Dr. Talat Pallaska shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prishtinë në vitin 1951. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i regjistroj në Universitetin e Beogradit, ku dhe diplomoi në vitin 1958. Pas kryerjes së stazhit të obliguar në Spitalin e Përgjithshëm në Prishtinë, pranohet në këtë institucion në: Repartin e Otorinolaringologjisë në vitin 1959. Vitin e fundit të specializimit e kreu në Beograd, në Klinikën e Otorinolaringologjisë dhe të Kirurgjisë Cervikale. Specializoi për sëmundjet e veshit, hundës dhe fytit, më 1964. Në këtë vit u kthye në Prishtinë dhe u zgjodh Shef i repartit të ORL-së në Spitalin e Përgjithshëm.
Shumë vite me radhë udhëheqi repartin, duke shkolluar kuadra të rinj shqiptarë për sëmundjet e veshit, hundës dhe fytit. Nën udhëzimet e tij shumë mjekë shqiptarë, jo vetëm nga Kosova, specializuan dhe ushtruan detyrën e specialistit, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë. Në vitin 1972, zgjedhet Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë, ku për meritat që kishte mori titullin “Primarius”. Talat Pallaska ishte nxitës dhe aktivist i hapjes së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, i cili filloi punën në vitin 1969. Në Fakultet të Mjekësisë u zgjodh ligjërues më 1972. Pas dy vite, më 1974, mori titullin Docent në lëndën e Otorinolaringologjisë, pas katër viteve u zgjodh Profesor inordinar. Pas punës shkencore-edukative, avancoi dhe i plotësoi kushtet për t’u zgjedhur Profesor Ordinar.
Ishte Prodekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë gjatë viteve 1972/74, ndërsa në vitin shkollor 1979/81 ushtroi detyrën e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Për kohë të gjatë ishte drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë dhe udhëheqës i katedrës së ORL-së. Me ardhjen e masave të dhunshme serbe në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1990, me që ishte nënshkrues i Apelit 215, Talat Pallaska u detyrua të jap dorëheqje në postin e Drejtorit të Klinikës së ORL -së në Prishtinë. Më vonë, në vitin 1991, u largua nga puna me dhunë nga okupatorët serbë, mirëpo edhe më tutje, ndonëse në kushte shumë të vështira, ushtroi detyrën e mësimdhënësit në Fakultetin e Mjekësisë. Në atë kohë mësimi mbahej në shtëpi private. Në Klinikë të ORL-së u kthye në qershor të vitit 1999, në detyrë të Kryeshefit të repartit operativ me njësinë intesive. Talat Pallaska u pensionua në vitin 2001. Edhe pas pensionimit vazhdoi bashkëpunimin me Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, deri në vitin 2003. Gjatë gjithë kohës Talat Pallaska u angazhua në shëndetësi, në arsim. si dhe shkencë. Së bashku me kolegët tjerë mjekë pedagogë u angazhuan për krijimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë, sidomos me diplomimin e një numri të madh të mjekve shqiptarë, të cilët punojnë në Kosovë dhe gjithandej në botë.
Dr. Talat Pallaska më 1977, në Fakultetin e Mjekësisë mbrojti tezën e doktoranturës: “Ndyshimet patologjike në rrugët e larta të frymëmarrjes dhe prevalenca e bronhitit kronik te punëtorët e ekspozuar në vendin e punës”. Disertacioni i tij ishte kontribut origjinal në literaturën e mjekësisë. Ishte kontribut i çmuar në konceptin fiziologjik e klinik të lidhëshmërisë së rrugëve të larta e të poshtme të frymëkëmbimit, posaqërisht të shfaqjes së sëmundjes obstruktive të mushkërive. Në vitin 1994 për studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, botoi tekstin Universitar “Otorinolaringologjija”. Si koautor i librit mori pjesë, së bashku me kolegët nga Zagrebi dhe Rijeka, në botimin e tekstit universitar “Otorinolaringologjija”, gjithashtu libër në gjuhën shqipe, dedikuar për studentët jo vetëm të Kosovës, por edhe më gjerë. Ribotimi i këtij libri u bë edhe në vitin 1990. Në revista të ndryshme profesionale dhe shkencore, nga lëmia e otorinolaringologjisë ka publikuar shumë punime. Më shumë se 85 punime shkencore janë botuar në “Praxis medica”, në “Praxys medica Yugoslavica” e botime tjera të shtypura në formë të përmbledhësit të punimeve nga materiali me rastin e kongreseve të ORL-së në Kosovë, ish Jugosllavi, simposiume, seminare e tubime tjera të ngjashme shkencore. Në Prishtinë më 1988, organizoi Kongresin e trembëdhjetë të Otorinolaringologëve në ish-Jugosllavi. Me këtë rast i tërë materiali u botua në tre libra të përkthyera në gjuhën shqipe.
Dr. Talat Pallaska, ishte Kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. Ishte kryetar i Shoqatës së arsimtarve Universitar të ish-Jugosllavisë. Ishte anëtar i Këshillit Redaktues të Revistës Shkencore “Sinopsia ORL Yugoslavica” dhe një nga kolegët që kontribuoj në organizimin e revistës “Praxis medica”, anëtar i Këshillit redaktues i se cilës ishte një kohë. Për punën e palodhshme në ngritjen e nivelit shëndetësor, në veçanti të shërbimit otorinolaringologjik në Kosovë e më gjerë, të arsimimit të kuadrave të reja në Shëndetësi e Arsim dhe të zhvillimit të shkencës medicinale në trojet tona dhe jashtë tyre, Talat Pallaska është bartës i shumë dekoratave, mirënjohjeve dhe i meritave të mëdha, dhe jo vetëm në hapësirat tona. Pallaska është pionieri dhe doajeni i lëmisë së Otorinolaringologjisë në Kosovë.