Qyteti i Gracit nderon Prof. Dr.Lumnije Kqikun me çmimin “Personalitet nderi me medalje të artë”
Prof. Dr. Lumnije Kqiku-Biblekaj, specialiste e Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare dhe Docente në Universitetin e Gracit, është nderuar me Çmimin “Personalitet nderi me medalje të artë” nga Qyteti i Gracit.
Në këtë manifestim të pranishëm ishin pothuajse gjithë qeveria e qytetit si dhe vet kryebashkiakja e Gracit Elke Kahr.
Në tetor të vitit 2022. Dr. Lumnije Kqiku është nderuar me çmimin “Lidership by Example”. Këtë çmim ajo e ka fituar në kuadër të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, në të cilin ka qenë edhe si Ligjëruese e Ftuar Ndërkombëtare.
Dr. Kqiku është Kryetare e Komitetit për Diasporë në Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës, si dhe anëtare e Bordit Ndërkombëtar të revistës tonë shkencore ‘Kosova Journal of Surgery.
—–
Lumnije Kqiku MD, DDS, Ph.D., diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, në Universitetin e Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 1999 vendoset në Kliniken Dentare të Universitetit të Gracit si hulumtuese e lartë shkencore. Përfundoi specializimin në Sëmundjet e Dhëmbit me Endodoncion si dhe subspecializimin në fushën Traumatologjisë Dentare. Në vitin 2004 nostrifikoi diplomën në Universitetin Mjekësor të Gracit (Austri) ku edhe mbrojti magjistraturën për të përfunduar doktoratën në vitin 2006.
Gjatë vitit 2007 ishte në vizitë studimore si hulumtuese e lartë shkencore në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Zagrebit, si dhe në vitin 2010 në Universitetin Mjekësor të Tübingen-it, Gjermani. Është ligjëruese e lartë për studentët e Mjekesisë së Përgjithshme, Stomatologjisë dhe studimeve postdiplomike. Nga viti 2012 është Udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare, Prodekane per Studimet e doktoraturës ne seksionin e Stomatologjisë si dhe koordinatore per CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies). Që nga viti 2018 mban pozicionin akademik Univ.Doz.Dr.med.dent në Universitetin Mjekësor Graz, Austri.
Ajo ka marrë shumë çmime kërkimore dhe është ftuar në shumë vende ku ka mbajtur leksione të shumta “keynote” dhe ka shërbyer si eksperte e traumatologjisë dentare. Është autore dhe bashkautore e punimeve të shumta profesionale dhe shkencore. Ka marrë pjesë aktive në kongrese ndërkombëtare dhe vendore. Është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recenzente e shumë revistave shkencore.