Prof. Dr. Gazmend Shaqiri lindi në Shkodër në vitin 1936. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, specializimin e Kirurgjisë së Përgjithshme në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë në Beograd në vitin 1969, ndërsa specializimin e kirurgjisë kardio-vaskulare në UKECH të Pragës dhe Texas Heart Institute, Houston SHBA.
Është themelues i Kirurgjisë Vaskulare në Kosovë. Para hapjes së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, është angazhuar në shkollimin e kuadrit të mesëm mjekësor. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë zgjidhet ligjërues në vitet e 69’, pastaj Prodekan dhe Dekan i këtij fakulteti. Pas mbrojtjes së doktoratës nga lëmi i kirurgjisë së enëve të gjakut, merr thirrjen Docent, më vonë Profesor Inordinar dhe Profesor Ordinar për lëndën e Kirurgjisë së Përgjithshme. Ai udhëheqi Klinikën e Kirurgjisë dhe të Ortopedisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, prej vitit 1987 deri në shtator të vitit 1990, kur, si pasojë e represionit serb, dëbohet nga puna. Dëbimi i tij nga puna e ka ndërprerë realizimin e projektit për themelimin e kirurgjisë kardiake në Prishtinë. Pas kësaj vazhdon të punojë në Kirurgjinë Kardiotorakale në Klagenfurt, Austri. Prof. Gazmend Shaqiri, ka pasur nderin të shkollojë, të edukojë dhe të avancojë një plejadë të tërë mjekësh dhe kirurgësh kosovarë.
Ka botuar mbi 210 punime shkencore. Ka marrë pjesë në tubime të shumta shkencore në vend dhe jashtë tij. Gjatë jetës së tij ka botuar shumë monogafi dhe libra profesional. Në vitin 1989 ka botuar librin “Sëmundjet e arterieve”, në vitin 1994 librin “Kirurgjia e zemrës dhe aortës”, në vitin 1996 “Doracakët medicinalë në praktikën ditore” dhe në vitin 1999 librin “Kirurgjia urgjente – Lëndimet“. Në vitin 2001 ka botuar dy libra “Kirurgjia urgjente, Pjesa e përgjithshme” dhe librin “Kirurgjia, Sëmundjet akute, Pjesa speciale”. Menjëherë pas pensionimit, respektivisht në vitin 2005, e boton librin “Ndërhyrjet Kirurgjike” ndërsa një vit më vonë, në vitin 2006 me librin “Ditari i kirurgut” i bënë rekapitulim veprimtarisë së tij profesionale dhe akademike. Ndonëse në moshë të shtyer, Prof. Gazmend Shaqiri në vitin 2016 boton librin “Pagjakësia e anësive trupore – Sëmundjet e arterieve periferike“, ndërsa në mars të vitit 2018, në kohën kur luftonte kundër sëmundjes së rëndë që i kishte avansuar, nxori librin “Kirurgjia e enëve viscerale të gjakut”, Botim i Universitetit të Prishtinës.
Prof. Gazmend Shaqiri u nda nga jeta me 15 qershor të 2018, në moshën 83 vjeçare.