KUMTESË PËR MEDIA – Drejtori Ekzekutiv i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve mban ligjeratë për kirurgët kosovarë
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në bashkëpunim me Kolegjin Amerikan të Kirurgëve realizoi të premtën, më 5 Mars, ligjeratën e radhës në kuadër të International Grand Rounds, ku ligjërues ishte Drejtori Ekzekutiv i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, Dr. David Hoyt, me temën “Challenges going forward”.
Pikat kryesore të ligjeratës së Dr. Hoyt ishin parimet e përhershme të udhëheqësisë në kirurgji gjatë kohës së ndryshimeve të mëdha botërore që po i përjetojmë jo vetëm në fushën e shëndetësisë, përfshirë këtu edhe pandeminë Covid-19.
Prania e Dr. Hoyt dhe niveli tejet i lartë i prezentimit ishin shprehje e përkushtimit të tij personal dhe të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve në përkrahje të fuqishme të shëndetësisë kosovare dhe kirurgjisë në veçanti.
Kësisoj, Dr. Hoyt siguroi mbështetjen e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës dhe çmoi lartë lidershipin e Dr. Rifat Latifi në krijimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, duke shtuar se ky hap i ndërmarrur do ta ndryshojë kirurgjinë dhe mjekësinë kosovare.
Në përmbyllje, Dr. Rifat Latifi, President i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës shtoi se: “Në ligjeratën ‘Sfidat përpara’, duke përshkruar aktivitetet e kaluara dhe aktuale të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, Dr. Hoyt në thelb përshkroi dhe trasoj aktivitetet, aspiratat dhe objektivat e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për 100 vitet e ardhshme”.
Duhet të ceket se kjo ishte vetëm ligjerata e fundit nga 8 të tjera të ofruara gjatë këtyre 6 muajve nga anëtarë tjerë të spikatur të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, por edhe profesorë tjerë me renome botërore që Kolegji i Kirurgëve të Kosovës i ka mundësuar për kirurgët e vendit tonë.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është themeluar si organizatë shkencore dhe avokuese për të udhëhequr avancimin në disiplinat kirurgjike në Kosovë. Si një asociacion shkencor dhe arsimor jofitimprurës, Kolegji u themelua në 2018 për të përmirësuar kualitetin e përkujdesit për pacientin kirurgjik, duke vendosur standardet më të larta të edukimit dhe praktikës kirurgjike.