Intervistë me Dr. Dile Rrusta
Dr. Dile Rrusta: Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, një dritare e re e njohurive shkencore në lëminë e kirurgjisë
Kryetarja e Komitetit të Specializantëve në kuadër të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Dr. Dile Rrusta, dhe specializante e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike, thekson se është shumë optimiste se ky intensitet i punës së Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës do të vazhdoj edhe më tutje, sepse ekziston vullneti, gatishmëria dhe entuziazmi i të gjithëve që të jemi më afër standardeve ndërkombëtare në kirurgji.
Në një intervistë për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës, Dr. Rrusta thotë se Kursi mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza e Parë, e ka ndihmuar shumë, dhe veçoi se ka përmbushur pritshmëritë e saj. E dalluar me pjesëmarrjen aktive në këtë kurs, ajo beson dhe shpreson se do të ishte mirë të vazhdohet edhe më tutje me iniciativat e tilla, për gjeneratat pasuese që vijnë pas neve.
– Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është një organizarë që rreth vetes mbledhë kirurgë të lëmive të ndryshme, jo vetëm nga Kosova por edhe nga mbarë bota. Si e vlerësoni punën dhe angazhimin e KKK-së deri më tani?
Dr. Dile Rrusta: Puna dhe aktiviteti i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës deri më tani ka qenë shumë e qëlluar, prandaj edhe duhet të vazhdojë me të njëjtën dinamikë, edhe pse për këtë nuk kam ndonjë vërejtje. Kjo organizatë me angazhimet e ndryshme që po i organizon shumë shpesh për ne specializantët është një dritare e re e ngritjes së njohurive shkencore në lëminë e kirurgjisë. Jam shumë optimiste se ky intensitet i punës së KKK-së do të vazhdojë edhe më tutje, sepse ekziston vullneti, gatishmëria dhe entuziazmi i të gjithëve që të jemi më afër standardeve ndërkombëtare në kirurgji.
– Jeni kryetare e Komitetit të Specializantëve në kuadër të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe specializante e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike. Sa jeni e kënaqur me aktivitetet e këtij Komiteti, dhe cilat janë objektivat që ju prisni si rezultat i punës së përbashkët?
Dr. Dile Rrusta: Me aktivitetet e Komitetit të Specializantëve jam shumë e kënaqur për shkak se jemi angazhuar të gjithë aq sa ka pasur mundësi. Besoj se duhet të vazhdojë aktiviteti dhe angazhimi i njëjtë, megjithatë, do të ishte shumë pozitive dinamika më e shtuar e punës, në mënyrë që në të ardhmen sipas mundësive të organizohen edhe trajnime tjera të ndryshme për specializantë.
– Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka për bazë edukimin e vazhdueshëm të specialistëve të disiplinave të ndryshme kirurgjike, si dhe specializantëve dhe studentëve të kirurgjisë, përmes kurseve, punëtorive dhe komiteteve. Ju si kryetare e Komitetit të Specializantëve, sa jeni e gatshme të kontribuoni edhe në aktivitetet tjera të lartpërmendura?
Dr. Dile Rrusta: E them me shumë përgjegjësi se jam plotësisht e gatshme të kontribuoj edhe më tutje më gjithë kapacitetin tim profesional, të mbështes dhe të angazhohem sa i përket çështjeve të lartpërmendura. Është në interesin tonë profesional që të jemi pjesëmarrës në komitete, në kuadër të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.
– Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka përfunduar Kursin mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza e Parë. Ju jeni dalluar në këtë kurs për pjesëmarrje aktive. Çfarë do të thotë ky kurs për ju, dhe a i keni arritur pritshmëritë tuaja?
Dr. Dile Rrusta: Pasi që jam specializante e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike, Kursin mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza e Parë, më ka ndihmuar shumë. Jam munduar të jem prezente në të gjitha modulet, pasi që kanë qenë shumë frytdhënëse për punën time si specializante, dhe në avancimin tim profesional. Unë kam arritur pritshmëritë e mija, dhe besoj që kishte qenë mirë të vazhdojë edhe më gjeneratat tjera pasuese që vijnë pas neve.
– A do të vazhdoni me pjesëmarrjen tuaj në Fazën e Dytë të Kursit mbi Edukimin Bazik?
Dr. Dile Rrusta: Pa dyshim se do të jem pjesëmarrëse në fazën e dytë të Kursit, dhe po ashtu planifikoj të paguaj anëtarësimin si pjesë e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Kjo organizatë deri më tani, por shpresoj shumë se edhe në të ardhmen, do të vazhdojë aktivitetin e vet në të mirë të kirurgëve të të gjitha lëmive, dhe në avancimin e studentëve, specializantëve dhe specialistëve. Shpresoj se puna dhe vendosmëria e KKK-së do të vazhdojë edhe më tutje, pasi që ka të bëjë me edukimin bazik të specializantëve të kirurgjisë.