Doc. Dr. Xhevat Lumi studimet e mjekësisë i mbaroi në Fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1988. Pas diplomimit dhe deri në vitin 1994 punoi si mjek i përgjithshëm në Kosove.
Specializimin në oftalmologji e bëri në Klinikën e syve në Lubjanë, Slloveni (1994-1998). Vetëmohimi në punë dhe rezultatet e shkëlqyeshme në verifikimet e diturisë i sollën mundësine e punës dhe ngritjen e mëtejshme profesionale në po të njejtin institucion. Përpos në Lubjanë, në fushën e kirurgjisë vitreoretinale dhe të kirurgjisë së segmentit të përparëm të syrit u trajnua në Bratisllavë (Sllovaki), në Londër (Britani e madhe), në Frieburg (Gjermani) dhe Lugano (Zvicër). Ne vitin 2008 emërohet udhëheqës i Repartit të Kirurgjisë në Klinikën e syve në Lubjanë, pozitë të cilën e mban edhe sot. Xhevat Lumi është ekspert i kirurgjisë së retinës, të kirurgjisë së kornesë dhe në përgjithësi të kirurgjisë së segmentit të përparëm te syrit. Në repartin e tij bëhen intervenimet kirurgjike më moderne dhe më të komplikuara të sëmundjeve të syrit dhe lëndimeve komplekse të syrit.
Përveç punës klinike, angazhimet i vazhdoi paralelisht edhe në fushën shkencore dhe akademike. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Lubjanës, ku edhe e mbrojti temën e magjistraturës në vitin 2006. Prej këtij viti është angazhuar në mbajtjen e procesit mësimor si bashkëpunëtor i Fakultetit te mjekësisë në Lubjanë. Shkallën më të lartë të studimeve pasuniversitare e vazhdoi në Universitetin e Mariborit. Doktoratën e bëri ne vitin 2017 nga fusha e implikimeve gjenetike në mjekimin e pacientëve me shkolitje të retinës. Si rezultat i punës shkencore dhe klinike arriti të botojë punime origjinale shkencore në revistat ndërkombëtare me peshë në fushën e oftalmologjisë. Me punime shkencore është paraqitur në dhjetëra konferenca, simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare dhe kombëtare. Si ligjërues i ftuar ka marrë pjesë në shumë takime me karakter ndërkombëtar. Falë bashkëpunimit ndërkombëtar me specialistë nga Hungaria, Gjermania, Norvegjia, Danimarka dhe SHBA është i angazhuar në disa projekte ndërkombëtare nga lëmia e sëmundjeve të retinës. Në Slloveni për herë të parë në vitin 2006 futi në përdorim kirurgjinë vitreoretinale minimale invazive (të ashtuquajturën “25 gauge vitrectomy”). Është kirurgu i pare ne Slloveni dhe njëri nga kirurgët e parë të retinës në botë, që e ka bërë me sukses transplantimin autolog të retinës në vitin 2017.
Për disa vite me radhë nga Oda e mjekëve të Sllovenisë është i emëruar mentor në trajnimin e mjekëve të rinjë gjatë specializimit nga oftalmologjia. Eshtë habilituar në Fakultetin e mjekësisë, Universiteti i Lubjanës, ku mban titullin docent. Përvojen profesionale e ka përcjellë edhe te specialistët e rinjë nga Kosova, Maqedonia, Hungaria dhe Serbia. Deri tash nën mbikqyrjen e tij janë aftësuar kirurgë të rinjë në fushën e kirurgjisë vitreoretinale, të cilët punojnë dhe mjekojnë të sëmurët në vende të ndryshme të botës.