Prof. Dr. Emine Gashi

Prof. Dr. Emine Gashi, lindi më 1940 në Prizren. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë më 1963. Dy vite më vonë filloi specializimin në Gjinekologji dhe Obstetrikë në Prizren dhe Gjilan, të cilën e mbaroi në vitin 1969, Beograd. Në vitin 1979, në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, mbron tezën e doktoratës me titull: ‘’Faktorët etiologjik të rupturës së mitrës gjatë shtatëzanisë dhe lindjes – zhvillimi i mbrojtjes shëndetësore të grave në KSA të Kosovës gjatë dhjetë vjetëve të fundit”

Pas diplomimit kthehet në vendlindje dhe punësohet si mjeke në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren. Më pas punësohet në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit deri në vitin 1971. Po këtë vit u zgjodh Asistente e lëndës Gjinekologji me Obstetrikë në Fakultetin e Mjekësisë, Prishtinë dhe filloi punën ne Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në Prishtinë. Në vitin 1974 emërohet Kryeshefe e repartit të Obstetrikës të kësaj Klinike, ku edhe punon deri në gusht të vitit 2000. Më 1980 u zgjodh Docent dhe pas disa vitesh emërohet Profesor Inordinar për lëndën e gjinekologjisë me obstetrikë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Gjatë viteve 1983-1984 qëndron në Karolinën Veriore në SHBA për përsosje profesionale. Pas përfundimit të luftës, më 1999 kthehet në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në Prishtinë dhe vazhdon punën si Kryeshefe e repartit-sallës së lindjes deri në vitin 2000, kur në moshën 60 vjeçare dërgohet në pension pa pëlqim. Ka marrë pjesë në disa kongrese e simpoziume, si dhe ka publikuar 13 punime shkencore si autore dhe koautore. Për aktivitete të dalluara në aspektin profesional, shumë herë është shpërblyer me lëvdata, mirënjohje, diploma, shpërblime e dekorata.

Registration

Forgotten Password?