Prof. dr. Skender Topi

Prof. Dr. Skender Topi studimet e larta i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë dhe Kirurgjisë, Universiteti “Aldo Moro”, Bari, Itali. Specializimin dhe studimet doktorale i ka kryer po në të njëjtin Universitet, në Bioteknologji dhe Terapi të Integruar në Onkologji. Që prej vitit 1996 ai ka ushtruar profesionin e kirurgut në Itali, Shqipëri dhe të gjithë Evropën. Aktualisht mban edhe postin e Shefit të Pavionit të Kirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Rajonale “Dr. Xhaferr Kongoli”, Elbasan.
Prof.dr. Skender Topi krahas karrierës shumë të sukseshme si kirurg, ka një karrierë të gjatë e të suksesshme akademike. Në vitin 2002 ai ka themeluar Fakultetin e Infermieristikës, pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Gjithashtu, në vitin 2006 ai themeloi, pranë të njëjtit Fakultet, Qendrën e Telemjekësisë, si një qendër moderne dhe multifunksionale në shërbim të studentëve, stafeve akademike, mjekëve dhe infermierëve të qytetit të Elbasanit. Në vitin 2016 është vlerësuar nga qendra e Telemjekësisë në Shqipëri si dhe International Virtual e-hospital Foundation, me çmimin “Telemedicine Champion”, me motivacionin “në njohjen e udhëheqjes individuale për risi në implementimin dhe zhvillimin e studentëve në shërbimet e telenursing dhe mbështetjen e avancuar të programit të integruar të telemjekësisë dhe e-shëndetit në Universitetin e Elbasanit”. Prof.dr. Skender Topi është iniciator për nisma humanitare siç është edhe mbështetja e bashkëpunimit për dhurimin vullnetar të gjakut. Ai mban titullin “Ambasador i Paqes” i akorduar nga Federata Universale e Paqes.
Me anë të Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Nr 11663, Datë 24.08.2020, Prof. dr. Skender Topi, është dekretuar Rektor i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, duke ushtruar në këtë mënyrë mandatin e tij të dytë.
Prof. dr. Skender Topi, është kryetar i Bordit shkencor të revistave ndërkombëtare. Ai është autor i 10 teksteve akademike mjekësore, i mbi 200 artikujve shkencorë të publikuar në revista shkencore prestigjoze ndërkombëtare, si dhe autor i artikujve të prezantuar në kongrese ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Prof. dr. Skender Topi, është jo vetëm një personalitet i shquar në botën akademike mjekësore shkencore, por ai mbart cilësi të një qytetarie dhe kulture të pasur. Për kontributin në përhapjen e kulturës italiane në Shqipëri, me 26 Shkurt 2018, është vlerësuar në cilësinë e personalitetit nga Kryebashkiaku i Barit, Itali.

Registration

Forgotten Password?