Lindi me 1956 në Pejë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë u diplomua në vitin 1980. Pas mbarimit të studimeve, praktikën e përgjithshme mjekësore e kreu në Qendrën Mjekësore në Pejë. Nga viti 1981 filloi punën dhe specializimin në neurokirurgji, në Klinikën e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Në vitet 1983-1987 vazhdoi specializimin në Klinikën e Neurokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare në Lubjanë, ku kishte mentor neurokirugun e mirënjohur, akademik Vinko Dolenc. Specializimin e mbaroi në vitin 1986. Në vitin 1987 përfundoi me sukses studimet pasuniversitare në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb dhe mbrojti temën e magjistraturës “Shkaqet e vdekshmërisë tek të lënduarit me gjakderdhje epidurale”.
Më 1989 mori pjesë në Kongresin Botëror të Neurokirurgjisë në Nju Delhi. Më 1990 u zgjodh asistent i lëndës Kirurgjia në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
I dëbuar nga puna në vitin 1990 nga regjimi i atëhershëm, deri më 1999 ushtroi praktikën private në Pejë dhe vazhdoi mësimdhënien paralele në Universitetin e Prishtinës.
Në vitet 1993, 1995 qendroi dy herë nga një muaj në Klinikën e Neurokirurgjisë në Lubjanë, kurse më 1994 punoi një muaj në Spitalin “St. Anna” në Lucern të Zvicrës.
Më 1996 mbrojti disertacionin e doktoratës në Universitetin e Prishtinës: “Neuralgjia trigeminale dhe rëndësia e dekomprimimit mikrovaskular të nervit trigeminal në shërimin e saj”. Po atë vit u zgjodh docent i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Më 2005 u zgjodh profesor i asociuar i lëndës Kirurgjia ndërsa më 2010 profesor i rregullt.
Në vitin 1998 qendroi dy muaj në Klinikën e Neurokirurgjisë në Duisburg, më 2001 dy muaj në Klinikën e Neurokirurgjisë të Universitetit “Heinrich Heine” në Dyseldorf.
Gjatë vitit 2004 pati dy trajnime aktive nga Kolegji Mbretëror i Anglisë; mori pjesë në Kongreset Europiane të Anesteziologjisë, në Lisbonë dhe në Athinë si dhe në Kongresin Ndërkombëtar të Onkologjisë në Prishtinë. Më 2005 merr pjesë në takimin europian të neurokirurgëve në Pragë, në Kongresin e 13-të Botëror të Neurokirurgjisë në Marakesh, në “Operative Techniques with the Masters” në Sent Luis, SHBA, në Konferencën IV Ndërkombëtare të Dhembjes dhe Anestezionit Regjional, në Kejp Taun; në vitin 2006 në takimin “Skull Base Surgery Update” Erasmus MC-Rotterdam, pastaj në ESA Kongresin në Madrid, në Kongresin XXV të ESRA-s në Monte Karlo, në ESA Kongresin në Munich (2007), në Kongresin e 13-të të Asociacionit Europian të Neurokirurgëve (EANS) në Glasgov; në ESA Kongresin në Kopenhagë (2008); në EANS-SFNC Annual Neurosurgical Meeting në Marsej (2009) dhe në Kongresin e 14-të të Neurokirurgjisë në Boston, ku Shoqata e Neurokirurgëve të Kosovës, e themeluar dhe e udhëhequr nga prof. Morina u anëtarësua në Shoqatën Botërore të Neurokirurgëve (WFNS). Në vitin 2010 ishte pjesëmarrës dhe prezentues i punimeve në Groningen – Holandë ku njëherit Shoqata e Neurokirurgëve të kosovës u anëtarsua në Asociacionin Evropian të Neurokirurgëve.
Ai ishte pjesëmarrës dhe prezentues me punime shkencore profesionale në shumë takime e kongrese të rëndësishme si në: EANS Kongresin në Romë (2011), EANS Kongresin në Tel Aviv (2013), ESA Kongresin në Stokholm (2014), EANS Kongresin në Pragë (2014), ESRA Kongresin në Lubjanë (2015), EANS Kongresin në Athinë (2016), Kongresin e Neuroshkencave Shqiptare në Tiranë (2016), WFNS Kongresin në Stamboll (2017), Kongresin e Neuroshkencave Shqiptare në Prishtinë (2018), ESRA Kongresin në Dublin (2018), EANS Kongresin në Bruksel (2018), WFNS Kongresin në Peking (2019), Bashkëorganizator dhe diskusant në 5 Webinare neurokirurgjike ndërkombëtare euro-aziatike on-line (2022). Prof. Morina është themelues i neurokirurgjisë bashkëkohore mikrokirurgjikale të Kosovës. Njëherit ai është kryetar i Shoqatës së Neurokirurgëve të Kosovës. Është anëtar i shumë shoqatave dhe asociacioneve kombëtare e ndërkombëtare të neurokirurgjisë në rajon dhe botë. Prof. Morina është themelues i neurokirurgjisë bashkëkohore kosovare. Njëherit ishte drejtor i Klinikës së Neurokirurgjisë dhe kryetar i Shoqatës së Neurokirurgëve të Kosovës. Është anëtar i shumë asociacioneve kombëtare e ndërkombëtare, të rajonit dhe të botës.
Është mentor i dhjetra punimeve të diplomës në fakultet dhe në studimet master si dhe i tri disertacioneve të doktoratës.
Është autor i librit të vetëm autorial nga lëmia e neurokirurgjisë në trojet shqiptare “Neurotrauma” e botuar në vitin 2007, si dhe e ribotuar e plotësuar si tekst universitar në vitin 2012. Ka publikuar 68 kumtesa dhe publikime shkencore profesionale dhe qindra herë është i cituar në vazhdimësi në publikime shkencore në botë.
Anëtar Korrespondent i AShAK-ut u zgjodh më 2012. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe baba i 3 fëmijëve. Pos shqipes si gjuhë amtare njeh edhe gjuhët serbokroate, sllovene dhe angleze. Është i cituar 446 herë në artikuj relevant profesionalo-shkencor.