Dr. Xheladin Deda

Dr. Xheladin Deda, Mjek, oftlamolog, atdhetar, docent, u lind në Mitrovicë më 09.08.1909. Shkollën fillore e kreu në Mitrovicë, gjersa Gjimnazin në Shkodër. Si nxënës i shkëlqyer fiton bursën për studime në Fakultetin e Mjekësisë në Romë – Itali. Fakultetin e Mjekësisë e përfundon më 21.11.1936 në Romë. Prej vitit 1936 deri më 1939 punon si mjek i Praktikës së përgjithshme në Tropojë. Prej vitit 1939 deri më 1942 është në specializim për Oftalmologji në Spitalin Universitar në Romë të Italisë, ku përfundon specializimin në vitin 1942. Prej vitit 1942 deri më 1946 punon në Prizren, si Oftalmologu i parë shqiptar. Prej vitit 1946 deri më 1948 punon si Oftalmolog në Spitalin e Tiranës. Prej vitit 1948 punon si Oftalmolog dhe Shef i Repartit të syve në Spitalin e vjetër të Prishtinës, pastaj edhe në objektet e reja – atëherë i quajtur Spitali i Përgjithshëm – ku punon deri në ditët e fundit të jetës së tij. Është i njohur si Oftalmologu i parë kosovar, themelues i Repartit të syve në Kosovë dhe i cili i vuri bazat për formimin e Klinikës së Syve të Fakultetit të Mjekësisë.  Në Spitalin e Prishtinës afirmohet shumë shpejt si oftalmolog i mirë. Me punë vetëmohuese arriti të formojë një ekip mjekësh dhe t’i hedhë themelet e forta të shërbimit të oftalmologjisë në Kosovë, mbi të cilat u ngrit Klinika e Oftalmologjisë e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Dr. Xheladin Deda vdiq në Beograd, në vitin 1971, ditën e tretë pas operacionit nga kolecista. Me nderime të mëdha u varros më 27 nëntor 1971 në varrezat e Prishtinës. Sot, Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Mitrovicë e mban me krenari emrin e Dr. Xheladini Dedës.

Registration

Forgotten Password?