Prof. Dr. Ymer Aliu

Prof. Dr. Ymer Aliu, u lind në dhjetor të vitit 1954, në Preshevë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i filloi në vitin akademik 1973/1974 të cilat i përfundoi suksesshëm në vitin 1981. Nga viti 1983 fillon punën në Klinikën e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe po në këtë vit filloi specializimin nga Kirurgjia e Përgjithshme në Prishtinë, duke vazhduar vitin e fundit në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb.

 Nga viti 1983 Dr. Ymer Aliu disa herë ishte jashtë vendit me qëllim të perfeksionimit profesional dhe shkencor. Në vitin 1986 në kohëzgjatje prej një muaji qëndroi në Klinikën e Kirurgjisë së Universitetit Jagelonski, Poloni për perfeksionim në Endoskopi Intervente. Pastaj në periudhën 1988-1989 qëndroi në Berlin të Gjermanisë Perëndimore kur përfundoi sub-specializimin për kirurgji të mëlçisë dhe pankreasit. Pas kthimit nga specializimi vazhdon punë në Klinikën e Kirurgjisë si specialist i kirurgjisë deri në kohën kur dhunshëm largohet nga puna prej pushtetit të atëhershëm serb dhe vazhdon veprimtarinë e tij profesionale, humane dhe patriotike. Në vitin 1990 fillon mbajtjen e ushtrimeve nga lënda e kirurgjisë ndërsa me 1994 zgjidhet Asistent i rregullt në Fakultetin e Prishtinës në shkollimin paralel në gjuhën shqipe. Në ndërkohë punon në Shoqatën Humanitare ‘’Nëna Terezë” në Prishtinë si dhe me orar të caktuar fillon edhe të ndihmojë popullatën e Luginës së Preshevës me vizita të kohë pas kohëshme në qyetin e Preshevës. Me iniciativën e Dr. Aliut, hapet poliklinika ne qytetin e Preshevës për ofrimin e shërbimeve kirurgjike dhe gjinekologjike me mjekë nga Prishtina, me qëllim të vetëm të ndihmës profesionale në aspektin human.

Në periudhën 1998-1999 u angazhua si mjek specialist në spitalet e luftës në Kosovë, si pjesë e UÇK-së duke vazhduar edhe pjesëmarrjen në konfliktin e Luginës së Preshevës dhe në atë të Maqedonisë, gjithmonë duke dhënë kontribut të pa kursyer në detyrën e kirurgut. Me përfundimin e luftës angazhohet në QKUK, gjegjësisht në spitalin e Kirurgjisë si mjek specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme, duke qenë edhe indikator dhe ndikues i shumë proceseve inovative. Ishte themeluesi kryesor i Qendrës Laparaskopike në QKUK pranë Klinikës së Kirurgjisë me donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku edhe filloi intervenimet e para në këtë lëmi. Në vitin 2000 mbrojti temën e magjistraturës me titull “Trajtimi kirurgjikal i venave të zgjeruara të gjymtyrëve të poshtme me metodën perkutane” në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në vitin 2005 mbrojti temën e doktoraturës në Fakultetin e Mjekësisë, Prishtinë me titull “Rezultatet e hershme të kolecystektomisë laparoskopike në materialin tonë” me mentor Prof. Dr. Gazmend Shaqiri, punim të cilit iu përkushtua me shumë zell për 3 vite. Gjithashtu, Dr.Ymer Aliu në vitin 2001, u përzgjodh Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë në kuadër të QKUK-së dhe në atë mandat realizon projektin e Kardiokirurgjisë Pediatrike, projekt i cili funksionon edhe sot në bashkëpunim me ekspertët italianë nga spitali “Regina Margarita” të Torinos së Italisë. Pos të tjerash, ishte edhe pioner i Kardiokirurgjise për të rritur. Me punë shkencore filloi të merret qysh nga ditët studentore dhe iu përkushtua deri në momentin që ndërroi jetë. Ka të publikuara mbi 27 punime shkencore dhe profesionale nëpër revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si autor dhe bashkautor. Punën profesionale dhe shkencore e kreu me përkushtim dhe dashuri deri në vdekjen e tij të hershme në vitin 2014.

Registration

Forgotten Password?