Prof. Dr. Hajredin Ukelli

Prof. Dr. Hajredin Ukelli u lind me 15 Mars, 1936 në Shajkofc të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Prishtinë. Pas mbarimit të gjimnazit regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.

Pas përfundimit të Fakultetit punësohet në Spitalin e Përgjithshëm në Prishtinë dhe themeloi Shtëpinë e parë të Shëndetit në Podujevë. Specializimin e Kirurgjisë së Fëmijëve, bashkë me Ortopedinë e Fëmijëve, e kreu në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Beograd më 1971. Si themelues i Kirurgjisë së Fëmijëve në Prishtinë udhëheq repartin ku janë realizuar ndërhyrje kirurgjike të ndërlikuara nga kjo lëmi. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë zgjedhet Asistent, më 1980 zgjedhet Docent, më 1985 Profesor Inordinar dhe më 1993 merr titullin e Profesorit Ordinar të lëndës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Gjatë periudhës 1986-1996 kryen detyrën e Shefit të Katedrës së Kirurgjisë. Gjatë punës shumë vjeçare ka mbajtur këto pozita: Zëvendës drejtor dhe ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë në Prishtinë, Kryeshef i Kirurgjisë së fëmijëve nga themelimi deri në ditën e dëbimit nga puna në vitin 1990.

Ka marrë pjesë në shumë takime profesionale, simpoziume, kongrese dhe ka publikuar mbi 70 punime shkencore. Ka botuar tre libra: “Zbulimi dhe shërimi i hershëm i anomalive kongjenitale të shpeshta të sistemit lokomotor” – 1985, “Indikacionet për ndërhyrje kirurgjike te thyerjet e diafizave të eshtrave të gjatë të ekstremiteteve të poshtme të fëmijëve” -1989, “Sëmundjet më të shpeshta kirurgjike te fëmijët” – 1996. Si një ndër pionierët e Kirurgjisë Kosovare ka patur nderin të edukojë, shkollojë dhe perfeksionojë një plejadë kirurgësh të rinj kosovarë.

Ndërroi jetë me 8 Mars, 1997 në Prishtinë.

Registration

Forgotten Password?