Lumnije Kqiku MD, DDS, Ph.D., diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, në Universitetin e Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 1999 vendoset në Kliniken Dentare të Universitetit të Gracit si hulumtuese e lartë shkencore. Përfundoi specializimin në Sëmundjet e Dhëmbit me Endodoncion si dhe subspecializimin në fushën Traumatologjisë Dentare. Në vitin 2004 nostrifikoi diplomën në Universitetin Mjekësor të Gracit (Austri) ku edhe mbrojti magjistraturën për të përfunduar doktoratën në vitin 2006.
Gjatë vitit 2007 ishte në vizitë studimore si hulumtuese e lartë shkencore në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Zagrebit, si dhe në vitin 2010 në Universitetin Mjekësor të Tübingen-it, Gjermani. Është ligjëruese e lartë për studentët e Mjekesisë së Përgjithshme, Stomatologjisë dhe studimeve postdiplomike. Nga viti 2012 është Udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare, Prodekane per Studimet e doktoraturës ne seksionin e Stomatologjisë si dhe koordinatore per CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies). Që nga viti 2018 mban pozicionin akademik Univ.Doz.Dr.med.dent në Universitetin Mjekësor Graz, Austri.
Ajo ka marrë shumë çmime kërkimore dhe është ftuar në shumë vende ku ka mbajtur leksione të shumta “keynote” dhe ka shërbyer si eksperte e traumatologjisë dentare. Është autore dhe bashkautore e punimeve të shumta profesionale dhe shkencore. Ka marrë pjesë aktive në kongrese ndërkombëtare dhe vendore. Është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recenzente e shumë revistave shkencore.