Prof. Dr. Muhamed Guguli

Prof. Dr. Muhamed Guguli lindi në Prizren në vitin 1932. Shkollën fillore e kreu në vendlindje kurse shkollën e mesme të Mjekësisë në Zagreb, Kroaci. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 1961. Pas diplomimit punësohet në Spitalin e Prizrenit dhe fillon specializimin nga Kirurgjia e Përgjithshme. Dy vitet e para i kreu në Spitalin e Prizrenit dhe dy të tjera në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd, ku edhe përfundon Specializimin. Temën e doktoratës me titullin “Ekinokokozat e mushkërive gjatë 10 viteve të fundit në Kosovë dhe metodat e intervenimit kirurgjik” e mbron në Fakultetin e Mjekësisë, Prishtinë.

Në vitin 1969, zgjidhet Kryeshef i repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë zgjedhet Asistent i lëndës së Kirurgjisë dhe fillon punën në repartin e Kirurgjisë Torakale në vitin 1976. Në vitin 1982, zgjedhet docent i lëndës, ndërsa në vitin 1987 merr titullin Profesor Inordinar i lëndës Kirurgji e Përgjithshme. Pas largimit të dhunshëm nga puna, vazhdon punën në ordinancën e tij private deri në vitin 1999, kur rikthehet në vendin e tij të punës dhe punon deri në vitin 2002, kur edhe pensionohet.

Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe seminare duke botuar 58 punime shkencore si autor dhe koautor, si dhe një monografi me titullin “Ekzaminimi bronkologjik dhe mjekimi kirurgjik i bronkiektazieve”.

Ndërroi jetë më 21 Shtator të vitit 2015 në Prizren.

Registration

Forgotten Password?