Si u krijua Kolegji i Kirurgëve të Kosovës?

Letër e Kryetarit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës / Buletini i KCS (Volumi 2, Numri 1)
Derisa po e fillojmë pesë vjetorin e dytë të punës nga themelimi i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, kemi konsideruar se ky numër duhet t’i kushtohet vet idesë së themelimit të organizatës sonë dhe kirurgëve që u bënë pjesë e historisë, dhe u bashkuan për të themeluar Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës.
Ideja për ta krijuar Kolegjin tonë, si një thirrje që jehonte nga çdo qelizë e imja, lindi në momentin që kam marrë pjesë për herë të parë në Kongresin më të madh të kirurgjisë në botë, pra atij të organizuar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve, dhe jam pranuar si ‘fellow’. Tash pas emrit tim ishin ato katër shkronjat e arta ‘FACS’, që do të thotë ‘Fellow of American College of Surgeons’. Unë u bëra anëtar i grupit më të madh të kirurgëve në botë, ndonëse organizatë relativisht e re (krijuar më 1913) në krahasim me ‘The Royal College of Surgeons of England’, krijuar si ‘The Company of Barber-Surgeons’ në vitin 1540. Në vitin 1745 pastaj, ‘The Barber-Surgeons Company’, me kërkesën e kirurgëve, por me vendim të parlamentit anglez, është ndarë në dy trupa, në ‘Corporation (Company) of Surgeons’.
Dyqind e gjashtëdhjetë vite më vonë, në vitin 1800, kjo kompani u bë ‘Royal College of Surgeons of London’, dhe vetëm në vitin 1813 u shndërrua në ‘Royal College of Surgeons of England’ [1]. Një shekull më vonë (1913), është krijuar Kolegji Amerikan i Kirurgëve [2], ndërsa një shekull e pesë vite më vonë ne krijuam Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës.
Me më shumë se 84000 anëtarë, Kolegji Amerikan i Kirurgëve është organizata më e fuqishme e kirurgjisë në botë. Atë ditë kur jam bërë anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, dhe pashë gjithë ata flamuj nga e tërë bota, me përfaqësuesit e tyre që me mburrje ngriheshin në këmbë kur thirrej emri i vendit te tyre, mu bë se e pashë flamurin tonë duke valëvitur në mesin e gjithë flamujve të tjerë. Aq më duhej mua! Flamuri ynë të jetë në mesin e atyre vendeve që burrat dhe gratë e këtyre vendeve i prezantonin. Nuk shihja flamurin tonë, nuk kishte asnjë shqiptar tjetër (qe unë e njihja). Atë botë, unë njihja vetëm një kirurg shqiptar në SHBA, tash të ndjerin Philip (Filor) Ҫaushaj. E kisha takuar ne Brigdeport Hospital, derisa unë isha specializant i kirurgjisë në vitet 4 dhe 5 të specializimit, në Yale University. Ai ishte kirurg kolorektal, dhe shpesh bënim operacione së bashku, derisa isha në shërbim (rotacion) në këtë spital. Në vitin 1999 ai pësoi një sulm zemre, por ia doli. Vitin e kaluar, Fillori na la të gjithëve, gjersa Kolegji i Kirurgëve të Kosovës e bëri anëtar nderi ‘post mortum’.
Nuk njihja njerëz tanë tjerë në kirurgji. Por kjo vetëm sa e shtonte qëllimin tim që ta krijojmë Kolegjin e Kirurgëve Shqiptarë. Ishte ide shumë e hershme, mund të quhej naive, ngase unë nuk kisha ide se si duhet bërë një gjë e tillë. Ishte kohë pas lufte në Kosovë. Ende numëronim të vdekurit, shtëpitë e djegura ende kishin tym. Vite të tëra kaluan. Kosova gjithmonë gjatë dy dekadave ishte në tranzicion. Idenë e mbaja në grykë, si një thesar të fshehur, por kur flisja me disa kirurgë të kohërave të ndryshme, kjo shihej si ëndërr. “Nuk jemi gati, në fakt nuk jemi kurrkund”, ishte përgjigjja.
Ato vite ne ndërtonim Telemjekësinë e Kosovës, por as kjo nuk “pranohej” nga mjekët tanë, veçmas nga disa prej liderëve të kirurgjisë së atyre kohërave. Megjithatë, ne vazhdonim punën tonë, dhe gjatë viteve 2007-2016 unë udhëheqja rrjetin e ri të Telemjekësisë në Shqipëri. Si rezultat i punës në telemjekësi dhe teletraumë, ne bëmë një studim të madh për gjendjen e traumës në spitalet e Shqipërisë, që u botua ne World Journal of Surgery [3]. Ky punim pastaj hapi rrugë edhe për një studim tjetër [4], dhe pastaj krijimin në Shqipëri të një organizate të traumës dhe kirurgjisë emergjente [5]. Takimi i parë u mbajt me shumë sukses në Tiranë. Nxorëm edhe revistën [6].
U mblodhëm një grup përfaqësuesish të kirurgjisë dhe folëm se duhet bërë një organizatë gjithë-shqiptare e kirurgjisë. Të gjithë u pajtuam. Filluam me takimin e parë shkencor në Tiranë, në mënyrë që vitin tjetër të shkojmë në Tetovë, e pastaj në Prishtinë. U morëm vesh se në Prishtinë do ta lansojmë Kolegjin e Kirurgëve Shqiptarë.
Lartë, nga e majta: Erion Spaho, Zamir Demaj, Agron Dogjani, Kushtrim Gashi, Muzafer Kaci, Floren Kavaja, Rrustem Celami;
Poshtë, nga e majta: Skender Zatriqi, Edvin Selmani, Engjellushe Jonuzi, Rifat Latifi, Bedri Braha
Në vend të Tetovës, takimi u mbajt në Ohër (!!!), ndërsa, kur në emër të delegacionit të Kosovës unë u shpreha se jemi gati ta bëjmë kongresin e ardhshëm dhe ta formojmë Kolegjin e Kirurgëve Shqiptarë, takimi u ndërpre, dhe pa ditur unë dhe shumë të tjerë, nga udhëheqësi i këtij takimi u paralajmërua se takimi i radhës do të jetë në Tiranë, sikurse edhe të gjitha takimet tjera të kësaj organizate, e jo në Kosovë. Zhgënjimi ishte shumë i madh. Edhe zemërimi. Unë insistova, dhe së bashku me grupin e kirurgëve të Kosovës të pranishëm në këtë konferencë, vendosëm ta krijojmë Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës. Pas shumë takimeve, fizike dhe virtuale, dhe kalimit të disa muajve, më 20 dhjetor të vitit 2018 krijuam Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës. Kjo ishte një arritje e madhe, por unë gjithmonë kam qenë jo 100 % i kënaqur.
20 dhjetor, 2018, Qendra e Telemjekësisë, Prishtinë: Frederik Çuperjani, Xhevdet Çuni, Sinan Rusinovci, Mergime Loxha, Violeta Zatriqi, Syheda Latifi, Bedri Braha, Dafina Mahmutaj, Vjollca Binqe, Dugagjin Spanca, Belinda Pustina, Mentor Gorani, Saudin Maliqi, Agon Rrusta, Faton Hoxha, Sadik Llullaku, Defrim Koçinaj, Skender Zatriqi. Në mes të ekranit është Prof. Dr. Rifat Latifi, teleprezent nga Katonah i Nju Jorkut, përmes rrjetit të telemjekësisë së Kosovës.
Ideja ka qenë ndryshe. Emri duhej të ishte ndryshe: Kolegji i Kirurgëve Shqiptarë.
Megjithatë, për mua është një nga ditët më të lumtura dhe pikënisjet më sublime që e kam ndërmarr së bashku me anëtarët tjerë themelues, të cilët i falënderoj përzemërsisht, pasi që secili prej tyre u bë pjesë e vizionit dhe vullnetit të njëjtë. Unë jam shumë falënderues, ngase këta burra e gra i besuan vizionit tim, ëndrrës time, që edhe ne të jemi pjesë e kirurgjisë së botës. Tash jemi.
*17 tetor 2022, San Diego, Kaliforni, SHBA, Kongresi Klinik i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve
Pesë vite më vonë, flamuri i Republikës së Kosovës ishte në mesin e gjithë atyre vendeve, flamujt e të cilëve i kam parë me vite në skenën më të madhe të kirurgjisë së botës. Aty ishte Kolegji ynë, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës. Kënaqësia profesionale, kombëtare dhe shpirtërore ishte në pakufi. ‘Bac u kry’, i fola me zë Adem Jasharit.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës u krijua duke u bazuar në modelin e Kolegjit Amerikan, me qëllimin e vetëm – të udhëheqë rrugën për transformimin e kirurgjisë kosovare, duke bërë bashkimin e të gjithë kirurgëve praktikues në tërë vendin, si dhe specializantët e çdo disipline kirurgjike dhe studentët e mjekësisë që do të ndjekin kirurgjinë në të ardhmen.
Arritja e misionit tonë për transformim nuk do të ketë impakt vetëm në fushën e kirurgjisë, por do të ndikojë edhe te fusha tjera mjekësore, si shembull i ndryshimeve të domosdoshme për transformimin e sektorit shëndetësor Kosovar në tërësi, dhe do të shërbejë si model për kirurgjinë Ballkanike.
Ne të gjithë e dimë se kirurgjia është gur themeli i sistemit Spitalor Modern dhe Sistemit Shëndetësor Akademik Modern, dhe si e tillë ajo duhet vazhdimisht ta transformojë veten dhe praktikën kirurgjikale.
Prandaj, ne e nisëm këtë punë duke e kuptuar se transformimi nuk duhet të jetë një qasje pasive dhe pritjeje, ose e bazuar në skriptet e përgatitura më parë e të pa-rivlerësuara me dekada, por duhet të bazohet në një proces aktiv ndërtimi dhe rivlerësimi, duke marrë për referencë përparimet e reja shkencore dhe teknologjike, si dhe analizën e të dhënave dhe treguesve klinikë. Ky transformim duhet të vijë nga brenda, udhëhequr nga vet kirurgët dhe të gjithë anëtarët tjerë të kirurgjisë kosovare, dhe duhet të bazohet në strategjinë e ngritjes së cilësisë dhe sigurisë së pacientit, rritjes së rekrutimit dhe mbajtjes së kirurgëve klinikë të kualifikuar dhe kuadrove kërkimore, për të çuar përpara misionin klinik dhe akademik që ia kemi borxh vetes dhe pasardhësve tanë, por edhe atyre që na kanë mësuar.
Arritja e misionit, vizionit dhe shtrirjes së Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për përmirësimin e standardeve kirurgjikale dhe transformimin e kirurgjisë në Kosovë nuk do të ndodhë brenda natës, dhe jo pas disa viteve, por përfundimisht do të ndodhë.
Në të njëjtën kohë, për të arritur këtë qëllim, secili prej nesh si kirurg individual duhet të ndryshojë dhe të evoluojë me kalimin e kohës. Për më tepër, ne duhet të jemi në gjendje të parashikojmë, adoptojmë dhe evoluojmë me këto ndryshime përpara kohe, dhe të qëndrojmë vazhdimisht përpara procesit. Ne anëtarët e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës duhet ta bëjmë Kolegjin një platformë të përsosur për të nisur dhe zbatuar këtë transformim për hir të së ardhmes së kirurgjisë, të ardhmes së njerëzve tanë, vendit tonë.
Ky numër i Buletinit tonë do të mbetet në historinë tonë, dhe një ditë do te ruhet me xhelozi nga gjeneratat e ardhshme. Ne duhet shkruar vet historinë tonë, jo dikush tjetër, ngase historia duhet shkruar në mënyrë prospektive, e jo retrospektive, apo në bazë të thashethemnajave. Kolegji i Kirurgëve të Kosovës duhet në radhë të parë ta luftojë neokolonializmin mjekësor në vendin tonë, nga të ashtuquajturit partnerë. E mënyra më e mirë për ta luftuar neokolonializmin mjekësor, është të bëhemi mjeshtër të mirë të kirurgjisë, të mësojmë gjeneratat tona ta respektojnë vetveten, si dhe mësuesit dhe studentët e tyre.
Por tash e dimë shumë mirë se çdo fillim është i vështirë. Ne ende nuk e kemi kontributin e secilit kirurg të Kosovës, dhe ende na mbajnë gjallë donacionet e atyre që duan që ky institucion kombëtar të mbijetojë. Kështu nuk mund ta ndërtojmë as Kolegjin tonë, e as shtetin. Ne duhet ndihmuar dhe financuar vet Kolegjin tonë.
Ne duhet të kemi pavarësinë profesionale, ndërtesën tonë, qendrën tonë të hulumtimeve shkencore, Qendrën e Trajnimeve Laparaskopike, dhe atë të udhërrëfyesve klinik, këndin e historisë së kirurgjisë tonë, galerinë e kirurgëve që luftuan, dhe mjekuan të lënduarit gjatë luftës së Kosovës, të gjithë ata emra të kirurgjisë botërore që po bëhen anëtarë nderi në kolegjin tonë. Ne duhet të shkruajmë librat tanë të kirurgjisë për studentët e ardhshëm të kirurgjisë. Ne duhet ta mbajmë gjallë dhe avancojmë revistën tonë të Kirurgjisë së Kosovës (Kosova Journal of Surgery), duhet të kemi administratë që avokon fuqishëm tek shteti dhe publiku i gjerë. Ne duhet të shihemi nga populli dhe të jemi në të vërtetë mbështetësi më i madh i tyre. Ne duhet të sigurojmë se puna e kirurgëve është gjithmonë etike, e bazuar në evidencën e fundit, dhe nuk është e korruptuar asnjëherë.
Ne nuk duhet lejuar që kirurgët tanë të futen në burg pa proces ligjor dhe në mënyrë dramatike mediale, ndërsa të tjerëve kur bëjnë krime ua lexojmë vetëm inicialet. Ne duhet të krijojmë protokollet për secilën sëmundje.
Vetëm kështu e luftojmë korrupsionin, e luftojmë neokolonializmin mjekësor, dhe e ulim pabarazinë kirurgjike. Vetëm në këtë mënyrë e rrisim nivelin e shëndetësisë në Kosovë.
Ne kemi bërë analizën e sistemit shëndetësor [7], dhe kemi konstatuar se:
1) Kosova ka buxhetin më të ulët në Ballkan dhe ndër më të ulëtit në botë; 2) Deri në 40% e popullsisë kanë shpenzime katastrofike; 3) Mungesa e ekspertizës së avancuar klinike dhe infrastrukturës spitalore; 3) Pamundësia e mjekut për t’u trajnuar jashtë vendit për shkak të kufizimeve të vizave; dhe 7) Korrupsioni i ngulitur në të gjithë zinxhirët e sistemit të kujdesit shëndetësor.
U krijua një strategji transformimi me shumë drejtime: 1) Modernizimi i infrastrukturës spitalore; 2) Krijimi i shtatë shtyllave si platformë; 3) Krijimi i 12 qendrave të avancuara klinike të ekselencës, nga të cilat 9 janë të lidhura me kirurgjinë; 4) 22 sub-specializime të reja klinike të avancuara, nga të cilat 14 janë të fushave kirurgjike; 5) Diplomacia e qëndrueshme mjekësore; 6) Ndryshimi i legjislacionit; dhe 7) Zbatimi i programeve për ngritjen e kualitetit të shërbimeve kirurgjike.
Në ketë pesë vjetor që po fillojmë, ne duhet ta krijojmë qendrën e onkologjisë, të traumës, dhe atë të hulumtimeve shkencore, me të gjitha komponentët e duhura. Për këtë duhet dedikimi i secilit prej nesh. Ne duhet sjellë në tavolinën tonë (jo operative) edhe komunitetin e biznesit, që ta ndihmojnë shëndetësinë e Kosovës dhe ta luftojnë edhe ata neokolonializmin mjekësor.
Në fund të fundit, ne duhet ta drejtojmë dhe qeverisim vetë fatin tonë, e populli pret shumë nga ne. Sikurse këta kirurgë që patën guximin, kurajën dhe vizionin për t’iu bashkangjitur idesë për krijimin e Kolegjit, e të cilët janë bërë pjesë e pa kontestueshme e historisë sonë.
Referencat:
- History of the Royal College of Surgeons. Royal College of Surgeons of England. Accessed on March 1, 2023. https://www.rcseng.ac.uk/about-the-rcs/history-of-the-rcs/
- History of the American College of Surgeons. American College of Surgery. Accessed on March 1, 2023. https://timeline.facs.org/
- Latifi R, Ziemba M, Leppäniemi A, Dasho E, Dogjani A, Shatri Z, Kociraj A, Oldashi F, Shosha L. Trauma system evaluation in developing countries: applicability of American College of Surgeons/Committee on Trauma (ACS/COT) basic criteria. World J Surg. 2014 Aug;38(8):1898-904. doi: 10.1007/s00268-014-2538-7. PMID: 24696060.
- Latifi R, Gunn JK, Stroster JA, Zaimi E, Olldashi F, Dogjani A, Kerci M, Draçini X, Kuçani J, Shatri Z, Kociraj A, Boci A, Donaldson RI. The readiness of emergency and trauma care in low- and middle-income countries: a cross-sectional descriptive study of 42 public hospitals in Albania. Int J Emerg Med. 2016 Dec;9(1):26. doi: 10.1186/s12245-016-0124-5. Epub 2016 Oct 7. PMID: 27718129; PMCID: PMC5055520.
- Albanian Society for Trauma and Emergency Surgery. https://astes.org.al
- Albanian Journal of Trauma and Emergency Surgery (AJTES). https://journal.astes.org.al/index.php/AJTES
- Latifi R. Transformation of the Healthcare System in Kosova and Medical Diplomacy. Kos J Surg. 2022 Jan 6:2:4-12. https://koscs.org/en/kosova-journal-of-surgery-volume-6-2-en/
− Buletinin e plotë, Volumi 2, Nr.1, mund ta lexoni këtu: https://koscs.org/sq/buletini-i-kolegjit-te-kirurgeve-te-kosoves-volumi-2-numri-1/