Çmimi “Publikimi dhe Inovacioni i Vitit”

Çmimi “Publikimi dhe Inovacioni i Vitit”

Në Kongresin e Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës u ndanë çmime të ndryshme. Një ndër to ishte edhe cmimi: “Publikimi dhe Inovacioni i Vitit”, i cili i dedikohet publikimit dhe/ose inovacionit më të rëndësishëm të vitit.

Në Hapjen Solemne të Kongresit të Dytë, me  çmimin “Publikimi dhe Inovacioni i Vitit” u nderua Ass. Prof. Dr. Salih Sh. Krasniqi, Dr. Sc.

Çmimi i dedikohet librit të tij “Krimet e luftës kundër pacientëve dhe personelit mjekësor, të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe në QKUK gjatë periudhës 1998-1999”. Ky është libri i parë faktmbledhës, që dëshmon për veprimet barbare me përmasa të gjenocidit të pushtetit serb ndaj pacientëve dhe personelit shëndetësor të QKUK-së gjatë luftës së fundit për liri të Kosovës. Është një libër faktografik, përmes të cilit autori synon të pasqyrojë përmasat e të gjitha formave të dhunës dhe të presionit të ushtruar nga pushteti serb mbi pacientët dhe personelin shëndetësor, në njërin nga institucionet më të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë gjatë luftës së periudhës 01 maj 1998 deri më 20 qershor 1999.

Në këtë libër, në kuadër të tematikës bosht, prezantohen emrat e pacientëve të pranuar në spital, diagnozat e tyre dhe peripecitë që atyre ua kishte shkaktuar policia serbe e vendosur brenda QKUK-së. Në mesin e pacientëve të pranuar në spital, gjendeshin shumë persona të plagosur, të keqtrajtuar, të rrahur, lidhur për krevat apo radiator, të cilëve ju fikën cigaret në duar e në trup, të vrarë, të zhdukur etj. Po ashtu, në evidencat e pasqyruara, rezultojnë shumë pacientë për të cilët nuk disponohen të dhëna të plota.

Publikimi i këtij libri nderon historinë kosovare dhe bën të mundur që këto të dhëna të jenë të disponueshme për gjeneratat pasuese të vendit tonë.

Për më tepër, ky libër i Dr. Salih Krasniqit është shpallur edhe si “Libri më i mirë” në Buletinin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës (Volumi 1, nr. 1).

Çmimin dhe punën e karrierën e Dr. Salih Krasniqit e ka prezantuar Dr. Ramiz Tafilaj.

Ass. Prof. Dr. Salih Sh. Krasniqi, Dr. Sc. duke pranuar çmimin.

Registration

Forgotten Password?