Dr. Dafina Ademi Islami

Dr. Dafina Ademi Islami, u lind më 15 dhjetor 1978 në qytetin e Gjilanit. Ajo përfundoi shkollën fillore “Thimi Mitko” në Gjilan. Shkollën e mesme, gjimnazin matematiko-natyror “Xhevdet Doda,” e përfundoi në Prishtinë. Në vitin akademik 1996/1997, ajo u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Mjekësisë, në degën e Mjekësisë Përgjithshme. Dafina përfundoi studimet me sukses të shkëlqyer në mars të vitit 2004.

Rezultatet e shkëlqyera të saj në studime bënë që Fakulteti i Mjekësisë ta zgjedhë atë për programin e shkëmbimit të studentëve në Dartmouth Medical School, Hanover, New Hampshire në SHBA, ku ajo qëndroi për një muaj. Nga viti 2005 deri në fund të vitit 2007, ajo punoi si mjeke në Qendrën e Mjekësisë Familjar IV në Pejë.

Ajo gjithashtu e kreu specializimin në Onkologji Mjekësore më 1 nëntor 2011. Gjatë kësaj periudhe, ajo qëndroi një vit në Shërbimin Onkologjik në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe një vit tjetër në një qendër onkologjike në Shkup. Në shtator të vitit 2012, u pranua si specialiste e Onkologjisë në Klinikën e Onkologjisë pranë Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Për shumë vite, Dr. Ademi Islami ka qenë e përfshirë në procesin arsimor universitar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ku ka mësimdhënë në lëndën e Onkologjisë. Përkushtimi i saj ndaj shkencës vazhdon edhe sot, dhe më 12 shtator 2022, ajo mbrojti me sukses temën e doktoratës së saj, e titulluar “Ndërlidhja e sindromës metabolike dhe faktorëve të rrezikut me nëntipet molekulare tek femrat me kancer të gjirit,” dhe mori titullin Doktor i Shkencave të Mjekësisë.

Në vitin 2009, ajo qëndroi për një muaj në Wilhelminenspital në Vienë, Austri, për Edukim të Vazhdueshëm Profesional. Ajo gjithashtu ka qenë e angazhuar nga Bashkësia Evropiane në projekte për sistem shëndetësor në Kosovë dhe ka kontribuar në hartimin e Master Planit për sistemin shëndetësor në Kosovë, duke përfshirë nivelet primare, sekondare dhe terciare.

Sot, Dr. Ademi- Islami është aktive në projekte që synojnë tejkalimin ose lehtësimin e dallimeve të mëdha onkologjike globale. Në këtë kauzë, ajo ka qenë paneliste në Global Oncology, Project ECHO në Dartmouth Hitchcock për dy vitet e fundit, duke kontribuar me disa ligjërata. Përmes kësaj platforme ndërkontinentale, ajo ndan njohuri mbi praktikat e onkologjisë ndërkombëtare në vendet me të ardhura të ulëta dhe vendet e zhvilluara, strategjitë e reja për trajtimin e kancerit dhe rolin e hulumtimit në krijimin e njohurive të reja.

Dr. Ademi- Islami ka ndihmuar në kauzën për vetëdijësimin e grave për kancerin e gjirit në Kosovë dhe është gjithmonë gatshme të angazhohet në kauza të tilla për vendin e saj. Ajo ka publikuar disa punime si autore kryesore dhe bashkëautore në revista ndërkombëtare dhe vendore. Ajo ka prezantuar në shumë simpoziume, konferenca dhe kongrese brenda dhe jashtë Kosovës. Ajo është e martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë.

Registration

Forgotten Password?