Prof. Dr. Agron Pustina u lind më 15 Tetor 1944 në Tiranë, Shqipëri. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Shkup. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup “St. Cyril and Methodius” në vitin 1967.
Si mjek i sapodiplomuar, fillimisht u punësua në spitalin Saint Pierre, Bruksel. Shkollimin specialistik e përfundoi në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare në Shkup. Pas përfundimit te specializimit nga lëmia e Ortopedisë në Shkup, në vitin 1971, kalon në Klinikën Ortopedike në Prishtinë, ku njëkohësisht inkuadrohet edhe në proces mësimor duke filluar karrierën akademike si Asistent, pastaj Docent, Profesor Inordinar dhe Profesor Ordinar i lëndës së Kirurgjisë dhe Ortopedisë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1975 në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb e përfundoi Magjistraturën me titull: “The contribution of the Ligamentum Terres to the Bloodsupply in the head of the Femur in Children with Congenital Dislocation”, duke vazhduar në po të njëjtin Fakultet në vitin 1980 me mbrojtjen e tezës së doktoratës me titull: “Dynamics of Vascular Change in the Upper Femur in Children with Congenital Dislocation of the Hip”.
Në fillim të viteve të 90’, për shkak të politikës diskriminuese të regjimit serb, sikurse edhe shumë kolegë të tij shqiptarë, u përjashtua nga puna me dhunë dhe vazhdoi së ushtruari punën e tij profesionale në poliklinikën private “Acta Orthopaedica”. Gjatë periudhës 1990-1999 vazhdoi mësimdhënien në kushte të jashtëzakonshme, në cilësinë e Profesorit në lëndën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1994, në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, merr titullin Profesor Ordinar i lëndës Ortopedia me Traumatologji. Prof. Dr. Agron Pustina ishte njëri nga themeluesit e Katedrës së Ortopedisë dhe njëkohësisht edhe udhëheqës i Klinikës së Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ishte Drejtor i Klinikës Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe një ndër themeluesit e Shoqatës së Ortopedëve të Kosovë.
Pas luftës, gjegjësisht pas vitit 1999 për një kohë te gjatë ishte drejtues i Bordit Për Edukim Të Vazhdueshëm Profesional në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës. Mentoroi dhe ko-mentoroi tema të magjistraturës dhe doktoraturës në fushën e studimeve postdiplomike të mjekësisë. Poashtu, mentoroi një numër të madh të kandidatëve në edukimin profesional specialistik në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë. Ai mori pjesë në kongrese e simpoziume ndërkombëtare si ligjërues i ftuar dhe publikoi një sërë punimesh shkencore.
Ndërroi jetë me 08 shtator të vitit 2021, në Prishtinë.