Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri

Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri u lind më 7 qershor 1933, në Mitrovicë në një familje bujare e arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Prishtinë. Ai studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Shkupit, ku u diplomua në nëntor të vitit 1959.

Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri është një ndër personalitetet më të shquara të mjekësisë shqiptare. Në përgjithësi, sukseset e mjekësisë në Mitrovicë dhe Kosovë, e në veçanti në lëminë e kirurgjisë, janë të lidhura me emrin e tij. Ai ishte njëri ndër themeluesit dhe mësimdhënësit e parë shqiptarë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë që nga themelimi i paraleleve me mësimdhënie në gjuhën shqipe. Kuadri i mesëm dhe i lartë është produkt i angazhimit dhe punës profesionale të tij.

Më 7 nëntor të vitit 1964 ai kreu specializimin nga lënda e Kirurgjisë së përgjithshme në Beograd, dhe kësisoj ishte kirurgu i parë shqiptar në ish-Jugosllavi. Si specialist i Kirurgjisë së përgjithshme, duke u emëruar kryeshefi i parë shqiptar i kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës në vitin 1968, ai u bë kryeshefi i parë shqiptar i ndonjë reparti mjekësor në institucionet spitalore në Kosovë.

Në vitin shkollor 1963/64, kur u hap paralelja e parë me mësim në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme për Infermieri, Dr. Sami Haxhibeqiri emërohet edhe mësimdhënës, ku ligjëron disa lëndë profesionale si: Anatomi, Fiziologji, Patologji, Patofiziologji, Interno dhe Kirurgji. Ai ka punuar disa vite me radhë në këtë institucion të mesëm arsimor.

Për arsye të vullnetit të pashoq dhe dëshirës për aftësim të mëtutjeshëm profesional në Kirurgjinë Torakale, ai shkon për edukim të ri specialistik në Kamenicë të Sremit, ku gjatë viteve 1968-1970 punoi me profesorët më eminentë të ish-Jugosllavisë: Prof. Dr. Ivan Fajgel, Doc. Ervin Ginsberg, etj. Vlen të theksohet se në spitalin e Kamenicës së Sremit, Dr. Sami Haxhibeqiri ishte i pari shqiptar i cili ka bërë operacion të suksesshëm në zemër të hapur. Aftësimin profesional në këtë fushë e vazhdoi në Akademinë Ushtarake – VMA në Beograd, tek Akademiku i mirënjohur Prof. dr. Isidor Papa. Më 26 shtator të vitit 1972 kreu specializimin e dytë, atë të Kirurgjisë Torakale dhe kështu bëhet Kirurgu i Parë shqiptar në fushën e Kirurgjisë Torakale në ish-Jugosllavi.

Në vitin 1970, Dr. Sami Haxhibeqiri emërohet si ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe është një ndër themeluesit e Universitetit të Prishtinës – Fakultetit të Mjekësisë.

Në vitin 1973, ai emërohet drejtor i Spitalit Regjional të Mitrovicës. Siç theksuam më lart, që nga paslufta (1945), ai ishte drejtori i parë shqiptar i ndonjë institucioni shëndetësor. Në vitin 1973, kur e mori udhëheqjen në këtë institucion spitalor ishin të punësuar 8 serbë dhe 1 shqiptar. Kështu, deri në vitin 1980 sa ishte drejtues i Spitalit të Mitrovicës, në saje të angazhimit të pashoq, kjo strukturë e punëtorëve ndryshoi, pra, u rrit dukshëm numri i punëtorëve shqiptarë në këtë institucion (mjekë, motra medicinale etj.). Brenda kësaj kohe janë punësuar 8 punëtorë shëndetësorë shqiptarë e 1 serb. Gjatë periudhës sa ishte në krye të Spitalit të Mitrovicës, disa mjekë serbë u larguan nga Mitrovica në Beograd e gjetiu. Për këtë “ikje” u fajësua dhe u akuzua Dr. Sami Haxhibeqiri, prandaj gazeta të ndryshme të asaj kohe, si: “Vecernje Novosti”, “Politika”, “Danas” etj., publikonin shkrime tendencioze, që kishin për qëllim denoncimin dhe diskreditimin e mjekut shqiptar, i cili kishte vënë rend e rregull dhe punonte me përkushtim e profesionalizëm për avancimin e këtij institucioni shëndetësor. Gjatë kësaj peridhe, Dr. Samiu krijoi plejadën e parë të kirugëve shqiptarë që kanë kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, duke ju dhënë specializime dhe duke i aftësuar profesionalisht.

Gjatë demonstratave të vitit 1981, Dr. Sami Haxhibeqiri ka qenë në nivelin më të lartë të detyrës. Ai ka shkuar madje edhe në fshatrat më të thella për t’i ofruar ndihmë të plagosurve. Për këtë arsye e përjashtuan nga radhët e LKJ-së. Në kohën kur po bëhej përgatitja për burgosjen e tij, disa udhëheqës komunalë të Mitrovicës i sugjeruan që të largohet nga udhëheqja e spitalit të Mitrovicës dhe të kalojë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së në Prishtinë, ku punonte tërë kohën edhe si mësimdhënës i lëndës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Gjatë kohës sa ka punuar si kirurg dhe pedagog, ka publikuar mbi 45 punime profesionale-shkencore në vend dhe në botë, ka përfaqësuar Kosovën në kongreset e kirurgjisë në nivel ndërkombëtar me trajtesa shkencore nga lëmia e kirurgjisë së përgjithshme dhe asaj torakale, si: në Moskë, Paris, San Francisko, Pekin, Tokio, Amsterdam, etj.

Në vitin 1989, Dr. Sami Haxhibeqiri ishte njëri ndër nënshkruesit e peticionit të 215 intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Me 11 gusht te vitit 1990, derisa ishte në pozitën e zëvendësdrejtorit të Klinikës Kirurgjike, u përjashtua nga puna si i pari punonjës i QKU-së në Prishtinë.

Gjatë periudhës sa ka punuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë kanë diplomuar qindra maturantë (infermierë e mami), ndërsa gjatë punës si Profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, 1127 studentë, përkatësisht mjekë, e kanë dhënë para tij provimin nga lënda e kirurgjisë. Si mësimdhënës shumëvjeçar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë dhe në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai ka lënë gjurmë shumë të thella dhe të pashlyeshme. Shumë suksese në këto institucione janë të lidhura me emrin e tij.

Në fillim të vitit 1992, Dr. Sami Haxhibeqiri themeloi Ambulancën Popullore në Mitrovicë, e cila u pagëzua me emrin e tij “Ambulanca Dr. Sami Beqiri”. Ajo mbështetej financiarisht nga Shoqata “Minatori” nga Zvicra, ku pa kurrfarë kompensimi bëheshin shikime specialistike të të gjitha profileve për popullatën e rajonit të Mitrovicës e më gjerë. Vetëm gjatë një viti në këtë ambulancë janë bërë 150,000 shikime specialistike të profileve të ndryshme, ku kanë dhënë kontribut të çmuar shumë kolegë: mjekë, ish-nxënës e ish-studentë të Dr. Samiut.

Dr. Sami Haxhibeqiri ka dhënë ndihmën e tij profesionale, kombëtare, humanitare e patriotike në gjithë Kosovën. Ishte i pari specialist kirurg që shkoi në Drenicë dhe Shalë të Bajgorës për ta ndihmuar popullatën, duke u ofruar shërbime mjekësore atyre dhe ushtarëve të UÇK-së. Në këtë kohë ka themeluar Spitalin Ushtarak në Likovc dhe ishte koordinator kryesor në Ambulancën e Shoqatës Bamirëse “Nëna Terezë” për rajonin e Mitrovicës, e poashtu edhe bashkëthemelues i Ambulancës Ushtarake në Shalë të Bajgorës, ku punoi deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Në vlugun e veprimtarisë së tij profesionale, atdhetare e patriotike gjatë luftës në Kosovë, vdekja e papritur e Dr. Sami Haxhibeqirit ishte enigmë e pazgjidhur. Ai është gjetur në gjendje komatoze në shtëpinë e tij, mirëpo mjekët që përcollën gjendjen e tij konfirmuan se kishte të bënte me helmim me injeksion.

Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri ishte fitues i shumë dekoratave, medaljeve dhe mirënjohjeve në nivel federativ për kontributin e dhënë ndaj shkencës dhe shëndetësisë në ish-Jugosllavi. Pas luftës, Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë ka themeluar çmimin për Etikë Mjekësore që mban emrin e tij, por pas disa viteve Fakulteti i Mjekësisë e ndërpreu këtë praktikë.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës disa herë e ka dekoruar me mirënjohje për veprën jetësore të tij. Është vendosur pllaka në vendin ku gjatë viteve ’90 ishte themeluar dhe ka vepruar ordinanca popullore “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ndërsa Spitali Rajonal i Mitrovicës është pagëzuar me emrin e këtij kirurgu të parë shqiptar të Kosovës, të pishtarit të mjekësisë kosovare “Dr. Sami Haxhibeqiri”, të mësimdhënësit të devotshëm të arsimit të mesëm dhe universitar në Kosovë.

Sot, rrugën e tij e ndjekin edhe fëmijët e Dr. Samiut, Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri, femra e parë Kardiokirurge në Ballkan, Kryeshefe e Kardiokirurgjisë në Universitetin e Sarajevës, Dr. Shpresa Haxhibeqiri, Anesteziologe në QKUK dhe Ass. Dr. Shpend Haxhibeqiri, Psikiatër, Drejtor i Insititutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.

Registration

Forgotten Password?