Ass. Dr. Shpetim Robaj

Ass. Dr. Shpetim Robaj u lind më 15 tetor 1957 në Prizren. Shkollën fillore, të mesme dhe Fakultetin e Mjekësisë i përfundoi në Prishtinë. Pas përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë, Robaj, për një kohë të shkurtër punoi si mjek në fshatrat Tërpezë dhe Arllat. Specializmin në Klinikën e Kirurgjisë, drejtimi i Anesteziologjisë, e filloi në Rijekë ndërkaq e përfundoi në Shkup.

 Pas përfundimit të specializimit filloi punën në Klinikën e Kirurgjisë ku zgjidhet Asistent në lëndën e Kirgurgjisë së Përgjithshme në fushën e Asnesteziologjisë dhe Reanimit në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Në vitin 1991, Robaj, së bashku me shumë mjekë dhe punëtorë të tjerë të shëndetit shëndetësorë për rrethana politike largohet nga puna nga regjimi i atëhershëm serb. Por, kjo nuk bëri që ai të ndalej sepse punën e tij si mjek e vazhdoi në ordinancë private e vecanërisht në poliklinikën “Galaxy” në Prishtinë ku veçse dihet kontributi i tij.

Atëherë kur Kosova më së shumti kishte nevojë për mbështetje, gjatë vitit 1998, Dr. Robaj së bashku me kolegët e tij, filluan t’iu ofrojnë ndihmë shëndetësore luftëtarëve të UÇK-së dhe popullatës civile, fillimisht në Drenicë e pastaj edhe në zona të tjera të luftës. Në ndërkohë, duke parë nevojën e madhe të ushtarëve të plagosur për ndihmë në bashkëpunim me strukturat e atëhershme ushtarake të UÇK-së dhe kolegë të tij mjekë që ishin angazhuar në UÇK, filluan të organizonin punën e spitaleve të para ushtarake. Puna e Dr. Robaj nuk kishte të bënte vetëm me ndihmën profesionale ndaj të plagosurve, por edhe me furnizimin me material të spitaleve ushtarake, kordinimin dhe sjelljen e mjekëve nga Prishtina në zonat e luftës dhe angazhimin e organizatave të huaja humanitare në ndihmën mjekësore ndaj popullatës civile. Dr. Robaj qëndroi me javë të tëra në spitale ushtarake, merrte pjesë në operacione së bashku me kolegë të tjerë, kordinonte punët, furnizonte me material të nevojshëm.

Me energjinë, fuqinë dhe kreativitetin, Dr. Robaj mbante gjallë shëndetësinë ushtarake dhe atë civile në atë kohë. Pas masakrës që bëri ushtria serbe në Abri të Drenicës, me ç’rast ishin masakruar dhe vrarë mbi 23 persona dhe ishin plagosur edhe shumë të tjerë, ekipa mjekësore në krye të cilit ishte Dr. Robaj duhej të gjendej atje për ndihmë. Por, para se ekipi i mjekëve së bashku me Dr. Robaj të hynte me automjet në fshat, automjeti hasi në minë me ç’rast ai mori plagë të rënda dhe dhe të cilave nuk mundi t’iu mbijetojë, dhe këtu u shua rrugëtimi i tij madhështor dhe shpirti human që ai kishte.

Registration

Forgotten Password?