Prof. Dr. Muharrem Gashi

Prof. Dr. Muharrem Gashi lindi më 1936 në Tërnoc, Komuna e Bujanocit. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Nish gjatë vitit 1955. Më pas vazhdoi Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, në vitin 1963.  Ndërkaq, masterin e përfundoi në vitin 1975 në Beograd, ndërsa disertacionin e Doktoraturës e ka mbrojtur në Prishtinë gjatë vitit 1978. Specializimin e ka kryer për Kirurgjinë e Përgjithshme në Beograd. Ajo që e shënoi ngritjen e tij më të madhe ishte përfundimi i provimit të subspecializimit në Kirurgjinë Torakale.

Pasi mbaroi studimet u rikthye në vendlindje dhe detyrën e mjekut e filloi në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc. Në vitin 1969 emërohet Kryeshef i Repartit të Kirurgjisë, pastaj edhe i Qendrës Mjekësore në Gjilan. Gjatë vitit 1970 zgjidhet Asistent i Kirurgjisë së Përgjithshme në Katedrën e Kirurgjisë së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Në fillim të vitit 1974, në Kosovë për herë të parë themelohet Reparti i Kirurgjisë Torakale dhe Kryeshef emërohet Prof. Dr. Muharrem Gashi.

Në vitin 1970, zgjidhet Docent dhe në të njëjtin kohë emërohet Shef i Katedrës së Kirurgjisë së Fakultetit të Mjeksisë në Prishtinë. E gjatë viteve në vazhdim zgjidhet edhe Prodekan, e pastaj edhe Dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Përvec të tjerash, Prof. Dr. Muharrem Gashi, kohën ia ka kushtuar edhe aktiviteteve profesionale dhe shkencore nga fusha e tij e specializimit. Ai arriti të hartojë 4 tekste për studentët e studimeve pasuniversitare dhe për mjekët që veçse ishin në specializim. Gjithashtu, ka publikuar më shumë se 130 punime shkencore e specialistike, që kanë zënë vend të veçantë në tubime të ndryshme shkencore e janë publikuar në revista e buletine të ndryshme. Një tjetër sukses i cili u arrit nga Prof. Dr. Muharrem Gashi, ishte edhe publikimi i librit të tij në vitin 2012, “Tumoret e Mediastaniumit”.  Dr. Muharrem Gashi, gjatë viteve 1983-1984 për rreth një vit, qëndroi në Durham City, Karolina Veriore- SHBA. Ai u bë pjesë e Qendrës Universitare në Duke University, përkatësisht Klinikës së Kirurgjisë Torakale, e cila ishte fushë-interesi i tij. Gjatë qëndrimit përpiloi 9 projekte shkencore-kërkimore, në të cilat bënte pjesë: “Transplantimi i Mushkrisë” i lexuar dhe publikuar në SHBA. Dr. Muharrem Gashi ishte një ndër organizuesit e studimeve pasuniversitare, mentor i temave të masterit dhe disertacioneve të doktoratave për shumë kandidatë në Kosovë. Duke e ditur vitet e vështira që kaloi Kosova gjatë viteve të 90’, pas plotë 32 vitesh pune, Organet e Instaluara Serbe me dhunë e largojnë nga puna. Në këtë kohë të vështirë, vendosi që me mjetet vetanake të hap Poliklinikën private Kirurgjike-Obstertike-Gjinekologjike “Muemi Medicus”, por që përvec patologjive që ai mjekonte, është punuar edhe për lëndimet e kraharorit, qafës dhe kokës që u shkaktuan nga lufta dhe agresorët serb. Në vitin 1998, Prof. Dr. Muharrem Gashi, emërohet Kryetar i Komisionit të Emergjencës së Kosovës dhe në mënyrë permanente është angazhuar për formimin, mirëmbajtjen dhe furnizimin e ambulancave të reja në terrenet ku është zhvilluar lufta. Pasi përfundoi lufta, kthehet si Kryeshef i Shërbimit të Kirurgjisë Torakale. Pas një suksesi të madh me gjithçka kishte bërë, në vitin 2000 pensionohet. Me një bagazh suksesi që la pas vetes, Prof. Dr. Muharrem Gashi vdiq më 08.06.2019 në Prishtinë.

Registration

Forgotten Password?