Ass. Dr. Bedri Bakalli

Ass. Dr. Bedri Bakalli u lind më 15 Qershor, 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi në Gjakovë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në vitin 1968 në Universitetin e Zagrebit. Provimin specialistik e përfundoi në Beograd, në tetor të vitit 1975.

Në Mars të vitit 1969, punësohet në Repartin e Ortopedisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës, si mjeku i parë shqiptar për lëminë e Ortopedisë dhe Traumatologjisë në Kosvë. Tetëmbdhjetë muajt e fundit të specializimit i mbaroi në Beograd, në Klinikën e Ortopedisë të Spitalit Universitar dhe në Spitalin special për Ortopedi dhe Traumatologji “Banjica”.

Nga viti 1976 emërohet Kryeshef i Repartit të Traumatologjisë të sistemit lokomotor, detyrë kjo të cilën e ka ushtruar rregullisht dhe me sukses deri në pensionim, në fund të vitit 2007. Nga viti 1976 ka qenë Asistent/ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë, për lëndën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë, deri në vitin 2007.

Gjatë karrierës ka kryer mbi 5000 intervenime të mëdha kirurgjikale në sistemin lokomotor dhe intervenime konservative të panumërta. Duke qenë ndër ortopedët e parë në Kosovë, pati edhe detyrën e përcjelljes së njohurive dhe shkathtësive te brezat e ardhshëm të ortopedëve që u formuan gjatë viteve në Kosovë. Kontributi i tij ishte i madh edhe nё trajtimin e tё plagosurve gjatё gjitha periudhave tё represionit ndaj popullit tonё, duke filluar nga demonstratat e vitit 1981 deri nё luftёn çlirimtare. Objektiv primar i Dr. Bakallit gjithmonë ishte dhe mbeti mbrojtja e shëndetit të pacientit dhe sipas tij, kjo është arsyeja kryesore për respektin që ka fituar gjatë viteve të karrierës së tij te popullata e Kosovës.

Registration

Forgotten Password?