Prof. Dr. Jashar Dula

Prof. Dr. Jashar Dula u lind në vitin 1938 në Gjakovë. Shkollën  fillore dhe të mesmen e përfundoi në Prizren.  Në shtator të vitit l961 u regjistrua në Fakultetin e Stomatologjisë në Beograd, ndërsa u diplomua në shkurt të vitit 1966. Pas diplomimit të tij u punësua në Qendrën Mjekësore – Shërbimi i Stomatologjisë në Prizren, ku punoi si stomatolog  për tre vite.  Në vitin 1972 përfundoi specializimin dhe fitoi titullin specialist i Kirurgjisë Maksilofaciale në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd.

Prof. Dula themeloi shërbimin hospitalor maksilofacial në Kosovë. U punësua në Qendrën Mjekësore në Gjakovë, në të cilën punoi pandërprerë për 10 vite, si Kirurgu i parë Maksilofacial. Pastaj u zgjodh si kuadër-asistent, në lëndët Kirurgji Maksilofaciale dhe Kirurgji Orale. Si specialist i Kirurgjisë Maksilofaciale punoi dhe veproi deri në pensionimin e tij. Në vitin 1984 pranë Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, doktoroi me titullin e dizertacionit ”Karakterisat e lëndimeve të sektorit maksilofacial të fituara nga kafshët shtëpiake”. Pas doktorimit u avancua si docent për ligjërimin e lëndëve: Kirurgjia Orale dhe Kirurgjia Maksilofaciale.  Nga viti 1989 e fitoi titullin e Profesorit inordinar, ndërsa nga viti 1996 e fitoi titullin e Profesorit ordinar të lëndëve përkatëse dhe ligjëroi deri në pensionimin e tij. Në vitin 2005 dhe 2012 u dekorua me Mirënjohje nga Shoqata e Stomatologëve të Kosovës për kontributin e dhënë në zhvillimin e Stomatologjisë Kosovare.

Pas pensionimit të tij, prej vitit 2008 punoi si Profesor ordinar në Fakultetin e Mjekësisë “Rezonanca” në Prishtinë duke ligjëruar lëndët përkatëse. Gjatë veprimtarisë dhe karrierës së tij akademike përkundër punës së palodhshme në klinikë dhe ligjërimit në Fakultet, ka marrë pjesë nëpër kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare me mbi 50 punime shkencore.

Registration

Forgotten Password?