Dr. Adem Ademi

Dr. Adem Ademi u lind me 5 Shkurt, 1948 në Oshlan, Vushtrri. Katër vitet e para te shkollës fillore i përfundoi në vendlindje dhe vitet tjera i mbaroi në shkollën fillore “Meto Bajraktari”. Gjimnazin e përfundoi në Mitrovicë. Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme e filloi në Universitetin e Shkupit, vitin e dytë të studimeve e vazhdoi ne Universitetin e Zagrebit ku edhe i përfundon studimet në vitin 1973. Pas përfundimit të studimeve punoi si Mjek i Përgjithshëm në Qendrën mjekësore “30 Korriku” në Mitrovicë. Specializimin e Kirurgjisë e vazhdoi në Zagreb, ku dhe e përfundon në vitin 1979.

Nga viti 1981, emërohet Kryeshef i repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Mitrovicës ku punon deri në vitin 1992, dhe pastaj përjashtohet nga puna nga regjimi i dhunshëm serb. Prej vitit 1992 punon në ordinancën e vet kirurgjike “Avicena”, ordinancë nëpër të cilën, deri në vitin 1999, trajtohen pothuajse shumica e të maltretuarve, të rrahurve, si dhe të plagosurve nga policia serbe. Me fillim e luftës, Dr. Adem Ademi caktohet me detyrë në zonën e Shalës, gjegjësisht në Spitalin e improvizuar Ushtarak të Brigadës 141 “Mehë Uka” në të cilin shërohen ushtarët e zonës së Llapit. Në vitin 1997, kur filluan përgatitjet për rezistencë luftarake kundër okupatorit serb, Dr. Adem Ademi ka qenë njëri ndër ideatoret e parë për përgatitjen e Spitalit Ushtarak. Ai ka dhënë ide dhe konstruksione se si duhet të funksionoi spitali. Ai ishte njëri në mesin e shumë mjekëve të tjerë atëdhedashës që themeloi Spitalin Ushtarak me seli në Bajgorë, në shtëpi private. Duke parë situatën, Dr. Ademi, u propozoi të tjerëve që spitali të zgjerohet dhe të largohej nga vija e parë e frontit. Gjatë viteve 1997-1999 furnizimi me mjete mjekësore është bërë nga Dr. Adem Ademi në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza”.

Me pamundësi të qarkullimit, specialistët nuk qëndronin gjithnjë në zonën e Shalës dhe pas fillimit të bombardimeve, Dr. Adem Ademi, mbetet në Malet e Komunës së Zubin Potokut ku dhe kidnapohet bashkë me grupin e Intelektualëve – 23 intelektualë te profileve te ndryshme. Prej datës 19 Prill, 1999 evidentohet si i zhdukur.

Registration

Forgotten Password?