Prof. Dr. Qamil Haxhija lindi më 1927 në Rahovec. Shkollën fillore e kreu në Rahovec, kurse gjimnazin në Prizren. Ai vazhdoi shkollën e Mjekësisë në Beograd, të cilën e filloi në vitin 1948. Për arsye politike, Dr. Haxhija persekutohet tre vite me radhë nga ana e UDBA-s gjatë studimeve të mjekësisë në Beograd, periudhë kjo, të cilën ai çdoherë e ka cekur si periudhën më të vështirë të jetës së tij. Më 1958, Dr. Qamil Haxhija përfundon studimet e mjekësisë në Beograd dhe kthehet për të kryer shërbimin një vjeçar në spitalin e Prizrenit. Specializimin e Oftalmologjisë e përfundon në vitin 1965, pas qëndrimeve në repartet e oftalmologjisë në Shkup dhe atë të Univeristetit të Zagrebit.
Prej vitit 1959 deri në vitin 1962, Dr. Qamil Haxhija, punon si mjek i Praktikës së përgjithshme në Suharekë, bursën e të cilit qytet e gëzoi gjatë studimeve në Beograd. Prej 1962 e më tutje ai punësohet në Spitalin e Prishtinës, në repartin për sëmundjet e syrit. Më 1971, Dr. Haxhija u zgjodh në krye të repartit të syve të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë ai u bë drejtori i parë i Klinikës së Syve. Një kohë e ushtroi edhe detyrën e shefit të Katedrës së Oftalmologjisë në Prishtinë. Gjatë viteve 1972 – 1976 Dr. Haxhija qëndron disa herë në qendrat oftalmologjike europiane: në Romë, Kopenhagen, Gjenevë dhe qëndrime më të shkurtëra në Hamburg, Köln, dhe Paris.
Në vitin 1978 Dr. Haxhija mbron me sukses habilitacionin me titull: “Toksoplazmoza e syrit në Kosovë“. Shpejt pas kësaj ai u zgjodh profesor inordinar dhe pastaj profesor ordinar për Oftalmologji, por largohet dhunshëm nga puna prej regjimit serb në vitin 1990. Dr. Haxhija ishte kryetar i fundit i Odës së Mjekëve të Kosovës para pushimit të tij nga puna.
Dr. Qamil Haxhija ishte bashkautor i librit kryesor mësimor për Oftalmologji, për studentët e Mjekësisë në nivelin e Jugosllavisë, të redaktuar nga ana e Milan Blagojevic dhe Olga Litricin. Ai ka pasur prezantime dhe botime të shumta shkencore dhe profesionale në lëminë e Oftalmologjisë. Në rend të parë, ai njihet si mjeku i popullit, i cili u ktheu dritën e syve më shumë se 15.000 njerëzve të operuar nga ai në Kosovë.
Gjatë punës së tij shumëvjeçare në Klinikën e Syve në Prishtinë, ai e pasuroi atë me pajisje moderne përmes projekteve ndërkombëtare, vecanërisht duke fituar cmimin e fondacionit japonez JEC-Found, përmes të cilit repartit i janë dhuruar pajisjet më moderne për atë kohë. Ai krijoi degë të ndryshme të Oftalmologjisë në Prishtinë dhe përcaktoi bashkëpunëtorët e tij për të udhëhequr ato degë.
Prof. Dr. Qamil Haxhija ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës në vitin 1988, disa orë pasi përjetoi infarkt.
