Java e Punëtorive e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, 22-26 Maj, 2023

Java e Punëtorive e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës u mbajt me datat 22-26 Maj 2023, dhe iu dedikua: Artroskopisë, Qasjeve Minimale Invazive në Kardiokirurgji, Laparoskopisë në Kirurgjinë Abdominale, Gjinekologji dhe Kirurgjinë e Fëmijëve. Java e Punëtorive zgjati 5 ditë dhe pati mbi 80 pjesëmarrës.


Për dallim nga viti i kaluar, Java e Punëtorive këtë vit u dizajnua për t’i shërbyer një grupi më të vogël pjesëmarrësish nga Ortopedia, Kardiokirurgjia, Kirurgjia Abdominale, Gjinekologjia dhe Kirurgjia Pediatrike, në mënyrë që secili nga ta të ketë kohën e mjaftueshme për t’i fituar shkathtësitë e targetuara nga Punëtoritë.

Programi i Javës së Punëtorive ishte i menduar në këtë mënyrë:

-Dy ditët e para, 22 dhe 23 maj, u fokusuan në Artroskopinë, me ligjërata nga kirurgu i njohur Prof. Dr. Alan Andonovski. Temat e trajtuara ishin “Patologjia e Meniskut” dhe “Patologjia e Ligamenteve Kryqëzuese të Gjurit”. Përveç pjesës teorike, secili nga 22 ortopedët pjesëmarrës ka pasur kohën e përcaktuar për t’u ushtruar në “fantom”. Kjo Punëtori është përkrahur nga kompania “Agani”.

-Dita e tretë, 24 Maj, i është dedikuar “Qasjeve Minimale Invazive në Kardiokirurgji”. Kjo Punëtori është realizuar me përkrahjen e kompanisë AGS Corporation, dhe pjesëmarrjen e 15 kardiokirurgëve vendorë dhe nga rajoni, gjersa ligjërues ishin: Dr. Georges El Daccache, Selene Zanelli, Fabio Paterno, dhe Michel El Daccache. Përpos prezantimeve të metodave më të fundit të ndërhyrjeve në zemër përmes qasjes minimale invazive, në këtë punëtori për herë të parë në vendin tonë u mbajt edhe trajnimi në zemër natyrale, e destinuar për simulimin e intervenimeve të tilla.

-Java e Punëtorive të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës u përmbyll me Punëtorinë dy ditore dedikuar Laparoskopisë në Kirurgjinë Abdominale, Gjinekologjinë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve.

Kështu, me 25 Maj, mbajt Punëtoria dedikuar Laparoskopisë në Kirurgjinë Abdominale, Gjinekologjisë dhe Kirurgjisë së Fëmijëve, me përkrahjen e kompanisë Solution D, dhe me pjesëmarrjen e mbi 50 kirurgëve vendorë dhe nga rajoni, përderisa ligjërues ishin: Dr. Valon Zejnullahu, Dr. Remzi Gashi, Dr. Brikena Dacaj Elshani, Dr. Isber Ademaj, Dr. Afrim Muhaxheri dhe Dr. Floren Kavaja. Në këtë punëtori, përkrahur nga kompania “Solution D” përpos prezantimeve dhe diskutimeve tejet të frytshme, pjesëmarrësit realizuan simulimet në 4 stacione të ushtrimit.

Ndërkaq, dita e fundit e Javës së Punëtorive, 26 Maj, u shënjua me transmetimin direkt në të gjitha qendrat e Telemjekësisë të intervenimeve:

-Kolecistektomia Laparoskopike, e realizuar në Klinikën Abdominale, QKUK – Qendra e Laparoskopisë, nga Dr. Valon Zejnullahu dhe Dr. Vesel Skenderi;

-Cista e vezores me Laparoskop, e realizuar në Spitalin “Fati im”, nga Dr. Afrim Muhaxhiri.

Java e Punëtorive e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës vitin e ardhshëm do të fokusohet në temat të cilat janë propozuar nga pjesëmarrësit, ngase synojmë që çdo vit të ngrisim cilësinë dhe efektivitetin e Javës së Punëtorive, duke targetuar nevojat dhe kërkesat e kirurgëve dhe specializantëve tanë.

Punëtoria dedikuar Artroskopisë (dega Ortopedi), ligjëratat “Patologjia e Meniskusit” dhe “Patologjia e ligamenteve kryeqëzore të gjurit”:

Dita e tretë e punëtorisë për “Qasjet Minimale Invazive në Kardiokirurgji”:

Punëtoria dedikuar Laparoskopisë në Kirurgjinë Abdominale, Gjinekologjisë dhe Kirurgjisë së Fëmijëve:

Dita e fundit e Javës së Punëtorive: Live Surgery: Kolecistektomia Laparoskopike dhe Cista e Vezores me Laparoskop:

Registration

Forgotten Password?