Hasim Saliu, Dr. sc. Med.

Dr. Hasim Sait Saliu lindi më 01.07.1950 në fshatin Vërbjan, komuna e Gostivarit. Shkollën fillore e kreu në fshatin ku lindi, ndërsa atë të mesme e kreu në Gostivar. Pasi mbaroi gjimnazin, në vitin 1969 regjistroi shkollën e lartë pedagogjike – drejtimi matematikë-fizikë në Shkup, të cilën e apsolvoi në vitin shkollorë ’70-’71.

Viti akademik ’71-’72 e gjeti student në Fakultetin e Mjekësisë së përgjithshme në Prishtinë, në të cilin e apsolvoi në afat rekord, në tetor të 1976, me sukses gati absolut. Gjatë studimeve emërohet demonstrator në lëndën e anatomisë, funksion të cilin e kryen për 3.5, vite, gjegjësisht deri në mbarimin e studimeve akademike.

Me propozim të dekanit të atëhershëm të fakultetit të mjekësisë – legjendës shkencore shqiptare Prod. Dr. Musa A. Haxhiu, për afat një vjeçar emërohet demonstrator në lëndën e patofiziologjisë. Me propozim të gjeneratës së vet, për një mandat ka qenë delegat në këshillin e arsimtarëve të fakultetit të mjekësisë. Përgjatë studimeve ka qenë i emëruar kryetar i komisionit të hulumtimeve shkencore të studentëve, në funksion të të cilës e udhëhoqi grupin me punim shkencor në kongresin e studentëvë të mjekësisë dhe stomatologjisë të Jugosllavisë, në Cavtat, më 1976, për të cilën mori lëvdatë të posaçme.

Në 1977 dekorohet me titullin e studentit të gjeneratës për vitin 1976. Pas mbarimit të studimeve i udhëhequr nga thënia “Sedare dolorum opust divinum est” kthehet në Gostivar me qëllim që të vihet në shërbim të bashkëvendasve dhe punoi në ambulantën komunale të të rriturve në Gostivar deri në 1980.

Atë vit konkuron dhe pranohet në Klinikën e Kirurgjisë dhe Ortopedisë në Prishtinë si asistent i Prof. Dr. Gazmend Shaqirit. Në të njejtën kohë fillon specializimin në degën e kirurgjisë së përgjithshme dhe autorizohet nga shefi i katedrës së kirurgjisë si asistent në lëndën e kirurgjisë së përgjithshme. Në vitin shkollor 1981/1982 dhe 1982/1983 ligjëron lëndën e kirurgjisë së përgjithshmë në shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë.

Më 1983 zhvendoset në Zagreb të Kroacisë që të përfundojë specializimin. Njëkohësisht regjistron dhe përfundon me sukses absolut studimet postdiplomike. Në fund të vitit 1984 mbron me sukses provimin specialistik përpara komisionit të udhëhequr nga Prof. Dr. Mladen Shtulhofer dhe kthehet në Prishtinë, ku vazhdon me punë tashmë si specialist në shërbimin e kirurgjisë vaskulare, të udhëhequr nga bashkëpunëtori i afërt, Prof. Dr. Gazmend Shaqiri.

Në vitin 1985 dhe 1986 u kthye në Zagreb që të mbrojë provimin subspecialistik ku fitoi titullin subspecialist kirurg vaskular. Në vitin shkollor 1986 zgjidhet asistent nga këshilli i arsimtarëve në lëndën e kirurgjisë, funksion të cilin e kryen deri në largimin nga qendra klinika, të cilën e kishte vendbanim të vetin për 7 vite.  Gjatë qëndrimit në klinikë mori pjesë aktive në dhjetëra tubime profesionale, në dy kongreset Jugosllave të kirurgjisë, në të cilat mori pjesë me punime shkencore të udhëhequra nga mentori i tij Prof. Dr. Gazmend Shaqiri (1984 në Zagreb dhe 1988 në Sarajevë). 

Në vitin 1986 mori pjesë aktive në Kongresin Botëror të Kirurgëve vaskularë që u mbajt në Athinë. Në vitin 1986 fiton të drejtën e subspecializimit në degën e kardiokirurgjisë në Huston të SHBA, e drejtë e cila pastaj iu mohua për shkaqe politike. Pas largimit nga qendra klinike në Prishtinë në vitin 1992, ai kthehet në Gostivar dhe hap ambulantën e parë private kirurgjike.

Në 1996 punësohet në spitalin e përgjithshëm në Gostivar, ku punon deri në vitin 2016.

Gjatë karrierës si mjek dhe kirurg publikoi mbi 70 punime shkencore dhe profesionale.

Më 1999 me rastin e dëbimit të mijërave shqiptarëve të Kosovës nga vatrat e tyre, Dr. Hasimi e vuri veten në shërbim të të zhvendosurve në aspekt profesional dhe social. Në vitin 2001 sherbeu si mjek në përkujdesje të luftëtarëve të lënduar dhe sëmurë të UÇK-së.

Sot jeton si pensionist në Gostivar, duke vazhduar në mundësi të moshës dhe kushteve të aplikojë thënien “Sedare dolorum opust divinum est”.

Registration

Forgotten Password?