Dr. Brunilda Profka Haxhiu, PhDc.

Dr. Brunilda Profka Haxhiu, PhDc., ka lindur në Tiranë në vitin 1982. Ajo ka ndjekur shkollën 8-vjeçare dhe të mesme në qytetin e saj të lindjes dhe është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë si mjekë e përgjithshme në vitin 2007.

Në periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2010, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e marketingut në një kompani farmaceutike multinacionale. Po në këtë kohë, ajo ka përfunduar edhe studimet Master në Biznes dhe Marketing Ndërkombëtar në Tiranë.

Dr. Haxhiu ka vazhduar formimin e saj profesional me studimet pasuniversitare në Onkologji, ku ka diplomuar me titullin Onkologe në vitin 2014. Në Nëntor të vitit 2015, ajo ka filluar punën si mjekë onkologe në Departamentin e Onkologjisë në Spitalin Amerikan në Kosovë.

Prej vitit 2016, ajo është punësuar në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shërbimi radioterapisë ku vazhdon të ushtrojë profesionin e saj. Gjatë periudhës nga viti 2009 dhe në vazhdim, ajo ka ndjekur një seri kursesh specializimi dhe trajnimesh në fushën e radioterapisë onkologjike në vende të ndryshme.

Dr. Haxhiu është anëtare e Shkollës Europiane të Onkologjisë, Shoqatave Europiane të Onkologjisë Mjekësore dhe Radioterapisë. Gjithashtu, ajo mban pozicionin e delegatit të Klinikës së Onkologjisë dhe është anëtare e Këshillit Mbikqyrës në Odën e Mjekëve që nga viti 2021.

Në vitin 2022, ajo është pranuar si asistente e angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Së fundmi, ajo ka marrë detyrën e Zëvendës Drejtores së Klinikës së Onkologjisë.

Dr. Brunilda Profka Haxhiu është kandidate për titullin e Doktores Shkencash në vitin e tretë të studimeve në Universitetin “St. Cyril and Methodius” në Shkup. Kontributi i saj në fushën shkencore është vlerësuar nëpërmjet pjesëmarrjes së saj në shumë ligjërata edukuese, sensibilizuese dhe profesionale në simpoziume dhe konferenca shkencore.

Registration

Forgotten Password?