Prof. Dr. Selim Krasniqi, gjinekolog dhe obstetër, u lind në fshatin Tërpezë e Ulët, Komuna e Malishevës më 06. 05. 1934. Shkollën fillore e kreu në fshatin Carallukë, ndërsa semimaturën në Rahovec në vitin shkollor 1949/1950. Gjimnazin e kreu në Prizren në vitin 1955, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, në vitin 1962. Pasi kreu shërbimin ushtarak, në vitin 1964 është emëruar Drejtor në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas, pozitë të cilën e mbajti deri në fund të vitit 1967.
Subspecializimin në lëminë e sterilitetit e kreu në Beograd në vitin 1973. Ndërsa në Lublanë në vitin 1980 dhe në Zagreb në vitin 1985, e kreu subpspecializimin për laparaskopi. Është i pari kirurg në Kosovë që ka përdorur laparaskopinë si metodë diagnostike në vitin 1985.
Në vitin 1985 ka mbrojtur doktoratën me titull: Faktorët e Sterilitetit në Kosovë.
Në Fakultetin e Mjekësisë, përgjatë periudhës 1973-2000 ka punuar si asistent, docent, professor dhe Profesor Emeritus (1998).
Në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në Prishtinë ka filluar punën në vitin 1968 dhe ka punuar aty deri në vitin 1990. Në periudhën 1973-1990 Prof. Krasniqi ishte Shef i Repartit të Sterilitetit. Ndërkaq, në periudhën 1982-1992, ai ishte Shef i Katedrës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.
Prof. Krasniqi ishte nënshkrues i Apelit të 215 intelektualëve të Kosovës për ruajtjen e autonomisë.