen edhe për një mandat tjetër.
- Komiteti ndihmohet me të paktën një asistent administrativ e cila/cili duhet të flas dhe shkruaj gjuhën angleze në nivel të lartë.