Prof Dr. Besim Elezi

Prof. Dr. Besim Elezi, Doktor i Shkencave Mjekësore dhe kirurg i shquar, ka  lindur në Fterrë, më 20 mars të vitit 1935.  Ka kryer shkollën fillore në fshatin e lindjes dhe atë unike në Gjirokastër. Shkollën e mesme mjekësore e ka mbaruar në Tiranë në vitin 1952. Në vitin 1957 ka mbaruar me diplomë “shkëlqyeshëm” Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Që atë vit është emëruar mjek kirurg dhe pedagog në Katedrën e Kirurgjisë. Më pas ka kryer specializime dhe kualifikime në disa klinika të botës.

Me punë këmbëngulëse ka ngjitur shkallët e karrierës mjekësore, pedagogjike e shkencore. Në vitin 1964 mbrojti disertacionin për gradën shkencore “Kandidat i shkencave mjekësore”, më pas mbrojti disertacionin për gradën shkencore “Doktor i shkencave mjekësore”. Për veprimtarinë pedagogjike mori gradën “Docent” e më pas “Profesor”. Në vitin 1976 u emërua shef klinike dhe në vitin 1982 shef katedre, që më pas u quajt Departament në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ka dhënë një kontribut të shquar në modernizimin e kirurgjisë shqiptare, duke futur shumë metoda të reja diagnostikimi dhe trajtimi. Ka përgatitur, në të njëjtën kohë, një numër të madh mjekësh dhe kirurgësh.

Është zgjedhur Kryetar i Shoqatës së Kirurgëve të Shqipërisë, anëtar i Komitetit Permanent të Eurokirurgjisë dhe anëtar i Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve. Ka bërë një numër publikimesh dhe referimesh në takime shkencore në vend dhe jashtë. Ka botuar monografi e tekste mësimore dhe rreth 100 artikuj e kumtesa.

Është nderuar me urdhra e medalje të ndryshme. Në vitin 2002 është shpallur “Personalitet i shquar i Qarkut”  për Vlorën, ku në motivacion, midis të tjerash, thuhet: “…Vlerësohet si bir i Kurveleshit për atdhetari, humanizëm e marrëdhënie të ngushta shoqërore”.

 

Registration

Forgotten Password?