Prof. Dr. Sadri Bajraktari

Dr. Sadri Bajraktari është kirurg i përgjithshëm dhe kirurg vaskular, profesor i kirurgjisë së përgjithshme dhe luftarake.

Ka lindur me 20 qershor 1938 në Polluzhë të Rahovecit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje dhe në Rahovec, ndërsa gjimnazin e ka kryer në Prizren. Fakultetin e mjekësisë e ka kryer në Universitetin e Shkupit në vitin 1964. Në vitin 1966 është zgjedhur drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Rahovec. Gjatë periudhës 1969-74 ka qenë deputet në Dhomën Socialo-Shëndetësore të Kuvendit të Kosovës. Specializimin e kirurgjisë së përgjithshme dhe studimet postdiplomike i ka kryer në vitin 1973 në Universitetin e Zagrebit. Në vitin 1988, ka mbrojtur tezën e doktoratës me titull: “Mjekimi kirurgjik i çrregullimeve venoze në anësitë e poshtme”.

Në jetën akademike është ngritur nga pozita e asistentit (1975) në docent (1989), profesor inordinar (1994) dhe profesor i rregulltë (2000) i Kirurgjisë së përgjithshme dhe luftarake në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1991 deri në pensionim (2004), ishte kryeshef i Shërbimit të kirurgjisë vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Profesor Bajraktari i takon gjeneratës së artë të kirurgëve të Kosovës të cilët i kanë vendosur themelet e Klinikës së Kirurgjisë dhe të Fakultetit të Mjekësisë. Pas pensionimit është nderuar me titullin Profesor Emeritus i Universitetit të Prishtinës.

Është autor dhe koautor i shumë punimeve shkencore. Në vitin 2003 ka botuar librin universitar “Sëmundjet e venave”. Ka qenë kryeredaktor i parë i revistës “Kosova Journal of Surgery” – botim i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Për kontributin e dhënë në shërbimin shëndetësor, arsim dhe shkencë, Profesor Bajraktari është dekoruar me shumë mirënjohje. Më 1968, Kryqi i kuq komunal i Rahovecit e ka dekoruar me Medaljen e Artë për kontributin e dhënë në shërbimin shëndetësor. Në vitin 2004, Katedra e kirurgjisë dhe ortopedisë e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, i ndau Mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë në edukimin dhe arsimimin e studentëve. Në vitin 2016, nga Presidenti i Kosovës është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e dhënë në arsim, shkencë dhe shërbimin civil.

Registration

Forgotten Password?